Një botë po rritet

Njëzetegjashtë filma dokumentarë për të drejtat e njeriut do të shfaqen në kinemanë ABC gjatë këtyre pesë ditëve. Këta filma vijnë nga shtete të ndryshme të botës dhe si tematikë të përbashkët kanë të drejtat e njeriut.
Festivali ndërkombëtar i Filmit Dokumentar për të Drejtat e Njeriut “Një botë”, i cili sivjet organizohet për të dhjetën herë nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, u hap të mërkurën mbrëma në kinemanë ABC. Motoja e sivjetmë e festivalit është “Mos t’i lojmë me na vjedh!”.
Gazmend Berlajolli, një prej organizatorëve, tregoi se moto e festivalit të këtij viti është e bazuar në idenë se të gjitha krimet janë derivate të një mëkati të vetëm që është mëkati i të vjedhurit. “Kur një njëri e kemi vra ia kemi vjedhë të drejtën për të jetuar, kur një njëri e kemi keqtrajtuar ia kemi vjedhë të drejtën për dinjitet dhe trajtim të barabartë, mirëpo edhe kur e rrejmë ia vjedhim të drejtën për të ditur të vërtetën dhe për informim të saktë. Por edhe kur e vjedhim në kuptimin klasik ia vjedhim të drejtën për zhvillim dhe mirëqenie. Prandaj mos t’i lëmë më na vjedhë asnjërën prej këtyre të drejtave se, në fund të fundit, na garantohen edhe prej vet Deklaratës Universale të Kombeve të Bashkuara edhe pse ndonjëherë vetë përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara na i vjedhin këto të drejta”, tha Berlajolli. Ai shtoi se këto të drejta janë emërues i përbashkët i filmave të këtij festivali dhe të gjitha aktiviteteve shoqëruese që do të shpalosen gjatë këtyre pesë ditëve sa do të zgjasë festivali.
Festivali “Një botë” organizohet prej Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut për të dhjetën herë. Ky përvjetor përkon edhe me njëzet vjetorin e themelimit të këtij këshilli.
Adem Demaçi, një prej aktivistëve më të njohur për të drejtat e njeriut, duke folur për KMDLNJ, tha se ky këshill në atë kohë ishte opozita e vetme ndaj regjimit të Milosheviqit. “Rëndësia e këtij këshilli ishte si një përgatitje edhe politike, edhe morale, edhe njerëzore për ato që do të ndodhnin më vonë”, tha Demaçi.
Ndërkaq, Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër në qeverinë e Kosovës, tha se në një vend demokratik mbrojtja e lirive dhe të drejtave të njeriut është në anën e atyre që e mbrojnë edhe pushtetin edhe idenë nacionale. Duke folur për punën e KMDLNJ-së këto njëzet vitet e fundit, Kuçi tha se është një punë për admirim për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, por sipas tij, është një punë për admirim edhe si një kala që e ka mbrojtur fuqishëm interesin kombëtar. Ai tha se kudo në vendet postkonfliktuoze dhe në veçanti postkomuniste ka nevojë të rritet vetëdijesimi për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut. “Ky vetëdijesim nuk është i lehtë në veçanti kur ne në emër të mbrojtjes së interesit kombëtar mund të shihemi sot si shkelës të të drejtave të njeriut apo në momente të caktuara dhe në emër të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut të minoriteteve mund të jemi abuziv në të drejtat kombëtare apo në momente të caktuara në të drejtat e njeriut”, tha Kuçi. Ai la të nënkuptohet se nganjëherë qeveria ndodhet ndërmjet dy zjarreve. Por, po ashtu, tha se edhe nëse qeveria i shkel të drejtat e njeriut qytetarët duhet të reagojnë. Duke qenë në qeveri, ai tha se ne e kemi për obligim t’i respektojmë dhe përmbushim liritë dhe të drejtat e njeriut. “Por duke qenë në qeveri kemi dhe rrezikun e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe unë i kisha ftuar ata që i shohin këta filma të rrisin vetëdijen që të reagojnë ndaj shkelësve kushdo që të jetë ai, qoftë ai në qeveri apo diku tjetër”, tha Kuçi.
Ai në fund ua dha një premtim dekurajues filmbërësve kosovarë. “Unë ju premtoj se do të angazhohemi shumë që sa më pak filma dokumentarë për shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut do të ketë në Kosovë”, tha Kuçi.
Në këtë festival do të shfaqen 26 filma, prej të cilëve tetë janë të autorëve shqiptarë e 18 të atyre ndërkombëtarë.
Shkëlzen Gashi nga KMDLNJ tregoi se Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar për të Drejta të Njeriut ‘Një botë’ organizohet në Prishtinë që nga viti 2000 duke qenë pjesë e Festivalit ‘Jeden Svet/One World’ me seli në Pragë.
Ai tha se ky festival ka për qëllim të grumbullojë dokumentarë nga të gjitha vendet e botës dhe t’i shfaqë këta dokumentarë para publikut në mënyrë që të ndihmojë promovimin dhe respektimin për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut por edhe të nxisë debat për këto tema. “Gjatë ditëve që do të mbahet festivali do të organizohen tri debate gjithsej, i pari do të jetë për të drejtat e grave, i dyti për të drejtat e minoriteteve etnike dhe i treti për të drejtat e të burgosurve”, tha Gashi. Ai shtoi se festivali ‘Një botë’ sivjet i ndanë tri çmime: atë për dokumentarin më të mirë vendor, për dokumentarin më të mirë ndërkombëtar dhe çmimi special për të drejtat e njeriut ‘Adem Demaçi’. “Sivjet festivali vjen i pasuruar me disa risi cilësore. Fotografitë e përzgjedhura të fotografit të mirënjohur Hazir Reka japin kolazhin e një periudhe 20 vjeçare të shkeljes së të drejtave të njeriut në Kosovë. Po ashtu, festivali sivjet hap për herë të parë webfaqen e vet zyrtare, ndërsa kësaj radhe juria tubon edhe studiues e veprimtarë të të drejtave të njeriut, krahas me njerëz nga bota e artit”, tha Gashi.
Në jurinë e këtij edicioni janë regjisori Bekim Lumi, regjisorja Blerta Zeqiri, Zejnullah Gruda, ekspert i të drejtave të njeriut, Vjollca Krasniqi, aktiviste për të drejtat e grave si dhe Albin Kurti, lider i lëvizjes Vetëvendosje.
Vehap Shita, anëtari më i vjetër edhe në moshë edhe në stazh në KMLDNJ, tha se festivali mbahet edhe në shenjë të përvjetorit të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut të OKB-së. “Nëse këshilli ynë nuk ka qenë përherë në gjendje të mbrojë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe efektive të drejtat e njeriut, gjatë gjithë kësaj periudhe ka informuar opinionin vendor e ndërkombëtar për format e ndryshme të shkeljes së këtyre të drejtave, në radhë të parë në Kosovë por edhe më gjerë, duke e sensibilizuar bashkësinë ndërkombëtare dhe institucionet e saj për mbrojtjen e të drejtave njerëzore individuale dhe kolektive”, u shpreh Shita.
Festivali ‘Një botë’ do të qëndrojë i hapur deri më 20 dhjetor kur edhe do të jepen shpërblimet.