Premiera "Të kalosh Ylberin", në 50-vjetorin e Cirkut
Me rastin e 50-vjetorit të themelimit të Cirkut Shqiptar, në Teatrin e Metropolit, sonte, ora 18:00 shfaqet premiera "Të kalosh Ylberin".
Në arenën e cirkut, artistët Ali Juca, Fatos Alla, Stela Blloshmi, Irida Dori, Juxhina Madhi, Rubin Zuna, Klaudja Duro, Eris Dakli, Gentjan Dollaku, Fiqiri Luli, Ibrahim Selishta, Alush Liljani, Pranvera Sallata, Xhejmi Kodra zhvillojnë numra akrobacie, xhonglerimi, kllounate, prestigjature, të plastikës, ekuilibrit, numra me kafshë. Koordinator artistik, Fatos Roshi, Kujtim Dumi. Drejtues Orkestre, Sajmir Çili. Koreograf Llaqi Nako. Kostumografe, Olsida Murati, Vitore Hoxha.
"Qyteti pa kufij", sonte në Marubi
Sonte, ora 19:00, në ekranin e kinemasë "Marubi" shfaqet filmi "En la Cuidad sin lìmites" (125 min), realizim i vitit 2002 i regjisorit spanjoll Antonio Hernández. Luajnë aktorët Leonardo Sbaraglìa, Fernando Fernán-Gómez, Geraldine Chaplin. Filmi është i subtitruar në anglisht. Shfaqet në kuadër të së "Premtes Spanjolle".
"Për një Shqipëri me Zotin", përsiatjet e një bariu shpirtëror
Botohet vepra "Për një Shqipëri me Zotin" e Imzot Rrok Mirditës, përgatitur nën kujdesin e Marjan Palokës, Marjan Lumçit dhe Gjergj Metës. Të pranishëm në promovimin e veprës, në Qendrën Kulturore të Forcave të Armatosura, presidenti i Forumit për Aleancën e Qytetërimeve Besnik Mustafaj, pedagoget e Universitetit të Tiranës, Gentiana Skura dhe Rafaela Marteta, përfaqësues të klerit mysliman e ortodoks dhe vetë autori, arqipeshkvi Mirdita.
Në tre vëllimet e veprës përmblidhen kujtime, intervista, përshëndetje, letra, kumtesa që Imzot Rrok Mirdita ka mbajtur në aktivitetet e ndryshme gjatë kohës që shërbeu në Arqipeshkvinë Metropolitane Tiranë-Durrës.
"Vepra është shkuar nga një personalitet i jetës shoqërore dhe shpirtërore shqiptare", tha Mustafaj, duke pohuar edhe se ajo "lidhet drejtpërdrejtë me letërsinë" dhe "i adresohet të gjithë shqiptarëve kudo që janë".
Pedagogia Gentiana Skura bëri një kalim të shkurtër në temat më të rëndësishme të librit, dhe nënvizoi vështirësitë që Imzot Rrok Mirdita dhe të tjerë, si At Zef Pllumi dhe At Zef Luli, kanë kaluar gjatë regjimit komunist.
Këtë ide e përforcuan në fjalën e tyre edhe përfaqësuesit e klerit, duke theksuar edhe vlerat didaktike, historike dhe shpirtërore të vëprës dhe përvojës 16-vjeçare që arqipeshkvi Mirdita pati në Kishat Katolike të Durrësit dhe Tiranës.