Myslimanët europianë, të “margjinalizuar”

Referendumi i paradokohshëm në Zvicër, për të ndaluar ndërtimin e minareve, duket se konfirmon trendin që europianët po bëhen gjithnjë e më të prirë të “mbrojnë” kulturën e tyre nga islami. Sidoqoftë, raporti më i ri, i publikuar nga Instituti për Shoqëri të Hapur (OSI), organizatë kjo e krijuar nga miliarderi dhe filantropi George Soros, detajizon marrëdhëniet komplekse mes myslimanëve dhe Europës dhe zbulon se dyshimi është i ndërsjellë. Myslimanët besojnë se ata po përjashtohen nga shoqëritë europiane.
Rreth 20 milionë myslimanë jetojnë në shtetet anëtare të BE-së, kryesisht në kryeqytete dhe qytetet e mëdha të industrializuara; ata tashmë përbëjnë 25 për qind të popullatës në Marsej dhe Roterdam, 20 për qind në Malme, 15 për qind në Birmingem dhe Bruksel dhe 10 për qind të popullatës në Londër, Paris dhe Kopenhagë.
Raporti, i publikuar këtë javë, ka anketuar myslimanët në 11 qytete të BE-së dhe zbuloi se 55 për qind e të anketuarve besojnë se diskriminimi religjioz është forcuar gjatë pesë viteve të kaluara. Dhe, përderisa shumica e myslimanëve janë pjesë e integruar në qytetet në të cilat jetojnë, raporti zbulon se gjasat janë tri herë më të mëdha që myslimanët të mbesin të papunë sesa jo-myslimanët. Pjesa më e madhe e myslimanëve, të cilët jetojnë nëpër getot e komuniteteve të tyre, dëshirojnë të integrohen në shoqëritë në të cilat jetojnë.
“Një numër i madh i myslimanëve, në veçanti prindërit, ishin të pikëlluar se nuk janë në gjendje të jetojnë në lagje të përziera, ku do të mund të përjetonin shumëllojshmërinë”, tha Tufyal Choudhury, autori kryesor i raportit.
Zbulimet në raport janë jehonë e studimeve të mëhershme, të cilat kanë nxjerrë në sipërfaqe armiqësinë ndaj myslimanëve dhe pakicave tjera. Më 9 dhjetor, një raport të ngjashëm e publikoi edhe Agjencia për të Drejta Themelore (FRA). Ishte kjo një anketë e 23 mijë individëve nga radhët e pakicave dhe imigrantëve në lidhje me përvojat e tyre me diskriminimin, krimet raciste dhe politikat në shtetet anëtare të BE-së.
Pakicat zakonisht përballen me diskriminim kur kërkojnë punësim, gjatë blerjes në dyqan apo vizitave te mjeku, ka theksuar FRA e cila ka cilësuar si shokuese përvojat raciste, anti-emigracionit dhe islamofobinë, me të cilat përballen pjesëtarët e pakicave në jetën e përditshme.
Një studim i bërë në vitin 2004 nga sociologu në Sorbonne, Jean-Francois Amadieu, zbuloi se një person me emër mysliman ka për pesë herë më pak gjasa të ftohet në intervistë sesa një person me emër jo-mysliman.
“Ende jemi në fazën në të cilën ngrihen dyshime kundrejt myslimanëve. Në aeroporte mua shpesh më trajtojnë më ndryshe se kolegët e mi, përkundër faktit se kam pasaportën e Britanisë”, thotë Sajjad Karim, mysliman nga Britania, i cili është deputet në Parlamentin e Europës.
Kjo frikë ka shtuar mbështetjen për politikanët e ekstremit të djathtë, siç është holandezi Geert Wilders, partia e të cilit - Partia e Lirisë - fitoi 11 për qind të votave në zgjedhjet për Parlamentin e Europës me platformën e saj anti-islamike.
Në raportin e OSI-s u theksua se kjo klimë politike ka armiqësuar myslimanët, të cilët kanë shpesh ndjenjën se janë të padëshiruar.
Disa shtete të Europës kanë ashpërsuar ligjet e tyre për emigracion dhe kanë miratuar rregullore të ashpra sa i përket bartjes së shamisë apo veshjes së perçes.
Douglas Murray, drejtor i Qendrës për Kohezion Social në Londër, insiston se myslimanët përballen me të njëjtin diskriminim sikur edhe emigrantët tjerë.
“Të gjitha shoqëritë nuk mirëpresin europianët, por europianët kanë qenë shumë më mikpritës ndaj myslimanëve sesa që theksojnë kritikët. Akuzat për diskriminim duket se gjithmonë kanë të njëjtin qëllim: për të dëshmuar se europianët janë racistë. Kjo është një fyerje e madhe”, tha Murray.
Aspekti ndoshta më domethënës i raportit mund të jetë shumëllojshmëria e qëndrimeve në radhët e komunitetit mysliman në Europë. Raporti i OSI-t zbulon se pjesa më e madhe e myslimanëve identifikohen fuqishëm me qytetet apo shtetet në të cilat jetojnë.
Por, niveli ndryshon. Në raport thuhet se myslimanët ndoshta janë të integruar më mirë në Britani sesa në shtetet tjera të Europës: rreth 78 për qind e myslimanëve e konsiderojnë vetëm si britanikë për dallim nga 49 për qind e myslimanëve që e konsiderojnë vetën francezë dhe 23 për qind të cilët e ndiejnë vetën gjermanë.
Mendohet se prapa kësaj shtrihen shumë faktorë. Historia e trazuar e Francës me kolonitë e veta, si për shembull Algjerinë, mund të shpjegojë armiqësimin më të madh të myslimanëve, të cilët jetojnë në këtë shtet, shumë prej të cilëve kanë prejardhje nga kolonitë.
Britania ka akomoduar më shumë nevojat kulturore të myslimanëve të vet, si për shembull duke i lejuar policeve femra që të bartin shami.
Edhe përkundër këtyre dallimeve, raporti i OSI-t zbulon edhe një gjë tjetër të përbashkët për myslimanët: qytetarët myslimanë kanë pothuajse të njëjtat brenga si edhe europianët tjerë. Sikur edhe fqinjët e tyre, ata janë të interesuar për edukim, ajër më të pastër dhe rrugë më të sigurta. Dhe ata dëshirojnë të drejta dhe mundësi të njëjta.
“Komunitetet, pa marrë parasysh besimin e tyre, në pjesën më të madhe kanë brengat e njëjta. Dallimi mes tyre është mënyra se si trajtohen dhe shikohen”, tha Nazia Hussein, drejtore e raportit.
(Time)