Një breshkë politike që po vonon statusin e Shqipërisë
Kryetari i partisë Socialiste, Edvin Rama, duke se është zotuar, me mish e me thua (të paprerë) që të bllokojë statusin e vendit kandidat. Edvini pati paturpësinë më të madhe që menjëherë pas takimit me ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së, të cilët vazhdojnë t’i luten si Krishtit që të mos bllokojë më proceset integruese të Shqipërisë, të dilte si Juda i interesave të atdheut, me një deklaratë, kryefjala e së cilës ishte: “Nuk më plas fund-shpina nëse Shqipëria”, ashtu siç thotë edhe vetë Edvini, “ngel në vjeshtë”. Duke llogaritur bilancin e bllokimeve që Rama ka bërë kundër statusit, rezultati na shfaqet në formën e një metamorfoze që ka pësuar Partia Socialiste, e cila na është kthyer si strukturat paralele serbe të veriut të Kosovës. Rama, si një “serb”, po vazhdon të ngrejë barrikada për të mos lejuar kalimin e statusit tek Shqipëria, dhe justifikimet e arnuara dje nga Rama për të mosvotuar më 6 gusht heqjen e imunitetit, nuk janë gjë tjetër veçse një barrikadë tjetër dhe vijimësi e sagës “Kurban-Shqipëria”. Pasi nuk ia doli të bllokonte liberalizimin e vizave me slogane si “Hap Kutitë, Liro Vizat”, apo duke paguar eurodeputetë filo-rusë dhe filo-grekë për të hedhur baltë mbi shqiptarët në Parlamentin Europian - duke përhapur panik se do të niste një eksod me azilantë ndaj BE-së - në listën e tij të zezë për Shqipëri, pra në objektivat e tij, Ramës i ka ngelur pa bllokuar statusi i Shqipërisë. Pasi kaloi dy vjet duke kërkuar hapje kutish, pasi bllokoi për tre vjet miratim në Kuvend të ligjit për Gjykatën Administrative e ligje të tjera të rëndësishme në kuadër të12 rekomandimeve të BE-së, dhe pasi përdori taktika leniniste dhune si ajo e 21 janarit për të përfunduar pikturën e tij të një Shqipërie kaotike, Rama po sillet si një çupëlinë tekanjoze, duke krijuar justifikime të kota për të mos miratuar ligjin për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Justifikimi i Edvinit ngrihet mbi themelet e një akuzë qesharake, të një version “WaterGate”, se me demek Ministria e Mbrojtjes ka blerë në vitin 2011 një pajisje përgjimi, me anë të së cilës po përgjon zyrtarët e opozitës. Se kush merret me përgjues, apo të themi fiks fare, me “çimka” të sofistikuara, atë e di Edvini me “çakejtë” dhe “priftërinjtë”e tij. Ky justifikim nuk është gjë tjetër veçse një maskë e cila po dështon të mbulojë fytyrën e vërtetë të Ramës, atë të njeriu që është kundër interesave vitale të Shqipërisë.
Marrja e statusit për Ramën nënkupton një pikë më shumë për kryeministrin Berisha në zgjedhjen e 2013, dhe meqenëse na ndan vetëm një vit nga zgjedhjet parlamentare të 2013, Rama po e nis fushatën elektorale që tani, duke bllokuar çdo të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët, vetëm e vetëm se ato vijnë nga qeveria aktuale (kujto vrerin hedhur ndaj Rrugës së Kombit). Shqipëria është vonuar shumë, dhe kjo vonesë ka emër dhe mbiemër - Edvin Rama. Na ndajnë vetëm dy javë nga 6 gushti dhe tre muaj nga përpilimi i raportit për Shqipërinë. Siç shihet nga koha relativisht e shkurtër, reformat kërkojnë të miratohen me shpejtësinë e një leopardi dhe jo të një breshke si Edvini, i cili merr guximin e thotë që “të mos bëhet arnim i ngutshëm i Kushtetutës”. Ky togfjalësh i fundit do të thotë vonesë z. Rama, dhe vonesa është gjeja që duhet të shmangim në këto momente vendimtare për të ardhmen evropiane të vendit, ku dita-ditës, ty në zyrë dhe shqiptarëve nëpër media, BE-ja po na transmeton tik-tak-un e orës së integrimit evropian, i cili për këtë vit nuk duhet të mbarojë.