Berisha: “Edi Rama po kërkon pazare duke kërcënuar me bllokimin e integrimit”
Kryeministri Sali Berisha i kërkon kreut të PS-së që të gjejë kurajën për të dëgjuar zërin e qytetarëve të thjeshtë dhe jo diktatin e miliarderëve të partisë së tij
Kryeministri Sali Berisha ripërsëriti dje thirrjen për kreun e PS-së Edi Rama, duke i kërkuar njëherazi që të gjejë kurajën për të dëgjuar zërin e qytetarëve të thjeshtë dhe jo diktatin e miliarderëve të partisë së tij, dhe të votojë heqjen e imunitetit.
Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e Kryeministrit, Erla Mëhilli tha se, “heqja e imunitetit për qeveritarët, deputetët, gjyqtarët dhe zyrtarët e tjerë të lartë të vendit është sot, kërkesa më themelore për Shqipërinë, klasën e saj politike dhe çdo shqiptar nga Komisioni Europian dhe 28 vendet anëtare, që të votojnë për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për vend anëtar të Bashkimit Europian”.
Sipas saj “pikërisht dje (pardje), pas takimit me Edi Ramën ku i paraqitën kërkesën Partisë Socialiste për heqjen e imunitetit, treshja e ambasadorëve deklaroi haptas dhe pa dorashka para mediave se heqja e imunitetit ka rëndësi përcaktuese dhe vendimtare për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria”.
Njëkohësisht, vijoi Mëhilli, “heqja e imunitetit për ministrat, deputetet, gjyqtarët dhe zyrtarët e tjerë të lartë ka rëndësi vendimtare në luftën me zero tolerancë ndaj korrupsionit, këtij kanceri të vërtetë social që çdo ditë, nëpërmjet sëmundjeve, papunësisë, mjerimit ekstrem që shkakton merr jetën, fëmijërinë dhe rininë e qindra dhe mijëra qytetarëve të pafajshëm”.
Duke folur në emër të Kreut të Ekzekutivit, Mëshilli tha se “Kryeministri Berisha u rikujton shqiptarëve se Partia Demokratike, kërkesën për heqjen e imunitetit e paraqiti që në vitin 2003, kur vetë në opozitë përballej me metodat shtypëse të qeverisë së korruptuar socialiste. Por nisma legjislative e Partisë Demokratike u hodh poshtë nga mazhoranca socialiste, e cila sipas raportit të Bankës Botërore, përvetësonte në taksa dhe dogana mbi 1.4 miliardë dollarë në vit, para këto të qytetarëve shqiptarë”, tha ajo.
Sërish, shtoi Mëhilli, “pas ardhjes në pushtet në vjeshtën e vitit 2005, Partia Demokratike paraqiti kërkesën ligjore për heqjen e imunitetit mbi bazën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Përsëri Partia Socialiste refuzoi votimin dhe vuri si kusht për heqjen e imunitetit, ndryshimin e Kushtetutës”.
Mëhilli kujtoi se në vitin 2008, Partia Socialiste refuzoi ndryshimin e Kushtetutës për heqjen e imunitetit, si dhe votimin e ligjit për heqjen e tij të përgatitur bashkërisht po në atë vit. Por edhe tani, PS bllokon sërish votimin e amendamenteve për heqjen e imunitetit, amendamente që janë të standardeve më të larta europiane, të hartuara nga ekspertët më të shquar të Këshillit të Europës dhe Komisionit Europian.
Edi Rama, nënvizoi zëdhënësja e Kryeministrit, “e bën këtë vetëm e vetëm që të bllokojë për të tretën herë marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat dhe të dënojë ëndrrën më të bukur të shqiptarëve, ëndrrën europiane. Edi Rama, pra, kërkon pazare dhe bllokime për interesa të ngushta personale politike dhe nuk pyet për interesat jetike të integrimit europian të të rinjve, burrave dhe grave të këtij vendi. Ai nuk dëgjon zërin e qytetarëve, por diktatin e këshillit të miliarderëve me imunitet që e rrethojnë. Kryeministri i bën thirrje Edi Ramës të gjejë kurajën për të dëgjuar zërin e qytetarëve të thjeshtë dhe jo diktatin e miliarderëve të partisë së tij dhe të votojë heqjen e imunitetit”, përfundoi Mëhilli.