E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një çapë teatër nën presë

Nga Elsa Demo

Skena e madhe e Teatrit Kombëtar u rri produksioneve të të rinjve si çunit xhaketa e babait. Por nuk janë as protektive e as të ndërlikuara raportet e teatrit me të rinjtë. Përkundrazi: janë të dalë ku të dalë.

Edicioni i shtatë i festivalit të teatrit për të rinj është organizmi më i keq i mundshëm. Organizator është Teatri Kombëtar i cili jep mjediset e punës, mecenat është Ministria e Kulturës e cila jep mesatarisht 400 mijë lekë për shfaqje. U prodhuan shtatë spektakle. Finalizimi ishte më 28 dhjetor në skenën e vogël që tani i përket Teatrit të Komedisë.

Me të filluar sezoni i këtij çiban institucioni, festivali i të rinjve u ndërpre për disa javë. Zgjidhja u pa në ndërprerjen e shfaqjeve të Amadeusit. Duhej që të rinjtë ti përshtatnin veprat për skenën e TK-së aq e vështirë për tia fshehur me teknikë zymtinë dhe varfërinë.

U ngrit megjithatë një koleksion teatral i të rinjve të cilët të njëjtat drama i inskenojnë më mirë se presorët e tyre në degën e artit skenik në AA. Shikon moshën e adoleshencës artistike të padeformuar, e cila në këtë pikë ka mbërritur vetë, në mënyrë autodidakte, nga puna lart e poshtë nëpër televizione, e informuar ku të mundet. Pjesa më e shëndetshme që shfaqin prodhimet e të rinjve nuk është as prej atij edukimi në shkollën kombëtare të artit dhe as prej institucioneve të akullta që kanë paratë dhe hapësirat, pra edhe rrjedhën e kohës së brezave në dorë. Nëse ka madje tundime që me delir dhe mediokritet, i shmangin këta të rinj nga kërkimi personal, janë këto dy duart, edukimi dhe politika, që hedhin dhe presin mundësitë e të bërit art sot në Shqipëri. Dy presa që garantojnë gjendja të mbetet kjo që është.

Fituesit

Lorin Terezi është fitues për shfaqjen më të mirë në edicionin e shtatë të festivalit të teatrit për të rinj. Koleksioni i qelqtë i Tennessee Williams është debutimi i tij i parë serioz në skenën e teatrit. Lorini është 25 vjeç. Është diplomuar për regji teatri në Akademinë e Arteve më 2009. Trofeun ia dorëzoi një ish pedagog i tij, aktori Andon Qesari. Në bisedën pas ndarjes së çmimeve, Lorini tregon se lirizmi romantik i si ai i Tenesi Uilliamsit është prirja që ai pëlqen në një pjesë për teatër. Lorini fitoi sepse i ka dhënë dramës atë që ajo ka: realizmin tradicional me epokën, vendin dhe kohën dhe kompozimin korrekt të një vepre që gjithë atmosferën e ka te gjendja e ndërmjetme e historisë dhe personazheve të cilët jetojnë ndërmjet kujtimit dhe ëndërrimit.

Aktorë janë: Ervin Bejleri dhe Niko Kanxheri në rolin e Tomit të ri dhe Tomit plak, ëndërrimtari dhe shkrimtari i realizuar, Sonila Kapidani nëna që rrit fëmijë me bukuri të sëmura, Erjeta Cufaj Lora që rrit kafshët e koleksionit prej qelqi, dhe Florian Agalliu – Xhimi që gabimisht është bërë modeli i mashkullit në mendjen e një vajze të sëmurë.

Për interpretimin e Lorës, Erjeta Cufaj (debutoi në Teatër Kombëtar sezonin e kaluar te Dashuri e hidhur me rolin e Xhuljetës) u shpall nga juria aktorja më e mirë. Aktori debutues më i mirë u vlerësua Eni Shehu për interpretimin në dramën Kaligula i Albert Camus-së. Çmimi për regjinë u nda mes të rinjve Kliton Hoxha për dramën Vdekja dhe virgjëresha nga Ariel Dorfman dhe Elis Mataj për Pa rrugëdalje e Zhan-Pol Sartr.

Drama e absurdit dominoi këtë edicion. Juria vlerësoi në fund një shfaqje realiste, Koleksioni i qelqtë e cila, siç u deklarua mbrëmjen e çmimeve ka të drejtën të shfaqet disa herë në skenën e Teatrit Kombëtar. Ky premtim për fituesin nuk është mbajtur ndonjëherë.

Me Tenesi Uilliams (1911-1983) publiku ynë ka njëfarë familjariteti. Jo vetëm me Koleksionin e qelqtë (vënë në skenë më 2008 nga Adonis Filipi me titullin Menaxheria e qelqtë, me aktorët Yllka Mujo, Arben Derhemi, Monika Lubonja e Neritan Liçaj). Spiro Duni ka inskenuar Macja në çatinë e nxehtë me protagoniste Luiza Xhuvani, Alfred Trebicka ka provuar në vitet dymijë me Tramvaj me emrin dëshirë. Por përpjekja më e hershme me dramaturgun amerikan është në vitin 1973, nga regjisori Mihal Luarasi. Orfeu zbret në ferr që kishte për protagonist aktorin Timo Flloko u ndalua. Kjo ngjarje iu shtua fajeve të Luarasit që kishin si pikë nisje festivalin e 11-të, i dënuar si festival antisocialist, modernist, që e çoi në burg regjisorin e tij.

Intervista

Urime Lorin! Sa e vërtetë është që ke hequr dorë nga gjithçka për tu marrë me Koleksionin e qelqtë. Çfarë është gjithçkaja në moshë tënde?

Kur kam filluar këtë projekt bëja një jetë si një student që ka mbaruar akademinë e arteve dhe punon në një televizion për tre vjet me spektaklin dhe muzikalin. Futa projektin në konkurs, atëherë lashë punën dhe çdo gjë nga aktiviteti i përditshëm.

Ishte puna e parë personale me teatrin?

Me teatrin mund të përmend vetëm shfaqjen e diplomës Etje nga Juxhin ONill. Punova me Arben Derhemin, Rozi Kostanin dhe një bashkëstudent. Kurse Koleksioni i qelqtë është një akumulim i cili nuk ka filluar për hir të festivalit. Ka jetuar me mua qysh kur e kam lexuar, më ka shoqëruar në gjithë etapat kur i jam rikthyer.

Mendoje që mund ta vije në skenë?

E kam pasur ëndërr dhe në gjithë këtë kohë ka arritur një pjekje të vetën.

Çfarë identifikon te Tenesi Uilliams?

Them se gjithmonë ka qasje personale ndaj një vepre. Ka regjisorë që janë të ftohtë dhe vlerësojnë inteligjencën e dramaturgut, ka regjisorë që janë emocionalë dhe vlerësojnë anën sentimentale të dramaturgut. Unë veten e shoh te këta të dytët. E përgjithësoj shijen time duke thënë që në kinema më pëlqen Tornatore. Në këtë linjë të emocioneve më pëlqen ta ndjek teatrin. Me Koleksionin… ndjeva se ku e gjej veten dhe ku do të vazhdoj.

Drama jep një skemë të familjes amerikane në ekran: një prind që zhduket, dhe prindi që mbetet është i pamjaftueshëm për tu marrë me fëmijët të cilët po ashtu, mbeten përgjysmë. Sa potencial ka një skemë si kjo?

Është një skemë që ka rezultuar e suksesshme. Më së shumti unë jam marrë me atë që gjej në realitetin tim. Pati disa kritika ndaj meje që pretendonin shfaqja të ishte pak më amerikane.

Kompozimi i Koleksionit ka një simetri në ndarjen e karaktereve, në kohën që merr njëri dhe tjetri për të treguar veten nëpërmjet kujtimit dhe ëndërrimit, me peshën që kanë ngjarjet në të tashmen dhe me forcën që rimerren nga kujtesa.

Në variantin origjinal të dramës, protagonisti, Tomi, tregon 3-4 vjet pasi kanë ndodhur ngjarjet. Unë e kam rritur me 30 vjet këtë distancë. Kam supozuar që vetë Uilliams është realizuar si dramaturg, meqë Tomi Uingfilld është Tenesi i ri. Kjo dramë është autobiografi e tij. Kam riparo finale me dilemën: a ia vlen të ndjekësh ëndrrën dhe pasionin dhe të lësh prapa një qelq të thyer?

Ke punuar me tri aktorë profesionistë, dy prej tyre pedagogë. Çfarë përgjigje do ti jepje anëtarit të jurisë që shprehu dilemën: nuk dimë ku është vija ndarëse, sa ka punuar regjisori i ri me aktorin dhe vetë aktori profesionist me personazhin.

Praktika të ofron një dije tjetër. Praktika kësaj here më ka detyruar të bëjë shumë heqje nga mendimet e dikurshme dhe të përshtatem me kushtet teknike, me gjërat që janë.

Dramaturgjia e Tenesi Uillliamsit i jep qartë rrethanat. Pse duhej të merrja një nënë më të re në moshë se Sonila Kapidani apo një Tom edhe më të ri se Ervin Bejleri dhe pse të mos shfrytëzoja pjekurinë e Niko Kanxherit,

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›