Një çmim për veprat albanologjike
Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë organizon simpozium shkencor ku veprat e albanologjisë konkurrojnë për një çmim. Në simpoziumin shkencor “Veprat themelore të albanologjisë”, organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike e Tiranës, pritet të marrin pjesë albanologët nga vende të ndryshme, kurse në fund do të zgjidhet vepra që do të fitojë “Çmimin e albanologjisë”. Këtë muaj në Tiranë do të mbahet simpoziumi shkencor “Veprat themelore të albanologjisë”, organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike e Tiranës. Simpoziumi do të fillojë punën më 18 dhjetor dhe do të zgjasë deri më 20 dhjetor të këtij viti. Në këtë simpozium pritet të marrin pjesë albanologët nga vendet të ndryshme të botës, të cilët kanë kontribut të veçantë në fushën e albanologjisë. Në fund do të zgjidhet vepra që do të fitojë “Çmimi i albanologjisë”. Sipas organizatorëve, qëllimi i organizimit të këtij sesioni, por edhe ndarja e çmimit, është shtimi i interesimit të studiuesve të rinj për studimet albanologjike. “Kjo veprimtari synon që të promovojë studimet albanologjike, të forcojë impaktin e tyre kulturor e shkencor, si dhe të rrisë autoritetin e studiuesve të albanologjisë”, - thuhet ndër të tjera në njoftimin e Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë. Simpoziumi do të organizohet në katër sesione pune; në kërkime gjuhësore, kërkime kulturore-letrare, kërkime etnologjike dhe arkeologjike, kërkime historike. Simpoziumi mbahet edhe në kuadër të përvjetorëve jubilarë të Kongresit të Manastirit dhe lindjes së Çabejt. Në këtë simpozium do të prezantohen edhe studiues nga Kosova.