E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Hyjnesha në fron”, dixhitalizohet

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Valton Beqiri dhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Endi Sparks, kanë inauguruar Bazën e të dhënave të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës, projekt i cili ka kushtuar 226.610 euro.

Me këtë rast “Hyjnesha në Fron”, një ndër simbolet identifikuese për trashëgiminë tonë kulturore, është regjistruar si objekti i parë në bazën digjitale të të dhënave.

Ministri Beqiri tha dje se baza e të dhënave do të shërbejë si platformë për futjen e informatave për të gjitha kategoritë e trashëgimisë kulturore të Kosovës, arkitektonike, arkeologjike, shpirtërore, që nga përnjohjet deri të listat zyrtare të vlerave.

“Baza e të dhënave, po ashtu, do të shërbejë edhe si medium i rëndësishëm për administratën dhe dhënien e informatave mbi vlerat kulturore të Kosovës për institucionet e trashëgimisë kulturore, duke dhënë ndihmesë edhe në zhvillimin e sektorëve të tjerë siç janë turizmi, planifikimi hapësinor, edukimi”, ka thënë ai.

Ministri Beqiri ka falënderuar Qeverinë e Britanisë së Madhe dhe partnerët tjerë për përkrahje të vazhdueshme në ngritjen e kapaciteteve për menaxhim të suksesshëm të trashëgimisë kulturore të Kosovës. Ai tha se projekti ka kushtuar 226.610 euro, prej të cilave Qeveria britanike ka ndarë 189.610 euro, ndërkaq pjesën tjetër e kanë mbuluar MKRS dhe organizata “Trashëgimia Kulturore pa kufij” (CHëB).

Ndërsa, ambasadori Sparks tha se trashëgimia kulturore në Kosovë është shumë e pasur dhe aspektet e saj do të jenë shumë të rëndësishme për zhvillimin e Kosovës në fushën e turizmit dhe në fushat tjera.

Sa i përket inaugurimit të bazës e cila do të jetë në internet dhe ku do të kenë mundësi të gjithë të interesuarit të njihen me trashëgiminë kulturore të Kosovës, ambasadori britanik tha se ky projekt është edhe një mjet hulumtues për të gjitha ata që punojnë në fushën e trashëgimisë kulturore

Në shenjë mirënjohje për punën dhe kontributin që ka bërë ambasada dhe Britania e Madhe, ministri Beqiri ftoi ambasadorin që bashkërisht të regjistrojnë “Hyjneshën në Fron”, si objekti i parë që hyn në bazën digjitale të shënimeve.

Pas “Hyjneshës”, përfaqësuesit e ministrisë pritet të fusin në bazë edhe të dhënat e tjera për momentin, në sajtin që është në gjuhën shqipe, serbokroate dhe atë angleze.

Krijimi i Bazës se të Dhënave është pjesë e projektit “Forcimi i Kapaciteteve në Institucionet e Kosovës për menaxhim të trashëgimisë kulturore” i cili mbështetet nga Qeveria Britanike dhe fondacioni suedez “Cultural Heritage ëithout Borders” , i cili është edhe zbatues i këtij projekti.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›