Një defekt i rëndësishëm i sistemit elektoral Islami
Nga Eduard Zaloshnja dhe Arsen Zlaticanin
Sistemi aktual elektoral u propozua në vitin 2008 nga PS-ja dhe u pranua nga PD-ja. Kastriot Islami, Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, ishte ideatori, dizenjuesi dhe mbrojtësi i këtij sistemi në negociatat me PD-në. Por Islamit, si i diplomuar në shkencat ekzakte, i ka shpëtuar një defekt i rëndësishëm i këtij sistemi, i cili është analizuar në një punim shkencor dërguar disa revistave ndërkombëtare. Më poshtë po u japim lexuesve një përmbledhje të thjeshtuar të atij studimi.
Opozita shqiptare pretendon se, po të hapeshin kutitë e votimit të vitit 2009, do të lexohej një histori e ndryshme nga ajo që tregojnë rezultatet zyrtare të KQZ-së. Por le të supozojmë për një çast se këto histori janë të njëjta. Pra, që rezultatet zyrtare të zgjedhjeve të 2009-ës përputhen me ato reale.
Shpërndarja e mandateve bazuar në rezultatet zyrtare të qarqeve prodhuan lëvizje nga proporcionali i pastër kombëtar, si dhe mjaft vota të tepërta që nuk ndikonin fare në shpërndarjen e mandateve. Kjo erdhi si rezultat i moskoordinimit të nenit 64 të Kushtetutës (i cili përcakton numrin e deputetëve – 140) me nenet 75, 162 dhe 163 të Kodit Zgjedhor (të cilat përcaktojnë formulat matematike që konvertojnë numrin e popullsisë sipas qarqeve dhe vullnetin e zgjedhësve në numër të mandateve të fituara nga secili subjekt politik në garë).
Formulat matematike të proporcionalit janë studiuar nga matematikanë të ndryshëm, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përmendim këtu shkencëtarët që kanë dhënë kontribut të veçantë në trajtimin matematik të këtyre formulave, si Edward Huntington në gjysmën e parë të shekullit XX dhe Michael Balinski e Peyton Young në gjysmën e dytë të tij.
Ka dy lloje të formulave të proporcionalit. Lloji i parë, ai i mbetjeve të mëdha, është më i thjeshtë dhe më i kapshëm logjikisht, por që prodhon paradokse në mënyrën e funksionimit të tij. Lloji i dytë, ai i divizorëve, nuk prodhon paradokse, por ka disa defekte përsa i takon shpërndarjes proporcionale.
Në rastin e Shqipërisë, bëhet fjalë për kombinim të një formulë të llojit të parë (Hamilton) dhe dy formulave të llojit të dytë (D’Hont dhe Saint-Lague) . Çdo formulë, e marrë më vete, prodhon shmangie të vogla nga proporcionali i pastër. Ndërsa kur kombinohen së bashku, shmangiet janë edhe më të mëdha dhe kaotike.
Kështu, sipas shpërndarjes së pastër të votave në rang kombëtar, koalicionit të udhëhequr nga Berisha do t’i takonin 67 mandate kuvendore, e jo 70 që përfitoi sipas formulave të fiksuara në Kodin Zgjedhor. Në mënyrë të ngjashme, koalicionit të udhëhequr nga Rama do t’i takonin 65 mandate, e jo 66.
Numrat e mësipërm ilustrojnë magnitudën e shmangieve mes numrave zyrtarë të mandateve dhe atyre bazuar në proporcionalin e pastër. Ndërsa numrat në vijim ilustrojnë se sa kaotike mund të jenë shmangiet, në qoftë se në nenin 64 të Kushtetutës përcaktohen numra të tjerë mandatesh.
Në qoftë se neni 64 i Kushtetutës do të parashikonte 127 deputetë në Kuvend, rezultatet zyrtare do të nxirrnin fitues koalicionin Rama me 2 mandate më tepër se koalicioni Berisha. Në qoftë se do të ishin 133 deputetë, koalicioni Rama do të kishte avantazh me 1 mandat; në qoftë se do të ishin 143 deputetë, do të kishim një avantazh të koalicionit Berisha me 1 mandat. Përmbledhtazi, mund të themi se, në intervalin 125-155 mandate, koalicioni Rama do ta kishte avantazhin më të madh te numri 127 i mandateve (2 më shumë se koalicioni Berisha), ndërsa numri 140 mandate ishte niveli që prodhonte maksimumin e mandateve për koalicionin Berisha (siç rezultoi me 4 mandate avantazh)
Përsa i takon partive politike (jo koalicioneve), në rastin me 127 deputetë, Partia Socialiste do të kishte 62 mandate, ndërsa Partia Demokratike 59 mandate. Me 133 deputetë, rezultati do të ishte prapë në favor të Partisë Socialiste 64-62. Tek numri 140, Partia Demokratike maksimizon fitoren 68-65, ndërsa për numra më të mëdhenj se 140, rezultati është më i balancuar, duke i dhënë fitoren herë njërës e herë tjetrës parti me nga një deputet avantazh ose duke u barazuar.
Këto shifra tregojnë qartazi se neni 64 i Kushtetutës mund të shndërrohet në një ruletë elektorale. Thënë ndryshe, ato tregojnë se, për një vullnet të caktuar elektoral të sovranit, materializuar në kutitë e votimit, përcaktues i fituesit të zgjedhjeve mund të bëhet thjesht numri i mandateve në garë. Ose thënë me një gjuhë më juridike, përcaktues për fitoren mund të bëhet koordinimi ose moskoordinimi mes nenit 64 të Kushtetutës dhe neneve 75, 162 dhe 163 të Kodit Zgjedhor.
Meqenëse synim i këtij shkrimi nuk është propozimi i ndryshimeve të sistemit elektoral, po mjaftohemi vetëm me paraqitjen e defektit të mësipërm të sistemit “Islami”. Me ndreqjen e tij le të merren politikanët…
(Botuar ne www.respublica.al)