Kongresi i Manastirit: një alfabet, një gjuhë, një komb
Kongresi i Manastirit është, pa dyshim, një monument në historinë e popullit shqiptar, të cilit i janë referuar dhe do ti referohen shqiptarët sa herë është e nevojshme për tiu qasur e për të analizuar çështje madhore që kanë vendosur fatin e tyre, siç janë ato që kanë të bëjnë me pavarësinë e me njësimin politik kombëtar të gjuhës dhe të shkrimit shqip.
Lidhur me këtë ngjarje madhore është folur shumë ndër studiues si gjuhëtarë, historianë, didaktë etj. Të shumta janë edhe burimet arkivore, si: Arkivi i Shtetit në Tiranë si dhe arkivat e disa vendeve me të cilat ishte lidhur fati i mëtejmë i vendit tonë apo në të cilat vepronin klube a shoqata intelektualësh shqiptarë.
Synimi i këtij shkrimi është të vërë në dukje se në Kongresin e Manastirit, çështja e njësimit të alfabetit dhe gjuhës nuk ishte qëllim në vetvete. Siç do të shihet më tej, me ndonjë përjashtim, kjo çështje ishte e lidhur ngushtë me kërkesën e njësimit kombëtar dhe të autonomisë. Pra, ajo (kërkesa) u bë program i një lëvizjeje kombëtare e lidhur me procesin e formimit të ndërgjegjes kombëtare dhe të unitetit kombëtar. I përmbahemi mendimit se uniteti i alfabetit, uniteti i gjuhës dhe uniteti i kulturës ishin kërkesa që buronin dhe do të viheshin në shërbim të unitetit të kombit. Vetëm kjo ide mund të mblidhte bashkë në Kongresin e Manastirit një përfaqësim kaq të larmishëm dhe të gjithanshëm.
Në funksion të kësaj ideje vlen të përmenden katër çështje:
Së pari, Romantizmi Eiropian pati një ndikim të drejtpërdrejtë në disa shkolla gjuhësore të shekullit XIX. Veçojmë në këtë rast konceptin e Humboldt-it mbi gjuhën si shprehëse e shpirtit të popullit, a konceptin e Whithney-it mbi funksionin shoqëror të gjuhës, ku do të mbështetej edhe Meillet-ja dhe, më pas, Shkolla sociologjike frënge. Idetë e iluminizmit dhe të romantizmit do të frymëzonin mjaft prej rilindësve tanë. Në të njëjtin këndvështrim vendoset E. Sapir-i, kur thotë se kontributi i gjuhës në përgjithësi në përcaktimin, shprehjen dhe përcjelljen e kulturës është i pakundërshtueshëm. Së bashku me antropologun B. L. Worf ata do të bëhen autorët e teorisë së relativizmit linguistik, sipas së cilës, gjuha luan një rol kryesor në mënyrën tonë të të parit të botës. Pra, vendosja e një alfabeti të njësuar, e një gjuhe të njësuar, e një kulture të njësuar, e një shkolle të njësuar ishte kusht për një ndërgjegje të njësuar, me një pikësynim që të konvergonte drejt çlirimit kombëtar dhe pavarësisë së vendit.
Së dyti, Lidhja e Prizrenit dhe më pas gjallërimi i lëvizjes patriotike për çlirimin kombëtar, shënoi një hap të rëndësishëm kundër politikës asimiluese dhe shkombëtarizuese të xhonturqve, nga njëra anë, Patriarkanës greke të Stambollit dhe synimeve të shteteve fqinje për copëzimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, e bashkë me të edhe të gjuhës e të kulturës së tyre, nga ana tjetër. Politika asimiluese shprehej qartë edhe në politikën e tyre arsimore, në përdorimin e alfabeteve dhe gjuhëve të tjera si arabishtja, turqishtja, greqishtja e italishtja. Çështja e alfabetit dhe e gjuhës u bënë pjesë e programit të lëvizjes kombëtare. Përpjekjet për shkrimin e shqipes me një alfabet dhe mësimin e gjuhës në shkolla shqipe me një alfabet të njësuar kushtëzoheshin nga dy faktorë: njëri konservativ, që lidhej me rezistencën ndaj asimilimit, tjetri dinamik, për ti përdorur këto mjete për formësimin e kombit dhe të unitetit kombëtar.
Së treti, alfabeti i autorëve të vjetër. Është provuar tashmë se ekzistonte një traditë shkrimi qysh para shekullit XVI e ndoshta edhe një gjuhë e përbashkët, të paktën në shkrimet e përdorimit praktik. Një normë shkrimi e gjejmë edhe te Matrënga (1592), ku studiuesit përjashtojnë të ketë pasur ndikim prej Buzukut. Siç dihet, kjo traditë shkrimi vazhdoi të ndiqej tek autorët e tjerë veriorë, si Budi, Bardhi e Bogdani. Në shekullin XVIII shkrimi u përhap edhe në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut (Elbasan, Voskopojë, Berat), ku dominojnë alfabete të gjuhës arabe e greke për shkrimin e shqipes. Pra, deri në shekullin XIX mund të thuhet se gjuha jonë shkruhej me alfabetin latin prej shkrimtarëve veriorë dhe arbëreshëve, duke mos arritur të shkruhej edhe në pjesën tjetër të territorit e duke pasur kështu një përdorim të kufizuar.
Së katërti, gjuha shqipe shkruhej asokohe me alfabetin latin, grek e arabo-turk. Përveç alfabetit të shkrimtarëve të vjetër të Veriut, i cili përdorej kryesisht nga priftërinjtë katolikë në veprat dhe shërbesat fetare, në shekullin XIX përdoreshin tri alfabete. Bejtexhinjtë si Muhamet Çami, Dalip e Shahin Frashëri, si dhe bejtexhinjtë e shekullit XVIII, disa shoqata myslimane të Stambollit, sillnin një traditë shkrimore në alfabetin arab. Th. Mitko, K. Kristoforidhi, J. Vreto etj., përdorën kryesisht alfabetin grek. Alfabeti latin i pastër a i përzier do të ishte edhe më i përdoruri. Siç do të shihet në vijim, një vend të rëndësishëm zënë në këtë drejtim tri alfabetet latine: ai i Stambollit, i shoqërisë Bashkimi, si dhe ai i shoqërisë Agimi. Kishte edhe prirje të tjera, siç është ajo e Hasan Tahsinit, sikundër më parë dhe N. Veqilharxhi, për krijimin e një alfabeti origjinal.
Kongresi i Manastirit u mbajt nga 14-22 nëntor 1908, me nismën e klubit Bashkimi të Manastirit. Është e rëndësishme të theksohet se vetë fakti i një pjesëmarrjeje nga të gjitha anët (26 qytete dhe shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë vendit, 52 delegatë, nga të cilët 32 me të drejtë vote dhe 18 pa të drejtë vote) dhe mjaft heterogjene, dëshmonte njëherazi se çështja e unifikimit të alfabetit, e njësimit të gjuhës dhe kombit ishte një shqetësim dhe një dëshirë e thuajse të gjitha qarqeve. Ideja e bashkimit ngrihej mbi veçoritë dhe përplasjet që kishin klubet mes tyre.
Diskutimet u përqendruan rreth alfabetit të Stambollit, alfabetit të shoqërisë Bashkimi dhe atij të shoqërisë Agimi. Hil Mosi, delegat i shoqërisë Gegëni, propozoi të krijohej një alfabet i ri, i cili të bashkonte të tria alfabetet. I këtij mendimi ishte edhe Luigj Gurakuqi me mendimin që të mos i thyhej zemra askujt. Komisioni i ngritur ad hoc diskutoi lidhur me tri çështje: a) a do të merrej njëri prej tri alfabeteve; b) a do të kishte një kombinim të tri alfabeteve për të nxjerrë një alfabet përfaqësues; c) a do të liheshin mënjanë të tria alfabetet dhe do të dilej me një alfabet të ri. Debati u përqendrua rreth faktit për gjetjen e shkronjave latine që tu përshtateshin tingujve të shqipes. Alfabeti i Stambollit dhe ai Agimi mbështeteshin në parimin një tingull, një shkronjë, duke i plotësuar tingujt e tjerë, që nuk kishin gjegjëset e tyre në alfabetin latin, me shenja diakritike. Alfabeti i Bashkimit përdorte tashmë dyshkronjëshin për të shprehur tingujt që nuk gjendeshin në alfabetin thjesht latin. Në përfundim, siç del nga raporti i Gjergj Qiriazit, u zgjodhën dy alfabete: ai i Stambollit i ndryshuar dhe një alfabet thjesht latin, që afronte me atë të shoqërisë Bashkimi. Në fakt, Komisioni bëri përpjekje ti afrojë dy alfabetet e pranuara deri në 27 shkronja të përbashkëta, duke ndryshuar edhe alfabetin e Stambollit, edhe atë latin të thjeshtë. Një rol të rëndësishëm luajti edhe De Rada për shkronjën ë, por edhe gj-në e nj-në që u përdor përkohësisht.
Ky parashtrim na jep mundësinë për të nxjerrë disa përfundime:
Eliminimi nga diskutimi i alfabeteve arabo-turk e grek dhe zgjedhja e alfabeteve me bazë latinishten dëshmon për përhapjen më të madhe të këtij të fundit. Kjo zgjedhje ishte pa dyshim më pak një vazhdim tradite të autorëve të vjetër, sesa një shprehje vullneti për të qëndruar larg alfabeteve me të cilat lidheshin vendet që synonin të na asimilonin a të na copëzonin. Një alfabet larg fqinjësisë territoriale e larg alfabetit të pushtuesit ishte një garanci më shumë për një auton
