E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autobusi si mësymje drejt pushtetit për llogari të Koços dhe miqve të tjerë të Edi Ramës

15-05-2013 / Nga Rexhep Kastrati

Neve që në Tiranë, Durrës apo edhe në ndonjë qytet tjetër vijmë me autobus dhe që kemi kohë të mjaftueshme edhe për të bërë llaf, edhe për të treguar qyfyre, autobusi i Edi Ramës po na bën konkurrencë, sepse edhe ai po i jep kohë të mjaftueshme atij që jo vetëm të bëjë llaf, por edhe të tregojë qyfyre. Por derisa ne që vijmë në Tiranë dhe në qytete të tjera me autobus llafet dhe qyfyret i kemi për të kaluar kohën dhe për ta bërë rrugëtimin më të këndshëm, ky Edi Rama po tregon qyfyre për të mashtruar njerëzit, me qëllim që atë autobus dhe makinat e tjera që e pasojnë, t’i fusë në institucione shtetërore, për t’i zhvatur ato për llogari të atyre që ia kanë blerë autobusin. Për të mos qenë paragjykues, duhet të them se këtë përshtypje ma ka krijuar vetë Edi Rama që kishte zgjedhur sediljen e këtij autobusi për të thënë se biznesmenët që po kandidojnë për kuvendarë për Partinë Socialiste nuk janë bërë biznesmenë falë partisë, dhe se me t’u zgjedhur kuvendarë, do të heqin dorë nga bizneset e tyre dhe do të mbeten vetëm politikanë. Edhe pse do të doja shumë që të ishte kështu siç thotë Edi Rama, dhe besimin tim t’ia përcillja edhe qytetarëve të tjerë, prapë se prapë janë disa çështje të cilat më bëjnë që jo vetëm të mos e besoj fare gjithë këtë që tha Edi Rama, por edhe ta konsideroj qyfyrin e radhës me qëllim mashtrimin e zgjedhësve, sidomos atyre të majtë. Pse këto që thotë Edi Rama për miqtë e tij biznesmenë i konsideroj qyfyre? Edhe pse e di që ky shkrim nuk është një autobus që të jep kohën dhe hapësirën e paanë për të shkruar sa të duash, megjithatë, meqë bëhet fjalë për deklarata të kryetarit të opozitës dhe mëtonjësit të pushtetit, nuk mund të mos i shtroj disa arsye thelbësore që duhet t’i kenë në dispozicion të gjithë ata që do ta lexojnë këtë shkrim. Këto arsye lidhen edhe me aspektet e praktikës qeverisëse të Edi Ramës në bashkinë e Tiranës, e edhe me aspektet e përgjithshme ideologjike dhe programore të së majtës në përgjithësi, dhe të së majtës shqiptare në veçanti.
Për praktikën qeverisëse të Edi Ramës me bashkinë e Tiranës, tiranasit, kanë mjaftueshëm informacione, pasi që kanë pasur të bëjnë gjatë jetës së tyre të përdishme, gjatë realizimit të projekteve të ndryshme nga biznesmenë të ndryshëm me firmën e bashkisë së Tiranës, si dhe me bizneset, sidomos industrinë ndërtimore të Tiranës. Dhe kjo praktikë ka të bëjë me tendere të paracaktuara dhe klienteliste, të cilat biznesmenëve të PS-së u ka dhënë mundësi të mëdha përfitimi në dëm të cilësisë, të konkurrueshmërisë dhe të ligjshmërisë së veprimeve të tyre. Unë që kam mbetur institucionalist fanatik dhe që u beson dokumenteve zyrtare dhe të tjera, si dhe realitetit në terren, nuk kam mundur të mos u besoj gjithë atyre dokumenteve që janë publikuar për keqpërdorimet në bashkinë e Tiranës gjatë kohës kur ishte Edi Rama në krye të saj, e të cilat janë bërë publike edhe kur ai ishte ende në kolltukun e të parit të bashkisë, e edhe më pastaj. Nga gjithë ato dokumente, del se Edi Rama pushtetin e do për vete e për miqtë e tij dhe se këtë pushtet në bashkinë e Tiranës e ka shfrytëzuar maksimalisht për t’ua shtuar pasurinë miqve të tij, por edhe vetë atij, pasi që sa herë që vija në Tiranë, qytetarët e Tiranës më tregonin me gisht për pallatet e Edi Ramës, edhe pse ai nuk kishte asnjë firmë biznesi të regjistruar zyrtarisht. Me fjalë të tjera, praktika qeverisëse e Edi Ramës me bashkinë e Tiranës, jo vetëm që e përgënjështron atë lidhur me biznesmenë që kanë bërë pasuri pa pasur mbështetjen e partisë, por edhe e bën atë shakaxhiun dhe cinikun më të madh.
Në anën tjetër, më mosbesues ndaj deklaratave të Edi Ramës për biznesmenë engjëj se me të ardhur në pushtet do të heqin dorë nga bizneset e tyre dhe do t’i përkushtohen mirëqeverisjes dhe politikës, më bën aspekti ideologjik i së majtës në përgjithësi, dhe i së majtës shqiptare në veçanti. Në këtë aspekt duhet thënë se ideologjia e së majtës është ideologji që angazhohet për centralizim dhe kontroll të rreptë të pushtetit dhe të bizneseve, duke u angazhuar për një burokraci dhe për procedura tepër të vështira dhe rrënuese për bizneset. Në praktikën qeverisëse të së majtës shqiptare është e njohur ndërlikuehsmëria dhe vështirësia procedurale për të hapur dhe për të afaruar me firma biznesi. Në anën tjetër, ideologjia e majtë në përgjithësi është ideologji që ngarkon biznesin me taksa të larta dhe me ngarkesa të tjera të natyrës fiskale dhe të tjera. Kjo praktikë është ndjekur nga shtete të ndryshme që janë udhëhequr tradicionalisht me qeveri të majta, dhe që e polli krizën globale finanaciare, pasi që biznese të ndryshme i nxiti në informalitet dhe në borxhe të mëdha bankare. Në anën tjetër, në Tiranë ndodh e kundërta: edhe pse PS ka deklaruar taksën progresive që nga biznesi është gjykuar si e dëmshme, sepse i ngarkon tepër shumë me taksa dhe tatime, megjithatë është bërë streha e biznesmenëve të mëdhenj që do të duhej të parët të ishin kundër taksës progresive. Në kuptimin ideologjik, është paradoksale që PS si partia më e madhe e majtë, e për më tepër trashëgimtare e Partisë së Punës të ketë kaq shumë biznesmenë brenda vetes, përfshirë edhe në listën e saj të kandidatëve për kuvendarë. Vallë si është e mundur që një biznesmen i madh siç është Koço Kokëdhima, që nuk paska përfituar nga lidhjet me Edi Ramën dhe me PS-në, siç thotë Edi Rama, të jetë dakord për taksën progresive që do ta rëndonte tepër shumë biznesin e tij? Në këtë rast do të kishte një përgjigje hipotetike: ose nuk do paguajë fare taksa, e së këndejmi nuk e prek fare biznesin e tij, ose Edi Rama e ka rrenë taksën progresive, por mendon që ta vjedhë praktikën e qeverisë Berisha për taksa të ulëta. Për momentin, të dyja variantet janë të besueshme, sepse tashmë janë bërë publike të dhënat se Koço Kokëdhima nuk i ka paguar taksat dhe tatimet ndaj bashkisë së Tiranës, si dhe në anën tjetër është Ilir Meta, i cili po flet gjithnjë e më shpesh për taksa të ulëta dhe për lirim nga taksat të bizneseve të ndryshme. Me fjalë të tjera, e majta shqiptare çështjen e taksës progresive ose e ka vetëm për ato biznese që janë rivale të bizneseve të Koços dhe të miqve të tjerë të Edi Ramës, e jo edhe për bizneset në përgjithësi, ose krejt këtë muhabet e ka sa për të mashtruar njerëzit, ndoshta edhe për të humbur kohën gjatë rrugëtimeve me autobus, por në të vërtetë do të vjedhë praktikën e taksave të ulëta të qeverisë Berisha.
Në të dyja rastet, Edi Rama dhe Ilir Meta janë ata që më bëjnë të besoj se Berisha ka të drejtë në zbërthimin që po ia bën mendësisë dhe strategjisë së tyre për modelin e tyre të qeverisjes, dhe janë po këta që më bëjnë të besoj se modeli i qeverisjes së Berishës është më i miri dhe më i dobishmi për ata që zgjedhin dhe për tërë shqiptarët.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›