E Shtunë, 31 Tetor 2026

Del për të peshkuar, vritet me plumb në zemër 50-vjeçari

ELBASAN/ Dylaver Peqini mësohet se është ekzekutuar tri ditë më parë, ndërkohë që ende nuk ka asnjë pistë


ELBASAN - Ka dalë për të peshkuar, por një plumb i marrë pranë zemrës e ka lënë të vdekur, ndërkohë që trupi i tij kërkohej prej disa ditësh. Dylaver Peqini ishte zhdukur tri ditë më parë, ndërkohë që u gjet në ujërat e lumit Shkumbin, në afërsi të fshatit Byshek të rrethit të Elbasanit. 50-vjeçari ishte banor i lagjes "Beqir Dardha" dhe fillimisht, me nxjerrjen e tij nga uji u dyshua se ishte mbytur.


Por vetëm pas bërjes së autopsisë, mjeku ligjor zbuloi se ai pranë zemrës kishte edhe një plumb, i cili kishte mbetur në brendësi të trupit. Si rrjedhojë, kanë nisur edhe hetimet për vrasje, ndërsa ende nuk ka një pistë e nuk dihen autorët.
Nga ana e policisë bëhet e ditur se kërkimet për Dylaver Peqinin nisën dy ditë më parë pas denoncimit të bërë nga familjarët.


Të martën ata shkuan në polici dhe deklaruan se kryefamiljari ishte larguar që të hënën nga shtëpia, por nuk ishte kthyer më. Në dëshminë e dhënë para policisë, djali i viktimës ka deklaruar se ai kishte dalë për të peshkuar, duke treguar edhe vendin ku peshkonte zakonisht.


Por vonesa e madhe ka bërë që ata të shqetësohen dhe si rrjedhojë të denoncojnë humbjen dhe të nisin kërkimet. Pas 24 orësh, vetëm dje në mesditë është gjetur trupi i pajetë në anë të lumit Shkumbin rreth 1 km larg Urës së Shkumbinit.


Fillimisht u deklarua se 50-vjeçari ishte mbytur, por gjatë ekspertizës është zbuluar se ai kishte një plagë afër zemrës dhe pas verifikimit të mjekut ligjor plaga ishte shkaktuar nga një plumb.
Menjëherë policia nisi hetimet për të zbardhur rrethanat e kësaj vrasjeje. Janë shoqëruar disa persona që mund të japin të dhëna mbi rrethanat e krimit.


Njëri prej tyre është edhe një shok që e kishte shoqëruar Dylaverin ditën që ai kishte shkuar për peshk. Nga të dhënat e mësuara mbi deklarimet e tij, ai ka thënë se e ka shoqëruar deri afër lumit, por më pas është kthyer. Aktualisht nuk ka asnjë dëshmitar për ngjarjen e ndodhur. Për hetuesit është bërë e vështirë për shkak se nuk ka një armë krimi.


Pasi të verifikohet lloji i armës së përdorur, do të dilet edhe në një version të qartë mbi një pistë që mund të sjellë zbardhjen e të vërtetës. Nga deklarimet e të afërmve, viktima nuk kishte hasmëri dhe nuk kishte konflikte të mprehta që mund të sillnin deri në krimin e vrasjes.


Një ndër pistat e pretenduara nga policia është një lojë qitjeje nga persona të paidentifikuar që kanë menduar të provojnë armën përgjatë lumit, pa e ditur se kishte njerëz. Gjithsesi, kjo mbetet një pistë që ka shumë pikëpyetje për faktin se ai është qëlluar pranë zemrës dhe për më tepër ndodhej në një ambient të hapur e vështirë të mos vihej re.


Policia po grumbullon informacione edhe për gjejten e ndonjë dëshmitari të mundshëm që mund të zbardhë rrethanat e krimit. 50-vjeçari Peqini nuk kishte precendentë penalë, ndërkohë që fakti që ai është një kushëri i largët i Eduart Peqinit (i ashtuquajturi Mandela) nuk është marrë parasysh.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›