Meta: KQZ-ja duhet të punojë me efektivitet maksimal, nuk ka kohë për të humbur

Kreu i LSI-së, Ilir Meta zhvillon një takim me strukturat partiake në Shkodër
“Për Lëvizjen Socialiste për Integrim është e rëndësishme përmbushja e angazhimeve në kuadër të marrëveshjes qeverisëse, ndërkohë që do të bëjmë gjithçka për të përshpejtuar proceset e integrimit europian të vendit”, deklaroi të dielën, nga Shkodra, Kryetari i LSI-së, Ilir Meta.
Pas një takimi pune me strukturat drejtuese të LSI-së në Shkodër, Meta iu përgjigj interesimit të medias mbi çështje të ndryshme të aktualitetit.
Interesit në lidhje me koalicionet e mundshme elektorale për zgjedhjet e ardhshme, Meta iu përgjigj duke thënë se është tepër herët për të folur për strategjitë dhe taktikat elektorale.
“Për ne si LSI është e rëndësishme të përmbushim angazhimet tona në kuadër të marrëveshjes qeverisëse, të bëjmë gjithçka për të përshpejtuar proceset e integrimit europian të vendit dhe në drejtim të koalicioneve të ardhshme, ne kemi bërë të qartë se në kohën e duhur do të jetë forumi më i lartë i LSI-së, Konventa Kombëtare, e cila do të duhet të marrë një vendim”, theksoi ai.
“KQZ-ja duhet të punojë me efektivitet maksimal, sepse nuk ka kohë për të humbur për të plotësuar të gjitha standardet e duhura për realizimin e zgjedhjeve, në mënyrën më korrekte dhe shembullore në 13 qershor 2013. Ndaj, dhe ne kemi apeluar për tu zhbllokuar situata e fundit në KQZ, dhe të gjithë duhet të punojmë me një frymë bashkëpunimi dhe konsensusi për këtë qëllim”, u shpreh Meta.
I pyetur mbi kërkesën e PD-së për ndarjen e mandateve, dhe konkretisht për atë të një mandati më tepër në Kukës, kreu i LSI-së tha se, qëndrimi ynë ka qenë i qartë.
“Në radhë të parë, ne kemi qenë dhe do të jemi gjithmonë në Parlament për ngritjen e çdo lloj komisioni hetimor, sepse jemi në parim për zhvillimin në maksimum të transparencës kudo. Ndërsa, për rastin konkret, ne kemi shprehur rezervat tona për pakësimin e një mandati në Berat”, pohoi ai.
Ndërsa, për sa i përket refuzimit të statusit kandidat, Meta u shpreh se, “LSI ka demonstruar një vullnet të plotë politik dhe iniciativa konkrete për ç’tensionimin e situatës politike, për promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit politik. LSI ka apeluar prej gati dy vitesh për realizimin e një pakti kombëtar për integrimin, dhe natyrisht që qytetarët shqiptarë do të vlerësojnë kontributet, por njëkohësisht edhe përgjegjësitë e gjithsecilit për këtë stanjacion në të cilin ndodhemi në raport me statusin e vendit kandidat”, vijoi Meta.
Lidhur me proceset e fundit të privatizimeve, Meta theksoi se, “transparenca duhet të jetë e garantuar në maksimum. Besoj se kjo ka qenë mjaft e dukshme në të gjitha këto procese, sepse transparenca është një detyrim ndaj të gjithë qytetarëve dhe taksapaguesve shqiptarë”, theksoi ai