E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një dokumentar gjerman për resurset e natyrës shqiptare

Televizioni ZDF, i dyti për nga rëndësia në Gjermani, i ka kushtuar një film dokumentar resurseve të veçanta që ofron natyra në Shqipëri dhe problematikës për ruajtjen e mjedisit dhe kërkimin shkencor. Filmi dokumentar "Natyra Shqiptare", i realizuar nga dy kineastë gjermanë, është transmetuar ditët e fundit në ekranin e televizionit ZDF, duke u bërë jehonë peisazheve më të bukura të natyrës shqiptare, nga delta e Bunës, Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanice e deri tek parku Kombëtar i Prespës.Me regji të Michael Wiedemann dhe skenar të Volker Angres, Drejtor i ZDF, dokumentari "Natyra shqiptare" është mbështetur nga Shoqata për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA).
Ekosistemi natyror i Bunës, një nga më të veçantët në Shqipëri
Ekosistemi natyror i Lumit Buna në Shkodër vlerësohet si një nga më të veçantët në Shqipëri, por edhe në mbarë rajonin dhe dallohet për pasurinë e florës dhe faunës, llojet e gjallesave dhe si një nga tre rrugët kryesore të migrimit të shpendëve në Evropë.
Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë
Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë është një nga 14 parqet kombëtare të Shqipërisë, me një sipërfaqe prej 33 927 ha që shtrihet në 6 komuna të rrethit të Librazhdit. Zona natyrore pyjore Shebenik- Jabllanicë u shpall Park Kombëtar në shtator të vitit 2008, me një vendim të veçantë të Keshillit të Ministrave. Kjo zonë shquhet për vlera të larta biologjike, për habitatet dhe peisazhet e larmishme, për vlera të larta historike, kulturore e turistike.
Parku Kombëtar i Prespës
Rajoni i Prespës shrihet në kufirin midis Greqisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë. Parku Kombëtar Prespa u formua në Shqipëri në vitin 1999 me synim rehabilitimin dhe ruajtjen e qëndrueshme e ekosistemeve ujore dhe tokësore të rajonit të Liqeneve Prespa e Madhe dhe Prespa e Vogël.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›