E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doçi: Pastrimi i parave, 26 individë për ndjekje penale

01/04/2009  Shifrat janë 10-fish më të larta se në 2007-n

Të dyshuar për pastrim parash, 26 individë janë dërguar në Prokurori për ndjekje penale gjatë 2008-s, pasi origjina e parave që kanë deklaruar ka qenë e paargumentuar. Mes këtyre rasteve kanë qenë edhe tre zyrtarë të administratës shtetërore. Duke bërë publike statistikat e punës për 2008-n drejtori i përgjithshëm i Parandalimit të Pastrimit të Parave, Arben Doçi tha se rastet janë 10-fishuar gjatë vitit 2008. “Shifrat janë dhjetëfishuar për 2008 krahasimisht me 2007. Informacioni që ne kemi dërguar për rastet e dyshimta për pastrim parash në Prokurorinë e Përgjithshme janë 26, nga 2 që kanë qenë në 2007. Dhe në Drejtorinë e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të policisë së shtetit që ka edhe një strukturë për pastrimin e parave janë 46 raste, nga 5 në 2007-n. Sigurisht mund të ketë edhe shumë më tepër”, - tha për mediet, Doçi. Gjatë 2008-s, sipas të dhënave të këtij institucioni, janë bllokuar 46 llogari bankare të dyshuara. “Ne bllokojmë vetëm për 3 ditë për 72 orë transaksione ose më saktë i vonojmë ato dhe ia kalojmë Prokurorisë që t’i analizojë më tepër. Në disa raste Prokuroria ka vendosur që t’i sekuestrojë ato. Më pas është gjykata që i çon deri në konfiskimin e plotë të tyre”, - tha Doçi. Kreu i DPPPP-së, Arben Doçi, kërkoi përmirësimin e mbledhjes së informacionit. Ai nënvizoi se gjoba maksimale është 10 milionë lekë dhe ajo mesatare është 720 mijë lekë. Lidhur me objektivat për vitin 2009, Doçi renditi përfundimin e strategjisë afatmesme dhe afatgjatë në fushën e pastrimit të parave dhe krimeve financiare, si dhe rritjen e bashkëpunimit me partnerët e huaj. Sipas tij, studimi i tendencave dhe tipologjive të pastrimit të parave e financimit të terrorizmit do të jetë një tjetër objektiv i punës gjatë këtij viti.

Paraja jashtë bankave

Ajo që mbetet problem ende për sistemin është qarkullimi i parave jashtë bankave. Zëvendësministri i Financave vlerësoi punën e bërë nga ky institucion, por kërkoi angazhim të mëtejshëm të DPPPP-së dhe rritjen e bashkëpunimit me institucionet e tjera. “Ka ende punë për të bërë për uljen e përdorimit të parave "cash" jashtë sistemit bankar dhe përdorimin gjithnjë e më shumë të kanaleve bankare për kryerjen e transaksioneve, jo vetëm nga shoqëritë tregtare private dhe publike, por edhe nga vetë individët”, - tha Florion Mima.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›