Një dramë dashurie në 55 vjetorin e Teatrit të Operas
TIRANE- Dy të rinj nga fise që urrehen dashurohen. Një varr xhelozie paralajmëron gjëmën, por Lucia di Lammemoor nuk heq dorë nga dashuria për të riun Edgardin. Ajo përfundon e çmendur dhe vetvritet nga një dashuri e mohuar, ndërsa ai i përfundon ditët mbi varrin e saj. Libretit të Salvadore Cammaranos i është bashkangjitur muzika e të njohurit Gaetano Donizetti për të sjellë një kryevepër. Është zgjedhur opera "Lucia di Lamermoor" si premierë për të festuar "55 vjet Opera". Do të ngjitet në skenën e TOB-it në datat 1, 2, 4 dhe 5 nëntor si një bashkëpunim me Teatro del Maggio Fiorentino. Regjia i është besuar Nicola Zorzit, ndërsa në interpretim do të jenë solistë shqiptarë dhe të huaj. Oriana Kurteshi, Francesca Micarelli, Gianluca Terranova, Marco Camastra, Cristiano Oliveri vijnë për këtë premierë, ndërsa nga solistët shqiptarë do të interpretojnë Marjana Leka, Ylber Gjini, Vikena Kamenica, Rudi Sata, Armando Lika, Erlind Zeraliu, të shoqëruar nga kori dhe Orkestra Simfonike e TOB dhe studentët e Akademisë së Arteve. Para se në 26 shtator 1835 të vihej në skenë në San Carlo të Napolit Lucia di Lamermoor, 38-vjeçari Gaetano Donizetti kishte kompozuar në 17 vite aktivitet dyzet e tre opera. Por Lucia di Lamermoor edhe sot e kësaj dite bën pjesë në repertorin e zakonshëm teatror. Lucia di Lamermoor, opera e cila u vu në skenë në Napolin e goditur nga kolera dhe në një klimë të ashpërsuar të kulturës së censuruar shënon një etapë themelore për melodramën romantike të 800-ës, mbi të gjitha për lirizmin e jashtëzakonshëm të protagonistes që shpëtimin nga meskiniteti i burrave e gjente në çmendurinë verbuese. Donizetti vdiq në Bergamo në moshen 52 - vjeçare, në gjendje të çmendur dhe pasi kish kompozuar 70 opera. Për një koiçidencë të veçantë, çmendurinë e kish përshkruar në disa nga operat, duke nisur nga protagonistja e Emilia di Liverpool (1824) dhe duke vazhduar me deliret e Murenës në Esule di Roma (1828) për të arritur tek Linda di Chamounix (1842).
(s.g/BalkanWeb)