E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njëzet e nëntë piktorë në gjurmët e Vangjush Mios

 

TIRANE-Korça dhe rrethinat e saj turistike janë kthyer këto ditë në një vatër të pikturës. Njëzet e nëntë artistë të penelit nga Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit, janë mbledhur prej dy ditësh në qytetin juglindor të Korçës. Ata do të pikturojnë nën emrin e një prej artistëve të njohur, Vangjush Mios. Më pas, veprat do të prezantohen nesër në një ekspozitë të përbashkët, në kuadrin e aktivitetit "Ditët e Mios". "Artistët janë mbledhur në Korçë për herë të parë në kuadër të aktivitetit 'Ditët e Mios'", - shprehet drejtori i Qendrës Kulturore të këtij qyteti, Vladimir Topi, ndërsa shpjegon se çdo artist pjesëmarrës do të lërë nga një punim në fondin e galerisë së artit "Guri Madhi". Artistët që vijnë nga Zvicra, Austria, Greqia, Rumania, Kosova dhe Maqedonia, kanë filluar të hedhin penelatat. Disa, subjektin e tyre do ta zgjedhin brenda qytetit, ndërsa të tjerë kanë dalë në rrethina. Ata kanë udhëtuar drejt fshatrave të tillë si Vithkuqi, Drenova, Liqenasi, Voskopoja, etj. Pikërisht në këto vende, vite më parë ka shkelur këmba e Vangjush Mios me kavaletin dhe bojërat në krahë. Aty ka hedhur në telajo vepra të spikatura të peizazhit shqiptar. Në një kohë tjetër dhe në një këndvështrim ndryshe artistik, këto vende do të përjetësohen nga piktorët shqiptarë dhe të huaj. Secili prej tyre do të zgjedhë vetëm një ose dy punime për t'u prezantuar në ekspozitën e titulluar "Ditët e Mios". Në ditën e çeljes së ekspozitës, sipas organizatorëve, do të bëhet e ditur dhe data e konkursit kombëtar të pikturës "Vangjush Mio", që është menduar të zhvillohet në fund të muajit dhjetor të këtij viti. Ndërkaq, fondi i galerisë së artit "Guri Madhi" në Korçë do të pasurohet me pikturat e artistëve figurativë, pjesëmarrës në aktivitetin ndërkombëtar "Ditët e Mios".
Piktori
Vangjush Mio lindi në Korçë më 3 mars të vitit 1891, në një familje të mesme korçare. Në vitin 1906, vëllai i madh i Mios, duke parë talentin e të vëllait vendosi ta marrë në Bukuresht të Rumanisë ku kish emigruar, për ta bërë atë pjesë të jetës aktive të kolonisë shqiptare në këtë vend. Shpallja e pavarësisë e gjeti Mion në Rumani, ndërsa në vitin 1915, regjistrohet në degën e pikturës në Artet e Bukura të Bukureshtit, të cilën e mbaroi në vitin 1919. Në kryeqytetin rumun, ai hapi të parën ekspozitë, ku spikati talenti i tij i jashtëzakonshëm për peizazhin. Ekspozitat e Mios do të vazhdonin më tej, me një tjetër të hapur në Shqipëri, ndërsa me të ardhurat e kësaj ekspozite do të mund të vazhdonte studimet e veta për pikturë në Itali. Përsëri do të regjistrohej në Institutin e Arteve të Bukura në Romë, ku dhe u njoh me kryeveprat e artit klasik italian. Me mbarimin e shkollës në Romë, Mio kthehet përsëri në vendlindjen e tij Korçë, ku do të punonte si mësues vizatimi në Liceun Francez. Asnjëherë nuk rreshti pa u tërhequr nga magjia e artit italian. Ai udhëtoi dhe pikturoi peizazhe të mrekullueshme, të frymëzuara kryesisht nga Venediku, i cili e mahniste atë për bukuritë që i ofronte. Në vitin 1924, Mio kthehet përfundimisht në Shqipëri, tashmë edhe me diplomën e marrë në Romë si piktor dhe restaurator. Gjatë gjithë orëve të ditës, Mio pikturonte, ndërsa nuk ndërpreu për asnjë çast punën e tij si mësues i vizatimit. Pas kësaj filloi seria e hapjes së ekspozitave të Mios, ku ai shpalosi magjinë e artit të tij. Këto ekspozita u hapën në Tiranë dhe në Korçë. Pas çlirimit ai punoi si skenograf në teatrin e Korçës, duke qenë në këtë mënyrë skenografi i parë i këtij teatri me një traditë tepër të hershme. Në vitin 1957, me iniciativën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ai hapi një ekspozitë të madhe vetjake në Tiranë, ku në pikturat e tij trajtonte motive të marra nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, si Berati,Vlora, Gjirokastra etj. Kjo ekspozitë, ku pasqyroheshin krijimet e tij më të mira ishte e fundit, pasi ai ndërroi jetë një muaj pas hapjes së saj, pikërisht më 30 dhjetor të vitit 1957.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›