E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të zbulosh Sadik Kacelin

Prof.Gazmend Leka 

Ndërsa lexoja me vëmendje monografinë e zonjës Eli Xoxa mbi jetën dhe veprën e piktorit Sadik Kaceli, përfytyrova një biblotekë virtuale shqiptare, qoftë edhe shumë të pasur me tituj. Rrëmova në të pasi kisha rrëmuar në shumë të tilla, në Bibliotekën Kombëtare, në bibliotekën e Akademisë së Arteve, në bibliotekën e Galerisë Kombëtare, në bibliotekat e shkollave, universiteteve, për të gjetur monografi mbi artistët shqiptarë dhe u gjenda në trishtim të madh, sepse kishte pak, shumë pak, aq sa nuk mbushin dot një sergjen. Vallë vendi ynë nuk është pjellor me personalitete të spikatura dhe për pasojë nuk ke ç'të shkruash? Apo ka pak respekt për ata që në fund të fundit ishin gurët e themelit në artin shqiptar? Më e drejta është te themi se të shkruash një monografi nuk është aspak e thjeshtë. Prandaj kur e mbarova së kënduari monografinë mbi Kacelin thashë me vehte: "Të lumtë!" Ndoshta nuk është profesionale që oponenti të shprehet kështu emocionalisht por ja që janë të tilla rrethanat që të bëjnë të shprehesh pa rezerva falenderimin për këtë studim mbi një nga personalitetet e historisë së artit figurativ shqiptar. Me ndërgjegje të plotë autorja e kësaj monografie është rreshtuar tek ata shqiptarë që nuk e pranojnë se vendi i tyre është një vend miop e sklerotik, i cili nuk sheh dhe nuk mban mend dhe këtë e shfaq jo me një fjalë por me një vepër të tillë si KACELI… Ajo disa herë në tekst shprehet …"le të kthehemi në tregimin tonë" …Është një shprehje revelatore, sepse vërtet gjithë monografinë e ka shkruar si një rrëfim. Ky nuk është naivitet, por një mënyrë të treguari e dikujt për dikë. Tregon me thjeshtësi duke mos lënë pasdore detaje domethënëse që vinë që nga rrënjët e pemës Kaceli. Çdo gjë për autoren është e rëndësishme, sepse çdo gjë tregon, çdo gjë flet kur bëhet fjalë për një jetë që nuk i përket vetëm individit por dhe të gjithëve. Dhe ne vetë jemi të interesuar që të dimë gjithçka rreth një figure që ishte në mjegull sa nga historia personale aq edhe nga rrethanat që ai jetoi. Një pjesë të madhe të kohës e kemi përshkuar të gjithë bashkë por pak dinim për njëri-tjetrin. Eli Xoxa tenton të bëjë ndërmjetësin. Na afron me Kacelin, e sjell në dritë, na e prezanton me gjithë kompleksitetin e tij, na tregon se ishte një njeri i madh, me ëndrra të mëdha, së ishte i butë, i mençur, i kulturuar, me pasion të thellë, simpatik, me karakter, pa shumë fjalë, nxënës i shkëlqyer, student i shkëlqyer, piktor i shkëlqyer, atdhetar i vërtetë. Kështu, ajo e ka fshirë me delikatesë pluhurin që kish rënë përsipër figurës së tij, na zbulon pak nga pak shkëlqimin e tij dhe ne e pranojmë pa vështirësi se vërtet e tillë figurë ka qenë… Materiali është i bollshëm dhe i rëndë, se ka hijen e një studimi shkencor. Por lexohet me lehtësi. Aty i gjen të gjitha, origjinën, fëmijërinë në Shqipëri, rininë në Paris, pjekurinë përsëri në Shqipëri, mundimin, fyerjen, frikën, mbijetesën dhe rikthimin në Paris. Vepra është e plotë; me foto, kujtime të piktorit, të familjes, të miqve, të kolegëve dhe të kritikës. Dhe e tëra është treguar pa një kërkesë të sforcuar për stil. Aty rrëfehet dhe gjithçka merr pamjen e rrëfimit sepse autorja shkruan me dashuri. Dashuria e të treguarit i ka fshehur kapriçot e stilit dhe ka bërë shume mirë. Sepse kur do të njohësh jetën e dikujt fillimisht duhet të ndjesh dashurinë e të treguarit, që edhe ti të jesh pjestar në atë tregim. Eli Xoxa e ka derdhur me shumicë dashurinë dhe respektin për këtë figurë të madhe. Vepra ka strukturën e një kori ku janë të gjithë zërat, që lidhen me njëri-tjetrin si në një polifoni ku herë del sipër rrëfyesi, herë të thënat e Kacelit dhe herë zërat e të tjereve që shprehen për të. Dhe kjo polifoni ka një sfond të rëndësishëm: materialin fotografik shumë të pasur, qoftë me dokumenta, me foto të jetës dhe më kryesoria me fotot e pikturave që përbëjnë fillin e Arianës në këtë udhëtim aspak të lehtë dhe i jep atmosferën e duhurpër ta ndjekur me kureshtje. Kaceli jetoi në një periudhë shumë të vështirë për artin. Qe bashkëudhëtar edhe i Realizmit Socialist, por nuk i takoi fare atij. Ai i takonte një lloj tjetër Shqipërie, asaj që ishte mbjellë në shpirtin e Rilindasve. Prandaj dukej sikur kish jetuar në një kohë tjetër, në një kohë kur njeriu ishte NJERI dhe jo "njeri i ri"..Pikturon peizazhe dhe portrete të një Shqipërie që po e asfiksonin pak e nga pak... Ndonëse ai ishte takuar me Parisin në një periudhë kur Arti shfaqej si Proteu, kishte ruajtur modelin e parë , atë të një Shqipërie romantike, ashtu siç të gjithë donim ta kishim, por që po përçudnohej ditë me ditë. Ai nuk mori pjesë në përçudnim. U shmang dhe për pasojë ishte lënë mënjanë, gati i harruar. Ishte për spale orkestre, por në marrveshje të fshehtë me shpirtin e vet qëndronte në rradhët e fundit të orkestrës dhe shijonte në vetmi veprën e tij. Dhe kur gjithë orkestra ekzekutonte hymnet e realizmit Socialist shqiptar, kaceli luante vetëm atë shqiptar, hymnin e artit të vërtetë, jo traumatik. Ai nuk ishte konservator por konservonte vlerën që mos të infektohej. Eli Xoxa, duke analizuar veprat e tij, e zbulon me shumë delikatesë këtë vlerë të fshehur...
Autorja ka përzgjedhur shumë piktura dhe midis tyre ato që përbëjnë gurë themeli në historinë e artit shqiptar. I ka përzgjedhur dhe i ka analizuar me thjeshtësi dhe delikatesë, duke na i paraqitur pa prepotence, ashtu siç vihen në dukje gjërat e vyera. Ajo ka depërtuar në to aq sa duhet, sepse e ndjen që ka edhe një analiste tjetër paralele, që është vetë koha. Është e vështirë të pretendosh t'i thuash të gjitha kur je shumë afër në kohë me autorin, sepse vepra e artit ka nevojë dhe për kohën që të maturohet dhe tq bëhet pjesë e ndërgjegjes kolektive kombëtare. Shpesh ajo e vendos krijimin e Kacelit në një sfond artistik për t'u kuptuar edhe më mirë aresyeja e krijimit. Tregon deri në detaje lidhjet me familjen, me miqtë dhe me ambjentet artistike duke ndërtuar kështu një hartë të lëvizjeve shpirtërore ku ëndrrat gjejnë realizim. Vepra e saj është ndërtuar mbi veprën e kacelit. Nuk është e lehte që në çaste të caktuara të jetës të pushosh së vështruari jetën tënde për të njohur jetën e tjetrit. Shpesh kjo krijon simbiozë, bëhet e rrezikshme, të duket sikur nuk mban dot distancë nga personaliteti i zgjedhur dhe e gjen vehten duke folur si ai. Duket sikur jeta jote është pa vlere dhe se e vetmja vlerë është vlera e tjetrit. Është si një ngërç i madh, por kur e kthen në detyrë fisnike, atëherë ngrihesh edhe vetë në një stad më të lartë shpirtëror. Besoj se tek autorja ka ndodhur ky process alkimik. Është ushqyer dhe rritur me personalitetin e Kacelit dhe tshmë dëshiron të na ushqejë edhe ne. Ne… artistët, studentët, nxënësit dhegjithkënd që kërkon të njohë vlerat e kombit tonë... Kur i shkova deri në fund këtij studimi kuptova se nuk e kisha njohur Kacelin dhe se Eli Xoxa ma bëri më të afërt, më të dashur, duke më dhënë mundësi që ta njihja më mirë dhe më thellë veprën e tij. Mbeta i kënaqur që njoha një artist, jeta e të cilit nuk ishte e ndryshme në thelb me jetën e çdo artisti tjetër të vërtetë. Dhe kuptova që nuk jemi asnjëherë vetëm ne ankthin e krijimit e që përvoja e jetuar e dikujt ushqen edhe përvojën tonë... Studimi shoqërohet edhe me disa gjymtyrë të rëndësishme siç është lista e plotë e veprave të Kacelit dhe një bibliografi e pasur që vihet në dispozicion të gjithëkujt që dëshiron të thellohet më shumë. Besoj se kjo vepër do të zërë një vend të rëndësishëm në biblotekën shqiptare dhe do tu vijë në ndihmë sidomos studentëve që pak njohin jetën dhe veprën e Kacelit të madh.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›