E Diel, 1 Nëntor 2026

Një dyshe regresiste që po pengon popullin në aspiratat euro-atlantike

Falangat e E Ramës janë, tanimë, gjithmonë e në rënie dhe manifestimet po e shtojnë vazhdimisht nervozizmin e kryetarit, që po arrin të kuptojë se po bën luftë me të pamundurën, për interesa vetjake. Sa më shumë kalon koha, aq më tepër po ndërgjegjësohen njerëzit se bojkoti i Ramës bie ndesh me interesat e atyre që joshen të mblidhen për të motivuar kryetarllëkun abuziv të personit që nuk e ka hallin te vizat dhe te BE-ja. Veçse pjesa dërmuese e atyre që kërkojnë të shohin çka brenda në kutitë e votimit e i kanë vajtur pas fillimisht, po kujtohen se interesat e tyre nuk përkojnë me ato të Edvinit, që s’do t’ia dijë për kritikat e njëpasnjëshme të institucioneve ndërkombëtare.  Nga ana tjetër koha nuk punon për bojkotin ultimativ dhe për urdhrin e krytarit mandatrënë, i cili e ka tepruar me kundërvënien që i ka bërë faktorit ndërkombëtar, madje duke e sfiduar atë. Sërish KE-ja është shprehur në mënyrë të prerë, më 3 nëntor: Stop bojkoteve! Atij të parlamentit, të manifestimeve të panevojshme, të zgjedhjeve vendore të 15 nëntorit. Sipas shumë njerëzve, të mërzitur me kërkimet e së pamundurës nga Edvini dhe Spartaku, duket se e kanë si moton e këtyre të fundit atë shprehjen: “Byreqet që s’janë për ne, le të digjen në furrë!”. “Deputetët” e PS-së kanë mbetur pa u paguar si të tillë sepse, pa bërë betimin, titullin e kanë nën thonjëza. Lëvizja për Mendimin Ndryshe, për më tepër, është në pritje të rastit që të hyjë në parlament.
Në të vërtetë këto mitingje, që filluan shesheve dhe po përfundojnë sallave, janë bërë tepër monotone. Të njëjtat fjalë, po ato mllefe, sharjet e njëjta. Sa për paret, ka mbledhur boll bashkia, për të blerë mitingashë! Po kërkohen të ngjizen situata si ato të 12 viteve më parë dhe e gjithë  kjo potere nuk bëhet me mendësi platonike, se hapja e kutive nuk nënkupton ndërrim mandatesh, por synon – siç thonë disa përkrahës të E.R-s, që zgjedhjet e ardhshme të jenë një mësim që numërimi të bëhet sipas standardeve. Është një hipokrizi si shtiza në thes.  Këtij thesi ia ka hapur grykën Spartak Ngjela, me atë grandomaninë e tij se ai do ta sjellë Mesinë e tij në Zenit brenda pak ditëve! (Lexo: do të rrëzojë qeverinë!). Votëhumburi dhe i pavotuari po bëjnë një çift grotesk në këtë fushatë të dëshpëruar, që po ia sjell në majë të hundës të gjithë demokracisë euroatlantike. Sa për ato retë e zeza që po iu duken se po afrohen nga të katër anët e horizontit, e që  po u kujtojnë ’97-n, për këto halucinacione që nuk janë veçse përçartje anakronike, le të kujtojnë urtinë e popullit, që thotë “harro, mushkë, Valarenë” !
Por ajo mynxyrë  e atij viti  që na rrënoi, nuk duhet harruar! Paçka se parulla “duam paratë tona” po zëvendësohet, - e pompuar nga çifti që përmendëm, - me “duam votat tona”! Sh. Elmazi i LMN-së, ua tha troç, në një intervistë: Deshët ta bënit vetë kodin zgjedhor? Ua lanë. Deshët të kishit komisionerë në numrin e dëshiruar? Ashtu e bëtë. KQZ-ja a u bë me miratimin tuaj? Tani ç’kërkoni? Tani, pasi ushqyen iluzionet se do të dilnin fitimtarë, në fillim thanë se zgjedhjet janë të paqortueshme. Por kur u dha përfundimi nga KQZ-ja, shpërthyen bubullimat! KQZ-ja nuk mund të kontrollojë kutitë e pakontestuara nga komisionarët, me një morí të pambaruar socialistësh. Tani, kërcënojnë me burg komisionerët e tyre, ata më të zellshmit dhe më të besuarit që caktuan vetë!
Parashikimet e Kasandrës nga S. Ngjela dhe qëndrimi i tij anarkist dhe me nxitjet për  kaos , si në preludin e 1997-s, e komprometojnë rëndë emrin e partisë së tij super vocërrake “Për ligj e për drejtësi” (Ligj për të marrë pushtetin në tryezë. Drejtësi si ajo e ’97-s!). Se nuk ka ligj demokratik që të lejojë marrjen e pushtetit me dhunë, ashtu siç po orvatet të bëjë Ngjela. Flet edhe si antikomunist, duke e quajtur kryetarin PD-së, si “sekretar i Komitetit të Partisë”. Meqë këtë e ka përsëritur, po i themi se thënia e tij nuk është veçse një mashtrim. Sekretari i Komitetit të Partisë ka qenë, po,  aleati i birit krenar për babanë, Sulejman Bushatin. Doktori ka qenë në organizatën e partisë të institucionit shëndetësor. Ai që e di më mirë se Ngjela këtë, është z. Sabit Brojka, që ka shkruar, e zezë mbi të bardhë, se ishte ai vetë, Brojka,  që e ka futur në Parti Sali Berishën, si person me aftësi të madhe shkencore. Nuk shohim, pra, as një zell të tepruar për t’u futur në parti nga ana e dr. Berishës.. Por ai do të privohej nga profesioni dhe nga pjesëmarrja në konferencat ndërkombëtare mjekësore, po të mos pranonte. Nga ana tjetër, vetë Nexhmija ka pohuar (me buzë të varura) se kryetari i tanishëm PD-së  nuk ka qenë në ekipin e mjekëve të E. Hoxhës. Pra, doktori ka qenë kurdoherë në krye të PD-së, me dy gishtat lartë për liri-demokraci dhe jo si Edi Rama, që është një parvëny  në PS dhe tani, më 28 qershor të këtij viti, e shkeli nenin 28 të Statusit të partisë së vet! Sa për Spartakun, ai nuk ka një identitet partiak. Ai ndërroi disa parti, (PAD, Monarki, PD, së fundi bisht i PS-së), duke u vetëshpallur, më parë, si zelltar i së djathtës liberale dhe, tani së fundi, si një majtist ekstremist, që ta marrë pushtetin me dhunë dhe t’ia dorëzojë në pjatë të argjendtë, senjorit të tij të ri, Edvinit, “në emër të ligjit”! Ngjela u bë deputet në vitin 2005, si i mandatuar nga PD-ja, si zëdhënës i saj. Me fitoren e PD-së dhe të aleatëve të saj në atë vit, ai pretendoi postin e ministrit të Drejtësisë (!). Gjëja më groteske për një shtet ligjor, në të cilin  kreu i ligjit të jetë një megaloman antiligjor! Si i etur për post, vari turinjtë që s’u bë ministër. Dhe nuk e pati për gjë ta kalonte rubikonin dhe të bënte poltikën e së majtës në parlament dhe të ngazëllehej nga duartrokitjet e së majtës ekstreme, kur i tregoi bërrylin partisë që e mandatoi. Dhe tanimë ky shpirt anarkisti e quante të natyrshme që prokurori i përgjithshëm, Th. Sollaku, të qëndronte si i mbërthyer me priçina në poltronën e tij, paçka se i la të paprekur në rehatinë e tyre ata socialistë të babëzitur në kupolë të PS-së, që ishin të zhytur gjer në grykë në kënetën e korrupsionit. Këta elementë i batërdisi vetë Edvini, - pa ua përmendur emrat, natyrisht, - sa për të zënë kreun e PS-së, para të ashtuquajturve “kongresmenë” , duke ngulmuar fuqishëm që dorëheqja e paraardhësit të tij të ishte e parevokueshme, sipas atij neni të statusit, të cilin ai vetë e shkeli me të dy këmbët!
*   *   *
Korrupsioni majtist nuk duhet harruar, thamë. Do të shohim edhe rolin e hershëm të Ngjelës në këtë pasqyrim. Tani, për të parfumuar korrupsionin e tyre, eksponentët e të cilëve nuk u hyri gjembi në këmbë (ndërsa vetë qeverisja e katërvjeçarit të parë denoncoi rreth 100 administratorë të saj, si të prezumuar për shkelje të detyrës), po hyjmë në labirintet e errëta të demagogjisë me firmat huamarrëse, nëpërmjet një mali me fac simile dhe me prova konkrete të shndërrimit të një rimbursimi nga 100 % të premtuar,  të katandisur në 10 %, pas një kohe tepër të gjatë. Me këto të dhëna  faktike, kryetari i shoqatës së kreditorëve të humbur në firmat huamarrëse, Misret Sahiti, e mbërtheu publikisht me shpatulla për mur titullarin zyrtar të shqyrtimit dhe të transparencës, F. Arapin. Misret Sahiti, në vitin 2001 dha një seri intervistash, duke nxjerrë argumente të pakontestueshme, në disa numra të njëpasnjëshëm të “55”-s. Ai tregoi për herë të parë se VEFA nuk u shpall dot firmë piramidale në gjyqin e Arapit. Po japim të shkurtuara disa nga kundërvëniet e Sahitit ndaj një shkrimi të vonuar të F. Arapit: “Përmendet rimbursimi me 10-12 %. Le të marrim VEFA-n. Gjendja e vitit 1997 ishte: 181 milionë $, pa asete. Kjo është 50 % e shumës që u detyrohej kreditorëve. Kishte fuqi shlyerëse, pra, 50 %, pa asetet. Tani f Arapi flet për 10-12 %, me të gjitha asetet! Qeveria  kishte lënë  parà të ngrira 123 milionë $. 48 milionë ishin të shpërndara në filialet. Nga pikëpamja ligjore fitimi i lejueshëm është deri në 20 %. Për katër vite, sa duhej të kishte arritur fitimi? 20 % të 181.000.000 $ = 36.000.000 $. 36.000.000 X 4 = 144.000.000 $. 181 + 144 = 325 (milionë dollarë). Kjo do të ishte e mjaftueshme që të bëhej likuidimi 100 %. Mos të harrojmë se VEFA kishte 240 objekte prodhuese dhe asnjë vendim gjyqësor nuk kishte mundur ta shpallte si piramidë. F.Arapi. nuk ka dalë në publik për të bërë „transparencë“ për një vit të tërë. Edhe tani del në gazetë, jo në mediat televizive, ku të ballafaqohet me kreditorët. 4-5 herë që ka dalë më parë s’ka bërë asnjë transparencë dhe vazhdimisht është kontestuar. A mund të bëjë transparencë ai, duke përjashtuar kreditorët? Po ju tregoj një ngjarje që merr ngjyra komike të „transparencës“ së tij. Shumë kohë më parë, me 4-5 veta të tij, vajti për të bërë “transparencë” në zyrat e Kamberit, që ndodheshin afër Gj. Kasacionit. Për verifikim vajtëm edhe né, përfaqësuesit ligjorë të kreditorëve, të miratuar nga ministria e Drejtësisë. E gjetëm derën mbyllur. Duke dalë, i gjetëm Arapin dhe njerëzit e tij të “transparencës” duke pirë birrë dhe duke ngrënë bërxolla e pula, në klubin aty pranë! Do të doja të dukesha: - Ju bëftë mirë! - u thashë. Nuk di nëse ndonjë bërxollë do t’u ketë mbetur në grykë! E them pa patur frikë përgënjeshtrimi se ata që hanin pulat e bërxollat paguheshin me 400 mijë lekë (vj.) në muaj, për të bërë “transparencën”!
F.A. shkruan se do të duhej një kohë e gjatë për shpërbërjen e 25  firmave piramidale. Por unë përgjigjem se VEFA, për shembull, me gjithë ndërhyrjet e shtetarëve, nuk u shpall piramidale nga gjykata. Qeverisësit duhet të përgjigjen për mendësinë e tyre të shpërbërjes, édhe atje ku s’e kishin këtë kompetencë. Nga ana tjetër,  Kompania 2K, prapa së cilës ishte si protektor M.-i, u la jashtë procesit të transparencës, ndonëse kishte marrë hua nga kreditorët. Mund të precizohet se fillimisht F.Arapi,  ç’është e vërteta, e përfshiu në listën e tij për transparencë, por pastaj u tërhoq. Cili ndërhyri? Le të bëjë transparencë edhe për këtë!
F.A: Nga shitja me ankand e pasurive të priramidave kemi arkëtuar 6 milionë $. Unë them se vetëm VEFA kishte mbi 1 milionë m² tokë. Po të caktohet një minimum i minimumit me 30 $ / m², përfitohen 30 milionë $ vetëm tokë! Pa përmendur fare asetet. Ç’na flet për 6.000.000$ ! Arapi e di sesi është shitur për 20.000 lekë (vj.) një televizor dhe 600.000 lekë (vj.) një makinë! A. A. e mori makinën e Vehbi Alimuçës, me gjithë shofer! “Kemi fac simile-n që përmban disa emra që ia vlen të evidentohen. Janë përfitues të  jashtëligjshëm, sepse kanë tërhequr para të ngrira, domethënë që ligjërisht nuk mund t’i jepeshin askujt. Le t’i shohim, sipas numrave rendorë të një liste, që gjendet në Prokurori, por që “transparenca” e F. Arapit i ka lënë qëllimisht në errësirën e sekreteve të tij” (Tani po i japim me iniciale, por në gazetë janë botuar me emër e me mbiemër të plotë): Gj.L. dhe F. L. - 25.000.000 (vj.); A.L. (Kunati i A.M.) + i vëllai, K.L kanë tërhequr 103.000.000 dhrahmi; S.P. 13.000.000 lekë (vj); Q.D. (gruaja e G. Gj.) : 14.000.000 (vj.); A.A.15.000.000 lekë (vj); V.G. 19.750.000 lekë (vj.); B. F. 120.000 $ te “Gjallica”; A. M. 720.000 $ te „Cenaj“; S. Gj. 50.000 $ + 20.000.000 lekë (vj.), + 120.000.000 lireta; K.G.. 6 miliardë dhrahmi (Të gjithë janë të PS-së. Sipas Sahitit raporti i përkatësisë partiake të përfituesve të PS-së me ata të PD-së ishte 95 %, në implikim të PS-së). “Një prokurorì e paanshme do të kishte në dorë dokumente shumë më të mëdha se ato që zotëron Shoqata jonë. Shumë nga zhvatësit e mëdhenj kanë luajtur rolin tendencioz të përnjollosjeve falsifikuese  me karakter partiak,  duke shndërruar në 180° kahen e fajësisë, kur – siç po shihet -  firmat piramidale duhet të lënë pa gjumë socialistët dhe aleatët e tyre! Madjè disa nga të paskrupujt u bënë edhe moralizatorë të mëdhenj, duke derdhur vrer përpara kamerave dhe studiove, kur ata ishin të komprometuar gjer në fyt! (Në kategorinë e 5 %-it, në dokumentacionin e M. Sahitit, figuronte si përfitues edhe S. Ngj. = Spartak Ngjela. Sahiti i thotë redaksisë se është i gatshëm të japë të dhënat konkrete, “nëse ky i fundit më kundërvihet me një mohim formal”. Komisioni Ngjela do të mbetet si një njollë turpi, për hedhjen kaq ujë ndaj verës, që fajtorët të paraqiteshin si viktima! Tani na u bë ekstremist i së vërtetës, nën sqetull të E. Ramës, si manipulues i të vërtetave ligjore, në emër të ligjit!).
*   *   *
Përfundim: Historia e manipulimit të së vërtetës për firmat piramidale, pjesërisht është paraqitur këtu, në një të dhjetën, mbase të intervistave të M. Sahitit. Edhe këtu kuptohet sesi ia ngarkuan tjetërkujt mëkatin e piramidave, për të bërë, pastaj, atë gurgulé që e kishte emrin revoltë për humbjen e pareve në këto firma. Po përsërisim sërish Misretin: 95 % të përgjegjësve të katrahurës ishin bash persona të kupolës socialiste. Pas zhvatjes me dhunë të pushtetit, u pa se ç’batërdi u bë me pronat e pamasa të firmave të cilat u shpallën, por edhe pjesërisht nuk u shpallën dot, si piramidale. Si pasojë, jo vetëm që sugjestionuan opinionin publik, jo vetëm që morën abuzivisht pushtetin në dorë, por edhe u pasuruan në kurriz të këtyre firmave huamarrëse. Tani po kërkojnë të risjellin atë parajsën e tyre, që e ëndërrojnë natë e ditë,  kur kjo “lumturi” në kurriz të popullit, është absolutisht e pamundur që të kthehet mbrapsht,  për ta çuar “popullin mirëbesues” në kuotat e zeros! Por nuk kanë parasysh se institucionet e BE-së dhe ato të SHBA-ve, po e humbasin durimin ndaj kësaj paudhësie në vazhdim për të kërkuar të pamundurën. Janë orvatje qe do të kenë pasojat e tyre, fatmirësisht për aventurierët. Populli do të përfitojë në një kohë të shpejtë vizat për qarkullim të lirë dhe të drejtën për të hyrë në BE. Pavarësisht nga obstruksioni antikombëtar, me në krye atë dyshen e përmendur në titull!    

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›