Rama i mbyll derën Strasburgut, e mendon veten si Haxhi Qamili

Kryetari i PS-së ka regjistruar një rekord të arrogancës në marrëdhëniet me ndërkombëtarët, teksa ka refuzuar dje të takojë reporterët e Këshillit të Evropës, vetëm se ata ishin shprehur publikisht se bojkotit socialist i duhej dhënë fund. Ashtu si Haxhi Qamili dikur thoshte se s’pyeste për Evropën, pasi kishte me vete Rrogozhinën dhe Peqinin, edhe Edi Rama mendon se i mjafton Kulla e Pezës për të sulmuar Perëndimin dhe demokracinë
Edi Rama refuzon të takojë Reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Shqipërinë të cilët po kryejnë një vizitë treditor, fakt-mbledhëse mbi realizimet e angazhimeve dhe detyrimeve të vendit tonë. Kryetari i PS-së ka regjistruar një rekord të arrogancës në marrëdhëniet me ndërkombëtarët, teksa ka refuzuar dje të takojë reporterët e Këshillit të Evropës, vetëm se ata ishin shprehur publikisht se bojkotit socialist i duhej dhënë fund. Ashtu si Haxhi Qamili dikur thoshte se s’pyeste për Evropën, pasi kishte me vete Rrogozhinën dhe Peqinin, edhe Edi Rama mendon se i mjafton Kulla e Pezës për të sulmuar Perëndimin dhe demokracinë. I vendosur t’i shkojë deri në fund karshillëkut me ndërkombëtarët, ai ka nxjerrë dje si pretekst, për refuzimin e takimit justifikimin se s’ndodhej në Tiranë, paçka se në orët e pasdites, ai jo vetëm që është shfaqur në kryeqytet, por edhe ka dalë para mediave, tek dera e selisë së PS-së, për të dënuar rrahjen që kishte pësuar një gazetar. Në vend të tij, Edi Rama në takim me ndërkombëtarët, ka nxjerrë Eduart Shalësin dhe Ditmir Bushatin.
Refuzimi i Edi Ramës për të pritur bashkëreporterët e KE-së, lidhet në fakt lidhet me deklaratat e institucionit që ata përfaqësojnë. Më herët, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, ka vlerësuar pozitivisht zgjedhjet në Shqipëri, ndërsa i kanë bërë thirrje Edi Ramës, të lejojë hyrjen e deputetëve të PS-së në Parlament. Këto deklarata, kanë qenë shkaku i vërtetë, që kanë zgjuar te Edi Rama, ndjenjën e refuzimit.
Bashkëreporterët për Shqipërinë të Komitetit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Jako Lakso dhe David Uilshajër, kanë mbërritur në vendin tonë dhe do të zhvillojnë një mision faktmbledhës deri 5 nëntor për të vlerësuar respektimin e detyrimeve dhe angazhimeve të Shqipërisë në lidhje me Këshillin e Evropës. Kjo vizitë do të mundësojë finalizimin e raportit i cili do të debatohet në seancën plenare të janarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Dy reporterët kanë zhvilluar një takim me kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli. Ata do të takohen edhe me presidentin Bamir Topi, kryeministrin Berisha, Ministrat e Punëve të Jashtme, të Brendshëm dhe Drejtësisë, dhe Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese. Bashkëreporterët do të takohen gjithashtu me kryebashkiakët e disa prej qyteteve, përfshirë Tiranën dhe Shkodrën, dhe përfaqësues të minoritetit malazez.