Letra/Dilemat e Edi Ramës nuk duhet të transplantohen si kancer i PS-së
Debutetët e Partisë Socialiste e të gjithë socialistët, po kalojnë ditë të vështira ngaqe nuk po vendosin dot se ç’duhet bërë; Duhet t’i besohet kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, i cili ka dhënë urdhër që asnjë debutet i Partisë Socialiste të mos e shkelë derën e Kuvendit, apo të dëgjojnë anën tjetër që përbëhet nga disa deputetë socialiste, nga një shumicë votuesish socialist, si edhe nga shumë organizma ndërkombëtare, që kërkojnë nga PS t’i fusë ligjvenesit e saj në Kuvend dhe aty le të ngrenë për diskutim e vendim, të gjitha ato që ajo dhe përfaqësuesit e saj në Kuvend i shikojnë të arsyeshme. Kjo, gjithsesi mbetet çështje e Partisë Socialiste dhe e organizmave të saj vendimmarrëse.
Duke ndjekur ecurinë e PS, më jepet të shprehem se ajo, që herët, është dukur si një formacion i lindur nga zori. Ajo nuk u formua në rrugë normale, duke i paraqitur masivisht publikut shqiptar platformën dhe programin e vet, në bashkëveprim edhe me simotrat evropiane, me të cilat pretendon se ka afërsi të dukshme programesh e idealesh, por, në një mbrëmje u bë mbledhja e përfaqësuesve të lartë të PPSH (që ishte e ardhur komplet nga Partia Komuniste Shqipëtare), prej nga u shpall formimi i Partisë Socialiste Shqiptare. Vërtet ky lloj ndryshimi ishte i pranueshëm se kushdo e ka të drejtën të ndryshojë mendim kur e shikon të arsyeshme, mirëpo, duke mos ardhur ndryshimi natyrshëm (gjithçka u propozua dhe u vendos brenda 4-5 orëve të një nate), veprimet e mëvonshme lanë shumë për të dëshiruar. Në atë organizëm ishte brenda e gjithë kasta e komunizmit, e vjetër dhe e re. Populli shqiptar e ka të shkruar në kujtesë se ç’bëri komunizmi, të gjitha krimet e bëmat e tij.
Por vijën e sjelljes komuniste e kemi parë dhe po e shohim edhe nga Partia Socialiste. Në zgjedhjet e vitit 1996, kryesia e saj i urdhëroi komisionerët e vet, katër orë para përfundimit të votimeve, që të tërhiqeshen nga qendrat e votimeve në të gjithë vendin, me arsyetimin se “votat janë vjedhur nga Partia Demokratike”, duke i deklaruar keshtu votimet si të papranueshme. E majta ka tentuar të prishe votime pas votimesh, sa herë ka qenë e sigurtë se nuk do të dilte fituese prej kutive të votimit. Ne 1997 ajo nuk lejoi kandidatët e PD që gjatë fushatës të takoheshin me votuesit. Deputetët e PS kanë bllokuar shpeshherë punimet normale të Kuvendit duke mos qëndruar në sallë, për të ulur keshtu numrin e votimit, duke bërë zhurmë, bile edhe duke thyer e prishur me dhunë objekte me vlerë në sallën e seancave plenare. Janë tërhequr nga votimi për heqjen e imunitetit të deputetëve, si edhe të ligjit për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Të gjitha këto, jo vetëm që kanë influencuar negativisht në gjendjen sociale brenda vendit, por edhe kanë prishur imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.
Kohët e fundit Partia e Edi Ramës po pengon mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit me mospjesëmarrjen e ligjvenesve të saj në Kuvend. Kryetari i PS dhe mbështetësit e tij, duhet të mendohen se bojkotimi i parlamentit nuk është ndonjë vendim thjesht personal i tyri apo që dëmton Berishën e mbështetësit e tij, por ai po dëmton rëndë aspiratat e të gjithë shqiptarëve. Bojkotuesit dhe mbështetësit e tyre le të mos u zënë besë deklarimeve të organizmave e institucioneve të shtetit shqiptar (ndonëse janë organe ligjore dhe vendimet e tyre mbeten shumë të mbështetura), por t’u referohen deklarimeve të shumë organizmave ndërkombëtare, të specializuara në legjislacione elektorale, të cilat i kanë certifikuar zgjedhjet e Qershorit 2009 si të drejta e legjitime. Kjo duhet të përbëjë argument të fuqishëm për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën, që zgjedhjet kuvendore që sapo u mbyllën, si edhe zgjedhje të tjera që do të vijnë, të mos i trajtojnë veç në rrugë partiake, por edhe në rrugë ligjore e kushtetuese. Nëse Partia Socialiste ose çdo parti, grupim partish, mendon se ndonjë ligj i këti vendi duhet ndrequr a bërë krejt i ri, është afërmendsh e panegociueshme se rruga e vetme për këtë punë është prania në Kuvendin Shqiptar.