Presidenti si nevojë për opozitë
Shenim i redaktorit:
Në fakt, nuk është e thjeshtë të përkufizosh në një sistem parlamentar, organin kushtetues të Presidentit të Republikës. Në një rast të tillë, pra në republika të ndryshme paralamentare mund të gjejmë një institucion të tillë që mund të variojë, nga një organ garancie kushtetuese, në një organ qeverisës. Historia dhe evolucioni i këtij organi kushtetues është padyshim e gjatë.
Pyetja që ngritëm për miqtë e Shekullit sot në debatin e së martës është: A kemi patur presidentë të mirë? Sot janë shënimet e bashkëpunëtorëve të Shekullit, Rexhep Meidani, Ardian Vehbiu, Lutfi Dervishi dhe Igli Totozani.
Nesër në pjesën e dytë të forumit do të lexoni shënimet e Arbën Xhaferrit (Demokracia radikale), Pëllumb Kulla (Miqtë dhe armiqtë e Presidentëve tanë) Franko Egro (Themelet e ngrehinës) dhe Virion Graci (Tkurrja e Presidentëve)
*******************************************************************************************IGLI TOTOZANI:Në përgjithësi, mund të thuhet se fuqia e një organi varet shumë nga mënyra sesi ai zgjidhet. Në Shqipërinë e tranzicionit, Presidenti ka pësuar ndryshime në disa drejtime, jo pak të rëndësishme. Në periudhën ‘92-‘97, mund të thuhet se kemi pasur të bëjmë me një kontradiktë të thellë kushtetuese. Ky vend ishte një republikë parlamentare, ku presidenti zgjidhej nga Parlamenti, por që në kontrast me këtë, Dispozitat Kushtetuese të atëhershme, i njihnin një rol pothuajse të njëjtë me ato të një presidenti të një republike presidenciale, apo gjysmë presidenciale. Presidenti gëzonte të drejtën e një aktiviteti të plotë legjislativ nëpërmjet dekreteve të tij, mund të drejtonte mbledhjet e qeverisë. Shkurt, kishim të bënim me një deficit demokratik të rëndësishëm.
Kushtetuta e ‘98-s, e riekuilibroi këtë organ, në përputhje me një organizim tipik parlamentar. E thënë ndryshe, funksionet e presidentit u përputhën me mënyrën e tij të zgjedhjes. Megjithatë, nuk mund të themi se kemi të bëjmë me një organ thjesht formal. Ai ka një rol legjislativ, të drejtën për t’ia rikthyer ligjet Parlamentit, ka prerogativa ekzekutive, siç është komandimi i ushtrisë, gjyqësori si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ka rol në emërimin apo shkarkimin e gjyqtarëve të lartë, të gjyqtarëve kushtetues dhe prokurorit të përgjithshëm. Në përgjithësi, të ndara këto me Parlamentin.
Në dukje, kompetenca formale, por që në momente të veçanta, sidomos në Shqipëri, marrin një rëndësi të veçantë. Kam parasysh rastin e njohur tashmë nga të gjithë ne, kur një mazhorancë e sapoardhur, kërkon të ketë nën hiqmin e vet pushtetin e rëndësishëm të drejtësisë. Me emërimet apo shkarkimet e tij, Presidenti i Republikës, në një rast të tillë, mund të pengojë këtë “vrull” jo demokratik, duke u bërë kështu, në të njëjtën kohë, një mbrojtës i ndarjes dhe ekuilibrit të pushteteve. Pra, edhe i demokracisë në një vend. Në Shqipëri, tradita, për fat të keq, flet më shumë për një tendencë të “grumbullimit” të pushteteve nën një sqetull, sesa dëshirës për të kundërtën. Pra, në rrethana të caktuara, Presidenti i Republikës shndërrohet në një “digë” jetike për të mbrojtur demokracinë nga tirania e shumicës. Pikërisht për këtë, për të shmangur një dukuri të tillë, mjaft të rrezikshme, në një vend si Shqipëria, Presidenti do të ishte mirë të mos zgjidhej nga shumica në pushtet. Ky shqetësim nxiti legjislatorin që, në Kushtetutën e 98-s sanksionoi frymën e konsensusit në zgjedhjen e tij.
Në të njëjtën mënyrë duhet gjykuar edhe puna e presidentëve. Pra, sa kanë mundur ta bëjnë këtë organ, të përshtatshëm për rrethanat dhe nevojat e demokracisë në vend. Do të veçoja dy presidentë në këtë periudhë. Rexhep Meidanin, sepse, në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë e ktheu këtë organ në “disiplinimin” kushtetues, pas përvojës negative të ‘92-‘97-s, dhe Alfred Moisiun për faktin se diti t’i rezistojë, “mësymjes” së mazhorancës së sotme, në synimin për të kontrolluar të gjithë pushtetet kontrollues në shtet. Në këto kuptime, këta njerëz ishin padyshim histori suksesi.
Për sa i takon Presidentit aktual, mund të them se kam qenë aktivisht në shtyp kundra zgjedhjes së tij. Sigurisht, duke e respektuar atë si njeri. Kam qenë kundra, sepse vazhdoj të jem i bindur, sot e kësaj dite, se Shqipërisë, kësaj Shqipërie me tradita negative përqendrimi pushteti, i duhet një president, mundësisht opozitar me shumicën. Për ta përballuar “etjen” për pushtet të kësaj të fundit, por edhe për të ekuilibruar pushtetet dhe rritur rolin e pakicës. Kushtetuta e ‘98-s parashikonte një zgjidhje shumë të mirë me këtë rast. Zbatimi i saj u bë i pamundur me zgjedhjen e fundit dhe fajtor për këtë ishte vetëm një: Shumica e sotme.
Presidenti aktual nuk ishte një president konsensusi. Sot, puna e tij gjendet përpara dy vështirësish të tjera të mëdha, deri diku të lidhura mes tyre. Së pari, si për çdo njeri, dëshira për të vazhduar karrierën politike, çka mund ta shtyjë atë “të mendojë” më shumë si politikan sesa si president. Dhe, sidomos, do të agravohet kjo, nisur nga ndryshimet e fundit të kushtetutës. Pra, qoftë në rastin e synimit të një mandati të dytë, qoftë në rastin e rikthimit në jetën politike, në gjirin e PD-së, atij do t’i duhet të kërkojë, ose mbështetjen e shumicës së dalë nga zgjedhjet e 2009-s, ose atë të partisë së tij. A do të dijë, sikurse i kërkohet funksionit të tij, të dalë mbi palët, duke sakrifikuar edhe ambiciet e tij, për të bërë atë, për të cilën është aty; Presidentin e Republikës? Ekuacion i vështirë, padyshim.
Provat e mëdha i ka përpara, ndoshta shumë më shpejt nga ç’mendohet, duke filluar nga çështja e “rrugës patriotike”. Dhe, në këtë rast, legjendat urbane mbi kontradikta me shumicën e sotme apo liderë të saj, janë të pamjaftueshme. Vetëm nga vendimet e marra, do të mund të gjykohet mbi rolin e tij, në këtë moment historik, vendime këto, që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe garantimin e institucioneve të pavarura. Gjithsesi, ai është presidenti i vendit tim dhe unë e respektoj për këtë.