E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një ekspozitë-dëshmi për gjenocidin në Çamëri

Paria greke e zonës duke bashkëpunuar me forcat gjermane

Ishte 27 qershor 1944, atëherë kur mijëra shqiptarë, burra, gra e fëmijë u shpërngulën me dhunë nga trojet e tyre në Çamëri, por kokën e mbajtën pas.
Plot 68 më vonë, ashtu si çdo vit, komuniteti çam në Shqipëri po kujton për të mos harruar gjenocidin e ushtruar ndaj tyre, por kësaj here kjo kujtesë mori përmasa edhe më të mëdha. Ekspozita, koncerte, promovime librash… Në këtë kuadër, dje u hap në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar një ekspozitë me fotografi nga viset e Çamërisë të fillimshekullit të shkuar, si dhe dokumente arkivore që dëshmojnë dhunën e ushtruar nga forcat militare greke. Gjithashtu u promovua edhe monografia e studiuesit Selman Sheme, Monumentet natyrore dhe kultura e Çamërisë, një punë 10-vjeçare që na njeh më mirë me krahinën e Çamërisë. Në ceremoni merrnin pjesë jo vetëm anëtarë të këtij komuniteti të gjerë, por edhe politikanë të të gjitha krahëve, studiues e historianë. Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, tha se Çamëria është pjesë vitale e Shqipërisë dhe sot është dita e kujtesës.

Grua çame gjatë shpërnguljes

Nëpër foto bardhë e zi, ndihet tensioni i një epoke të ngarkuar. Portrete grash e burrash që mbartin dhimbje. Por nuk ka vetëm dhimbje, ka edhe shumë paqe e bukuri në ato vise.
Për të përkujtuar 27 qershorin ne kemi hapur këtë ekspozitë, për të sjellë përmes faksimileve dhe dokumenteve, fotografive të asaj kohe, dëshmi që provojnë gjenocidin që është ushtruar mbi këtë popullsi të pafajshme, mbi mijëra burra, gra e fëmijë. Duhet përmendur një fakt rrëqethës, që 100 prej këtyre viktimave të masakrës çnjerëzore ishin fëmijë. Në eksponatet e ekspozitës gjenden edhe pamje të Çamërisë, për të dhënë një dimension më të

Pazari i Paramithisë

plotë të kësaj krahine dhe të asaj që ajo përfaqëson. Sepse Çamëria nuk është vetëm tragjedi, ajo është edhe histori, edhe vlerë, tha kryetari i Shoqatës patriotike Çamëria, Ardian Tana, teksa shton se një vend të veçantë në ekspozitë zënë edhe portretet e figurave të shquara të historisë, që kanë vënë firmat e tyre në momente të rëndësishme dhe kyçe për Shqipërinë, siç është firmosja e Aktit të Pavarësisë. Ne këtë vit menduam që aktivitetet me rastin e 27 qershorit ti ndanim bashkë me qytetarët, pra të dilnim më shumë nëpër sheshet kryesore të Tiranës, ku kemi ekspozuar pamje të Çamërisë, tragjedisë, figura të shquara, por edhe vlera kulturore të kësaj krahine dhe kemi marrë një solidaritet prej qytetarëve, që na ka lënë shumë mbresa, çka do të thotë se shqiptarët janë më të ndjeshëm dhe janë bërë pjesë për zgjidhjen e çështjes çame, tha Tana.

Dalipi, maratonomaku çam plotëson 200 mijë km
Për nder të Çamërisë, sportisti do të përshkojë distancën Vorë-Tiranë me vrap

Syrja Dalipi, në një nga maratonat ku ka marrë pjesë

Të qenët maratonomak atij i vjen natyrshëm. E lidhin rrënjët çame, ndonëse ka lindur në një vend të butë si Fieri. Syrja Dalipi, Mjeshtër Sporti, është një nga emrat më të njohur në fushën e atletikës shqiptare. Rekordmen, kampion, përshkues i mijëra kilometrave nëpër maratona, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë botën. Sot ai ka vendosur të thyejë një tjetër rekord. Do të përshkojë 11 kilometrat e fundit për të përmbushur 200 mijë kilometrat që ka përshkuar gjatë karrierës së tij sportive. Dhe këtë nuk e bën rastësisht sot. E bëj për Çamërinë, thotë ai, duke treguar rrënjët e tij çame, që nuk i harroi kurrë, edhe pse pjesën më të madhe të jetës së tij e kaloi në qytetin e Fierit, ku ka marrë jo pak sadisfaksion. Syrja Dalipi ka vendosur të bëhet pjesë e Javës së Kulturës Çame, në atë çka ai di të bëjë më mirë, në kros. Për nder të të parëve të tij dhe martirëve të Çamërisë, do të përshkojë me kros distancën nga Vora në Tiranë. Kështu do të plotësoj 200 mijë kilometra, që do të thotë si ti biesh pesë herë botës rrotull me vrap, thotë Syrja Dalipi, i cili numëron histori pa fund nga kohët e rekordeve të mëdha. Nëse do të kthehet pas në kohë, ai kujton ato kohë kur pasioni e shtynte të stërvitej në mënyrë autodidakte. Ishte vetëm pasioni, thotë Syrjai, duke mos e mohuar edhe faktin që aso kohe sportistët nderoheshin më shumë se sot. Një pasion që e ka mbajtur gjallë që nga vitet e rinisë e deri sot, dhe nuk mungon me pjesëmarrjen e tij nëpër maratona të mëdha botërore për kënaqësi vetjake. Përveç lidhjes së ngushtë me sportin, ai është edhe një biznesmen i suksesshëm, bashkëpunëtor me biznesmenin Nikollaq Neranxi dhe, me sa mundet, kontribuon për të ndihmuar sportistët e rinj, por edhe të bëjë akte bamirësie. Në jetën e tij Syrja Dalipi numëron shumë trofe, por këtë sukses ai e ndan me një veteran maratonomak, sportistin Servet Abazi. Ai ka qenë frymëzimi im dhe më ka dhënë forcë të eci përpara, thotë Dalipi. Është fitues i vendeve të para në 60 gara maratone dhe qyteti i Fierit i ka dhënë 10 herë medalje kampion. Ne vitet 1977-1980 përfaqëson klubin sportiv Partizani dhe merr medaljen e artë në Spartakiadën e 4 kombëtare. Me këtë klub sportiv në Spartakiadën e 5-të merr sërish medaljen e artë, duke përfaqësuar klubin sportiv Apolonia. Në vitin 1978, në Sarajevë, rezultatet e tij kanë qenë më të mirat në Ballkan. Është anëtar i Atletikës Kombëtare dhe ka marrë pjesë në shumë veprimtari sportive, si në Prishtinë, Bukuresht, Stamboll, Itali, Paris etj. Ne vitin 1983 arriti normat e finalistit të parë të botës në Helsinki të Finlandës. Një ndër aktivitetet më të mëdha, maratonën e organizuar në New York në vitin 1995 mes mijëra pjesëmarrësish, ku merr Medaljen e Veteranit.

ALMA MILE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›