Tiranë, arrestohet përdhunuesi i 15-vjeçares së paralizuar
TIRANE – Policia e kryeqytetit arrestoi dje një të kërkuar, i cili dhjetorin e vitit të kaluar u dënua në mungesë me 4 vjet burg, pasi akuzohet për përdhunimin e një vajze të mitur, e cila është e paralizuar dhe me zhvillim të vonuar mendor. Burime zyrtare nga Policia e kryeqytetit thanë se nga oficerët e Sektorit të Forcës së Posaçme dhe Kërkimit u bë ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Tiranë për 46-vjeçarin Sherif Kovaçi, banues në lagjen Allias të Tiranës. Sipas vendimit të gjykatës, referuar katër dëshmitarëve dhe aktit të ekspertimit mjekoligjor, Sherif Kovaçi është deklaruar fajtor dhe është dënuar me 4 vjet heqje lirie për veprën penale marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazot për tu mbrojtur. Ngjarja për të cilën akuzohet i arrestuari, ka ndodhur në muajin tetor të vitit 2008. Nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi se Sherif Kovaçi është banor i Tiranës, ndërsa e dëmtuara K.J. është e paralizuar dhe me zhvillim të vonuar mendor. K.J., për shkak se është e paralizuar, lëviz me karrocë invalidi.