Një film për 48 orë
Festivali i filmit të shkurtër për kineastët e rinj, Tirana 48 Orë Film Project, në muajin tetor fillon edicionin e tij të tretë.
Faza e aplikimit për pjesëmarrje në festival tashmë ka filluar, ndërkohë që shorti i përzgjedhjes së ekipeve realizuese me një producent, regjisor, skenarist, aktorë, etj., do të hidhet pak ditë para fillimit të festivalit, i cili sivjet do të mbahet nga 12 deri më 14 tetor. Drejtues i festivalit është Robert Aliaj.
Pas përzgjedhjes së ekipeve krijuese, secilit prej tyre i caktohet zhanri, karakteri dhe linja e dialogut të filmit që duhet të realizohet dhe të jetë plotësisht i gatshëm brenda 48 orëve.
Publiku do të ketë mundësinë që t’i shikojë realizimet kinematografike në fundjavën e fundit të muajit tetor, ndërkohë që filmi fitues do të konkurrojë për titullin “Best 48 Hour Film of the Year 2011”, bashkë me filmat fitues nga e gjithë bota.
Ndryshe, ky projekt organizohet në 81 qytete të botës, duke iu ofruar kështu kineastëve të rinj mundësinë e të shprehurit në fushën e kinematografisë, dhe një depërtim të shpejtë në botë, gjegjësisht një lidhje me festivalet më prestigjioze botërore të filmit, siç është Festivali i Cannes, ku fituesit në nivel ndërkombëtar do të prezantohen me filmat e tyre në kuadër të një seksion të veçantë filmik.
Projekti "48 Hour Film Project" u prezantua për herë të parë në Tiranë në vitin 2010, kur u krijuan 28 grupe filmike, dhe u finalizuan 16 filma të rinj, për xhirimin e të cilëve u angazhuan 200 kineastë. Filmi fitues i edicionit të parë “Çifti i Lumtur” - një film ky eksperimental i zhanrit mockumentary - konkurroi në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit – Filmapaloza, në Miami, prej nga 14 nga filmat më të mirë nga 80 shtete vazhduan udhëtimin e tyre për në Festivalin e Cannes, ku u shfaqën në kuadër të programit të veçantë “Short Film Corner”.