E Diel, 1 Nëntor 2026

Një film për familjen shqiptare në Kanë

19/04/2011  Ajo është një vajzë shqiptare që ëndërron të krijojë familjen e saj, por njëkohësisht “viktimë” e fatit të vet dhe shoqërisë. Një personazh i kohëve moderne dhe lufta për “vlerat familjare” përbëjnë pak a shumë linjën e filmit të parë me metrazh të gjatë të regjisorit të ri shqiptar Dhimitër Ismailaj që pritet të fillojë së shpejti xhirimet në Itali.

I vlerësuar së fundi në disa festivale për filmin e tij me metrazh të shkurtër “Refren për Kosovën” (Requiem for Kosova), i cili ka ngjallur debate dhe ka ardhur edhe si një kundërpërgjigje ndaj akuzave të Dick Martit, Ismailaj tanimë ndërmerr një tjetër nismë.

Edhe pse në fazën e gjetjes së buxhetit për filmin e ri, duket se megjithatë puna është në vijë të drejtë. Në këtë intervistë Ismailaj rrëfen diçka për projektin e vet më të ri, i cili do të jetë pjesë e network-ut dhe katalogut të “Producers Network” në festivalin e Kanës, për “mangësitë” që ka në përgjithësi filmi i shkurtër në Shqipëri sot dhe përvojën e tij në SHBA.

Filmi juaj me metrazh të shkurtër “Refren për Kosovën” (Requiem for Kosova) është shpërblyer me disa çmime dhe pret të marrë pjesë në disa festivale të tjerë ndërkombëtarë filmi. Mund të quhet një nga filmat e shkurtër shqiptarë “të suksesshëm” të kohëve të fundit. Ku qëndron sipas jush “çelësi” i suksesit të tij?

Pak e vështirë për të thënë nëse është një nga më të suksesshmit kohët e fundit, pasi nuk jam shumë në dijeni rreth suksesit të filmave të tjerë, por di të them se në gjashtë muajt e fundit është pranuar në gjashtëmbëdhjetë festivale ndërkombëtare në shumicën e kontinenteve të botës, duke rrëmbyer tre çmime, një për “Best Short International” USA, “Directors Special Citation for Short Fiction” USA, dhe i treti “Third Best Short International” Greqi, ndërkohë që presim konfirmime të tjera. Sa për suksesin, kjo varet nga shumë faktorë, por më i rëndësishmi është subjekti dhe tema universale që trajton filmi. Pra, audiencat e huaja që nuk kanë të bëjnë fare me Kosovën apo dhe nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për të, identifikohen me problemin e trajtuar në film. Gjithashtu, një rëndësi të madhe ka edhe si është trajtuar dhe treguar nga ana artistike problemi dhe ngjarja, dhe kjo kërkon të jesh shumë objektiv në shkrimin e skenarit. Natyrisht që nuk duhen lënë jashtë edhe elementet e tjerë që e kompletojnë një film, siç janë fotografia, aktrimi, zëri, montazhi, muzika etj. Por edhe një herë e theksoj, se kyçi kryesor është universalizmi i temës.

Jo shumë kohë më parë në mbledhjen e radhës së bordit të Qendrës Kinematografike në Shqipëri nuk u miratua asnjë projekt për filma të shkurtër. Çfarë u mungon sipas jush filmave të shkurtër shqiptarë sot?

Po përsëris pak veten në këtë pikë, duke thënë se temat dhe problemet që trajtohen në skenarët tonë duhet ti flasin publikut kombëtar dhe atij ndërkombëtar. Një problem tjetër mund të jetë fakti se në Shqipëri ne nuk kemi një industri filmi ku të kemi njerëz apo skenaristë të mirëfilltë që merren vetëm me shkrimet e skenarëve. Në përgjithësi skenarët tek ne në Shqipëri, po edhe më gjerë, shkruhen nga vetë regjisori apo producenti dhe çfarë e bën edhe më problematike problemin është fakti se nuk kërkohet një opinion i dytë nga një koleg apo edhe një njeri i thjeshtë. Kjo bën që regjisori/skenarist të humbi objektivitetin për atë temë që po shkruan, e cila sjell edhe një vepër të dobët dhe mediokër, që mund ti flasin shumë mirë vetë krijuesit dhe një grupi të vogël njerëzish, por që do të dështojë të komunikojë me publikun e gjerë. Dhe ky është një problem, jo vetëm për filmin e shkurtër, por edhe për atë të gjatin. Nuk duhet harruar që të bësh një film të shkurtër është më e vështirë sesa të bësh një të gjatë. Dhe ky mund të jetë një problem serioz, pasi shumë regjisorë të rinj trajtojnë tema që kërkojnë shumë më tepër hapësirë dhe kohë nga mundësia që ofron një film i shkurtër dhe duke qenë pa eksperiencë nuk janë në gjendje të ndajnë zhanret. Duke dashur të thonë shumë gjëra në një kohë të shkurtër, humbasin thelbin e idesë fillestare dhe kështu krijohet një mishmash i vërtetë. Këtë e them nga eksperienca personale, pasi kam qenë vetë në një pozicion të tillë.

“Refren për Kosovën” ka ngjallur debate lidhur edhe me të ashtuquajturin raport të Dick Marty-t për Shqipërinë. Çmund të thoni lidhur me këtë pikë?

Filmi po bëhet gati tre vjet, që nga momenti i konceptimit si skenar, pra shumë më herët se akuzat e Dick Martit. Megjithatë, më vjen mirë që doli në një moment kritik dhe konsiderohet si një përgjigje ndaj akuzave të tij. Natyrisht që unë kam bërë kërkime përpara se ta shkruaja skenarin dhe jam nisur nga disa fakte reale, të cilat i kam marrë dhe i kam përpunuar me fantazinë time për të krijuar diçka të re dhe origjinale. Nuk duhet harruar që shumë gjëra jo të këndshme dhe groteske kanë ndodhur në Kosovë dhe që janë bërë nga ndërkombëtarët, por që janë mbuluar pa lënë gjurmë. Gjithashtu, nuk është më sekret fakti që shumë shtete serbofilë të Evropës i kanë rënë pishmanit që pranuan të sulmohet Serbia gjatë Luftës së Kosovës dhe se ata po bëjnë gjithçka që është e mundur për të diskredituar luftën dhe luftëtarët e saj.

Ndërkohë ju nuk jeni ndalur vetëm në realizimin e këtij filmi. Vlen të përmenden edhe punët tuaja të tjera në filmin e shkurtër të vlerësuara po ashtu në festivale si “89 Cent” dhe “Mira”…

Ky është filmi i gjashtë i shkurtër. “89¢” është filmi im i parë mbas përfundimit të shkollës, i cili u xhirua në New York. U shfaq në disa festivale në Amerikë dhe mori çmimin e parë në “Tirana International Film Festival” në 2005. Filmi ka një karakter eksperimental megjithëse edhe ai si film ka një ngjarje dhe shtjellim tradicional. Ndërsa filmi “Mira” ishte puna dhe eksperienca ime e parë profesionale në Shqipëri. Edhe ky film pati suksesin e radhës, duke shëtitur në disa festivale të botës dhe duke u shpërblyer edhe me një çmim nderi “Honorable Mention” në festivalin e filmit “COMMFFEST”, Toronto, Kanada në 2009.

Për tu shënuar janë edhe projektet për të cilat po punoni. Veçanërisht vlen të përmendet puna për një film të metrazhit të gjatë, ngjarjet e të cilit zhvillohen në Itali. Çmund të thoni për këtë realizim?

Po. Jemi në fazën e gjetjes së buxhetit për filmin tim të parë të metrazhit të gjatë. Ngjarja është e kohës dhe zhvillohet në Itali. Karakteri kryesor është një vajzë shqiptare, e cila ëndërron të krijojë familjen e saj dhe të ketë një fëmijë. Por kjo është në njëfarë mënyre e pamundur, pasi ajo e urren mashkullin që i ka shkatërruar jetën dhe rininë duke e detyruar të prostituojë. Ky është tregimi me pak fjalë, ndërsa tema e filmit është më universale dhe ka të bëjë me luftën e vlerave të familjes tradicionale kundër atyre moderne. Me globalizimin që ka pushtuar çdo qelizë të shoqërive, qofshin këto konservative, bota po përballet me një katastrofë të vërtetë shoqërore. Duket sikur objektivi kryesor dhe afatgjatë i kësaj çmendurie globale është shkatërrimi i familjes, ndonëse kudo propagandohet e kundërta, pra vlerat e familjes, dashuria për të afërmit e të tjera si këto. Natyrisht e gjitha kjo është një demagogji e ulët dhe ordinere nga politikanët botërorë, por edhe nga mediat dhe që fatkeqësisht po gjen terren dhe mbështetje të verbër nga shoqëritë perëndimore, por tani vonë edhe nga ato lindore. Dhe kur ke një familje të përçarë dhe jo funksionale, atëherë edhe shoqëria është jo funksionale. Edhe sundimi dhe terrori shtetëror do të jetë edhe më i theksuar dhe i pranishëm. Pra, do të kemi një shtet policor dhe antihuman, ku individi do të jetë i shtypur dhe totalisht i kontrolluar nga aparatet shtetërore. Besoj, se këtë mund ta vëreni në shumë vende “demokratike perëndimore” dhe ky është një konstatim i dhimbshëm. Në filmin tonë duam të ngremë sadopak vetëdijen dhe vetëndërgjegjësimin e individit për familjen, vlerat tradicionale të saj dhe domosdoshmërinë e këtyre vlerave për të pasur një shoqëri të shëndetshme dhe humane.

ky projekt juaj i metrazhit të gjatë për të cilin sapo folët mendohet të jetë pjesë e network-ut dhe katalogut të “Producers Network” në festivalin e Kanës. Çmund të thoni për prezantimin në këtë festival dhe si u mundësua ai?

Dihet se çdo prezantim në këtë festival është me rëndësi të madhe, për vetë faktin se projekti ekspozohet përballë një numri të shumtë producentësh, shtëpish prodhimi, shpërndarës dhe bashkëprodhimi me reputacion të madh ndërkombëtar. Kjo mund ta çojë projektin në drejtimin e duhur dhe drejt një realizimi konkret në një të ardhme të afërme. Nëse projekti zgjidhet nga ndonjë kompani prodhimi në këtë eveniment, nënkupton një mbështetje të vazhdueshme jo vetëm nga kompania që e merr përsipër këtë si projekt, por promovimin e tij në të gjithë rrjetin ku kjo kompani shtrin aktivitetin e vet si dhe me network-et e tjera me të cilat kanë lidhje, gjë që garanton një ekspozim dhe sukses të projektit mbas përfundimit të filmit.

“Producers Network” është network-u më prestigjioz në botë për producentët anë e mbanë botës. Vetëm 400 producentë mund të futen në këtë elitë njerëzish nga mijëra producentë që aplikojnë nga i gjithë planeti. Producentja ime ka qenë një anëtare e rregullt e këtij evenimenti dhe këtë vit do të prezantohet me projektin tim. Gjithashtu pjesë e suksesit të përfshirjes së projektit në këtë eveniment është edhe subjekti që trajton projekti si dhe tema universale që mbart ky si projekt.

Prej vitesh ju jetoni në Nju Jork. Pse ky largim drejt Amerikës dhe le të themi jo drejt një vendi tjetër? Sa e favorshme është klima artistike dhe jo vetëm në këtë vend për të rritur profesionalisht një kineast?

Amerika siç e dini është vendi i mundësive të mëdha. Por, mbi të gjitha Amerika është vendi i emigrantëve, ku të gjithë ndihen të barabartë, ku shprehjet, ofendimet dhe veprimet raciale që i dëgjojmë me bollëk nëpër rrugët, qeveritë dhe mediat evropiane nuk ekzistojnë. Dhe kjo në vetvete të jep një qetësi të madhe psikologjike, të cilën mund ta kthesh në energji pozitive dhe krijuese. Ndërsa për sa i përket klimës artistike, dihet që Nju Jorku është një nga kryeqytetet e artit. Është qyteti i muzeve dhe i operave nga më të mëdhatë dhe prestigjiozet në botë, qyteti i Broadway-it, i kinemave dhe teatrove, ku performojnë aktorë nga e gjithë bota dhe me famë, rrugët e të cilit janë të mbushura me artistë dhe me kompani prodhimi filmash. Gjithashtu nuk duhet harruar që Nju Jorku është qyteti numër një i prodhimit të filmave indipendent. Por, në të njëjtë kohë kjo do të thotë që edhe konkurrenca është më e madhe dhe më e fortë. Pra, duhet shumë, shumë punë, dhe pak talent. Nga ana tjetër e mira e kësaj ane është se të bën edhe më kërkues ndaj vetes, të bën më të vetëdijshëm ndaj botës që të rrethon dhe të mëson më shumë për nevojat që ka publiku apo shoqëria e gjerë. Duke u ballafaquar me një prurje të madhe filmash dhe me një mori temash që vijnë nga çdo cep i botës, si kineast nuk ke sesi të mos mësosh nga kulturat e këtyre vendeve, nga problemet e tyre dhe nuk ke sesi të mos rritesh dhe të ecësh përpara si krijues, por edhe si individ.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›