E Diel, 1 Nëntor 2026

Një film rus përÇernobilin 25 vjetpas katastrofës

MOSKË- Një film për Çernobilin, shfaqur sot në Moskë, disa ditë nga 25-vjetori i katastrofës më të rëndë bërthamore civile, kujton vonesën kriminale të autoriteteve të asaj kohe lidhur me pranimin e rëndësisë së aksidentit dhe paralajmërimin e popullsisë që ishte e ekspozuar pa e ditur ndaj rrezatimit.
Shfaqja e këtij filmi "Një e shtunë e qetë", e regjisorit Alexandre Mindadze, vjen dy javë pas tërmetit dhe cunamit, që shkaktoi disa shpërthime në centralin japonez të Fukushimas dhe që shtoi frikën e një përsëritjeje të Çernobilit. Autoritet japoneze janë kritikuar për komunikim jo të mirë.
Heroi i filmit, Valera, instruktor i ri i Partisë Komuniste ukrainase, mëson rastësisht se një shpërthim ka ndodhur në centralin bërthamor të Çernobilit dhe përpiqet të largohet nga Pripiati, qytet në afërsi të centralit.
Por, ai humbet trenin e fundit që largohej nga qyteti pasi priti mikun e tij, i cili erdhi me vonesë dhe e gjen veten në një mbrëmje dasme ku luan në bateri me një grup roku dhe pi verë deri sa dehet.
Fatalizmi i Valeras, që më në fund vendos të qëndrojë në zonën e Çernobilit duke njohur rrezikun që i kanoset, i bën jehonë përvojës personale të regjisorit.
Mindadze shpjegoi për të përditshmen ruse "Kommersant" se në momentin e katastrofës së Çernobilit, ai kishte shkuar të filmonte në Bjellorusi, vend fqinj me Ukrainën, kufiri i të cilit është pranë zonës së centralit.
"Zërat veçse shtoheshin, por ne nuk i merrnin seriozisht. Ishte thjesht një justifikim për t'u shëruar me verë të kuqe", shtoi Mindadze, duke iu referuar një besimi popullor sipas të cilit vera e kuqe lufton efektet e rrezatimit.
Në film, miqtë e Valeras tallen me paralajmërimet për rrezikun, edhe pasi shohin flakët që dalin nga centrali i Çernobilit, në një skenë që të kujton ambientin pothuaj anarkik që mbretëroi në ditët pas shpërthimit të 26 prillit 1986.
"Ajo që doja të tregoja nuk ishte realitet vetëm dje, por fatkeqësisht është edhe sot", deklaroi Mindadze në një intervistë për agjencinë "Ria Novosti".
Pas shpërthimit të reaktorit 4 të centralit të Çernobilit, autoritetet sovjetike pritën shumë ditë para se të bënin publik aksidentin dhe të evakuonin banorët e zonës së kontaminuar.
"Një e shtunë e qetë" tregon zyrtarë që refuzojnë të pranojnë shkallën e katastrofës.
"Rezistenca e reaktorit është 100 për qind e besueshme, ju siguroj", shprehet një nga ata në kulmin e histerisë, duke këmbëngulur në nevojën e afrimit edhe më tepër tek centrali, megjithë rritjen e nivelit të rrezatimit që tregojnë instrumentat e matjes.
Në radhët e popullsisë, disa janë të ndërgjegjshëm për rrezikun dhe dynden drejt një treni mallrash që kalon në Pripiat, ku trenat e pasagjerëve nuk ndalojnë më. Por, shumica vazhdojnë aktivitetet e tyre të përditshme sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
"Disa e dinin se çfarë po ndodhte, disa të tjerë jo, por askush nuk u largua, përveç zyrtarëve të Partisë Komuniste", deklaroi Mindadze për "Kommersant".
Filmi u xhirua në Svetlodarsk, në lindje të Ukrainës, pranë një centrali elektrik që ngjason me atë të Çernobilit falë efekteve speciale.
Filmi, që pritej të shfaqej sot në Bjellorusi, vend që vuajti më tepër pasojat e mbetjeve radioaktive të Çernobilit, por u tërhoq papritur nga programacioni, pasi një zyrtar i kinemave në Minsk citoi disa probleme që lidhen me të drejtën e shpërndarjes së tij.
Vetëm tre ose katër filma janë xhiruar në Rusi dhe në Ukrainë për katastrofën e Çernobilit dhe asnjë nuk ka njohur sukses publik deri më sot.

(d.b/AFP/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›