E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një film shqiptar në ‘Imperial’

Korrupsioni tipik vendas, por i përcjellë me një gjuhë kinematografike perëndimore, vjen në filmin “Out of touch/E pakapshme”, i regjisorit Andi Deliana, që po shfaqet në Kinema ‘Imperial’.

Një bashkëprodhim shqiptaro-amerikan, i gjinisë triler, përzier me nuanca aksioni dhe gangster. I bazuar në ngjarje reale, struktura e filmit përmban disa histori të ndara në pesë kapituj, që janë në funksion të njëri-tjetrit.

Ngjarja në total zhvillohet në 24 orë, ndërkohë që rrëfimi ka rikthime në kohë. Të gjithë personazhet përpiqen të ndreqin situata të disfavorshme, pa patur skrupuj e pa njohur limite.

Këtu, të gjithë personazhet janë negative. Vlerat janë të gjitha të përmbysura, ndërsa njeriu që rrëfen historinë është ai që ka vlerat më negative. Është krejtësisht ndryshe nga të gjithë filmat e tjerë të mëparshëm, kur personazhi pozitiv përcjell vlerat dhe në fund bëhet hero. Kjo nuk ndodh në “Out of Touch”. Të gjithë janë antiheronj dhe kush është më i keqi, në fund del triumfues.

Ne rolet kryesore luajnë Gent Zenelaj, Andi Deliana, Esmeralda Stefa, Elidon Alikaj, Andi Perlala. Një film dinamik, jo vetëm në ngjarje por edhe në estetikë.

“Jam krenar të them që kemi përdorur për herë të parë efekte të panumërta në imazh dhe akoma edhe më shumë në zë”, shtoi regjisori. Kur korrupsioni mbulon gjithçka, zanafilla behet e pakapshme.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›