E Diel, 1 Nëntor 2026

Piktorja gjermano-shqiptare: Arti pamor shqiptar është arti i Lindjes

Bukurie Oseku Dalladaku, me një karrierë të suksesshme në Gjermani, prezantohet për herë të parë para publikut artdashës shqiptar me ekspozitën “Fytyra e tjetrit”

Bukurie Oseku Dalladaku është një shqiptaro-gjermane, që karrierën e saj e ka ngritur prej vitesh në Gjermani. Për herë të parë ajo i prezantohet publikut shqiptar në një ekspozitë titulluar “Fytyra e tjetrit”, që është çelur në Muzeun Historik Kombëtar. Ekspozita përmban 33 punime, me teknikën vaj në pëlhurë, që pasqyrojnë një cikël fytyrash dhe maskash, të përmasave të ndryshme. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë shumë personalitete të politikës dhe artit pamor, disa prej tyre Bukuria i shihte për herë të parë. E gjetëm teksa u ngjiste etiketat pikturave thuajse të gjitha portrete herë të qarta e herë të fshehura pas një maske. Rrallëherë fytyra njerëzore dallon mbi maskat. “Njeriu e ka të pamundur që të shfaqet ashtu siç është, madje i fshehur pas një maske ndodh që të jetë më i sinqertë sesa me fytyrën e tij të vërtetë”. Në një intervistë për MAPO, Bukuria përcjell mesazhet e një ekspozite, që më shumë se art është mendim e më shumë se mendim është fjalë. Bukurie Oseku Dalladaku është gjithashtu profesoreshë e pikturës në Akademinë e Arteve në Lahr të Gjermanisë, e njëkohësisht është dhe anëtare e Shoqatës së Piktorëve në Gjermani. Ajo ka hapur ekspozita personale në qytete të ndryshme të këtij shteti dhe ka merituar vëmendjen e medias së atjeshme; ka hapur ekspozita vetjake gjithashtu edhe në Prishtinë, Shkup dhe Strugë.

Keni çelur ekspozita jo vetëm në Gjermani, por thuajse në të gjithë Europën Perëndimore dhe për herë të parë prezantoheni me një ekspozitë para publikut shqiptar. Përse vendosët tani?

Kjo është ekspozita ime e parë në Shqipëri, sepse tani m’u dha rasti të prezantohem në Shqipëri. Unë jam shqiptare nga Maqedonia dhe Kosova, dhe jetoj e punoj në Gjermani prej 27 vitesh.

Përse fytyrat tuaja janë të fshehura pas një maske? Nga janë frymëzuar maskat tuaja?

Ky është një cikël i fytyrave dhe maskave, prandaj dhe titulli i ekspozitës është fytyra e dikujt tjetër. Shumica e këtyre fytyrave janë më shumë maska ose rrallëherë paraqesin fytyrën njerëzore. Më shumë janë fytyra pas së cilave fshihet njeriu. Ato tregojnë momente të ndryshme emocionale të njerëzve dhe kanë elemente të mendimeve, mentaliteteve dhe traditave të ndryshme, aq sa shkon nganjëherë deri tek arkaikja...deri tek kulturat antike. Jam frymëzuar edhe prej maskave afrikane, aziatike, amerikane apo europiane, të cilat kanë një traditë shumë të lashtë. Për sa i përket anës psikologjike mundohem të përshkruaj atë momentin kur njeriu e ka më të lehtë të fshihet pas një maske dhe ndoshta është shumë më i sinqertë ndonjëherë kur fshihet pas një maske. Gjatë jetës së tij, njeriu e gjen veten që në faza të ndryshme vesh një maskë të ndryshme, jo në kuptimin negativ. Ndoshta situata të ndryshme i diktojnë të shfaqet me fytyra të ndryshme. Brenda një ditë njeriut i duhet të përdorë më shumë se një maskë.

Maska që shfaqet është një simbol në punën tuaj? Mesazhi që ju doni të përcillni duket se ka një kontradiktë në vetvete...Ju si e keni perceptuar?

Po, maska këtu është një simbolikë, nuk jam munduar të sjell maskën si objekt, por si simbol. Dhe është e vërtetë që ka një kontradiktë në vetvete, sepse mendoj se është e pamundur të mos mbahet maska. Duam apo s’duam ne është e pamundur që në situata të ndryshme të mos vëmë maskën që i përshtatet atij momenti. Mesazhi i punës sime është se njeriu sado që të shndërrohet, madje herë-herë ndodh që zhduket plotësisht duke u bërë pjesë e mjedisit dhe shoqërisë, prapë në qendër të punimeve të mia është një figurë që është stabile, monumentale dhe ka fytyrën e vet. Pra, njeriu pas çdo maske shfaq veten e tij.

E njihni artin pamor shqiptar?

E përcjell aq sa mundem në Gjermani dhe mendoj se ka një të ardhme. Ne jemi një komb me moshë të re dhe energji të jashtëzakonshme. Por shihet dallimi mes artit lindor dhe perëndimor, sepse arti është pjesë e shoqërisë dhe reflekton realitetin shoqëror e në momentin që këto dy shoqëri kanë qenë të ndara në mendësi, kjo shfaqet edhe në art. Por edhe momenti i hapjes së Lindjes ndaj Perëndimit sërish ka ndikimet e veta të dukshme. P.sh., në këtë moment që arti shqiptar është i hapur ndaj Perëndimit, mendoj se ka një shpërthim, transmeton energji që është mbledhur nga vite e vite të tëra izolimi. E kjo është një nxitje për t’iu bashkangjitur artit perëndimor.

Mbiemri juaj i parë është Oseku. Në Shqipëri ky është një emër i rëndësishëm i artit pamor. Çfarë ju lidh me Ali Osekun, i cili mbajti dhe fjalën e hapjes së ekspozitës suaj?

Është rastësi në fakt që Ali Oseku çeli ekspozitën time. Ndodhi që shfaqi dëshirën të mbante ai fjalën e hapjes, pasi ishte njohur me punët e mia. Ne të dy kemi prejardhjen (origjinën) nga Gjakova dhe diku-diku prejardhjet tona përputhen.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›