Një fitore për të gjithë
Votuesit shqiptarë do të hedhin votën e tyre sot, në një ditë që do të vendosë fatet e Shqipërisë. Ata që kanë të drejtën e votës dhe që do të kenë mundësi të votojnë, do të jenë para një vendimi që i kalon caqet e interesave personale, familjes dhe rrethit të tyre miqësor e pasuror. Vota e tyre sot vendos për kursin që do të ndjekë vendi, ende në mes të rrugës së stërzgjatur të tranzicionit më të vështirë që ka përjetuar ndonjë vend ish-komunist. Veçantia e votës së sotme është se zgjedhësit shqiptarë do të duhet që, përveç kërkimit të një shoqërie më të drejtë, më demokratike dhe më të zhvilluar, do të duhet të bëjnë edhe hapin tjetër drejt ndarjes përfundimtare me ideologjinë e partisë-shtet, përqendrimit të pushtetit në duart e një klani të ngushtë njerëzish dhe përdorimit të pushtetit abuzivisht vetëm prej një kaste që përfiton padrejtësisht të mirat materiale.
Vota e sotme për opozitën e majtë, që drejtohet nga Partia Socialiste dhe lideri i saj Edi Rama, nuk do të jetë një fitore vetëm për shumicën e elektoratit shqiptar, që ka treguar, siç ishin zgjedhjet vendore të 18 shkurtit 2007, se janë me socialdemokracinë Perëndimore dhe ëndërrojnë një shoqëri që është sot simbol i stabilitetit dhe mirëqenies. Vota për të majtën do të jetë një fitore për mbarë shoqërinë shqiptare, dhe padyshim edhe për votuesit e partisë së Kryeministrit ende në detyrë, Sali Berisha. Një votë për të nxjerrë atë në opozitë, është si ajo vota që dha elektorati më 3 korrik 2005, sidomos, sot, kur katër vite më pas, plaga që ka hapur qeveria trashëguese e pushtetit qendror, është më e majisur se atëherë kur pushtetin e la qeveria e ish-Kryeministrit Nano.
Kur mori frenat e pushtetit në shtator 2005, lideri i PD-së ishte njeriu që kishte premtuar shumë. Për katër vite, ai tregoi se nuk ishte i aftë t'i mbante këto premtime politike dhe ekonomike për vendin dhe u mundua që në muajt e fundit të retushonte portretin e një pushteti qendror, që kishte punuar vetëm për veten e vet, konsolidimin e pushtetit ekonomik dhe përqendrimin e të gjitha pushteteve në duart e pak njerëzve, të komanduar direkt prej tij. Ai erdhi në pushtet me zotimin se do të ishte njeriu me tolerancë zero ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, pra, ndryshe nga ç'kishte bërë paraardhësi i tij socialist. Por, qeveria, nga ministrat deri te zyrtarët e nivelit më të ulët, u bënë aktorë dhe përfitues të skemës korruptive që gërreu sërish strukturat e shtetit ligjor. Me dy ministra që kanë dosjet voluminoze në duart e drejtësisë shqiptare, me skandale si abuzimet me rrugën Durrës-Kukës-Morinë, me një dëm ekonomik mbi 230 milionë euro, me tragjedinë qeveritare të Gërdecit, që u mori jetën 26 shtetasve e gjymtoi mbi 300 të tjerë dhe me mijëra dosjet korruptive të zyrtarëve të tjerë, qeverisja e Berishës do të hyjë në analet e historisë për rekordet negative të ekzekutivëve, të paktën prej marsit 1997, kur pushteti i drejtuar po prej, tij u shkërmoq në kaos dhe dhunë pas zhdukjes së 1.2 miliardë dollarëve të kursimtarëve shqiptarë, në skemat piramidale të lejuara nga qeveria e PD-së. Qeverisja e shqiptarëve vijoi në të njëjtat shina si ajo e ish-Kryeministrit Nano dhe ata patën më pak përfitime nga privatizimet e shërbimeve publike, nga administrata e militantizuar, me rritje minimale të rrogave dhe pensioneve që janë zhvleftësuar nga shtrenjtimi i mallrave të shportës dhe nga rritja e inflacionit. Sondazhet e shumta përgjatë këtyre viteve treguan se shqiptarët përfituan më pak, kursyen më pak dhe u varfëruan më shumë. Të ardhurat për frymë, sipas raporteve të FMN-së, Bankës Botërore dhe agjencive statistikore, patën një rritje shumë të ulët në vitet 2005-2008, krahasuar me rritjen domethënëse të viteve 2001-2005 dhe sot shqiptarët po përballojnë çmime gjithnjë në rritje për shërbimet parësore në energji, ujë, shëndet, arsim dhe transport.
Qeveria e drejtuar nga z. Berisha, me gjithë ndihmën monetare dhe asistencën teknike të donatorëve të huaj, nuk arriti të ngrejë një shoqëri me mundësi të barabarta për të gjithë, sipas aftësive, nuk u dha shansin atyre që patën paranë dhe vizionin të investonin për të mirën e tyre dhe në përfitim të shoqërisë. 13 mijë bizneset e mbyllura vetëm muajt e fundit në QKR ishin treguesi i saktë i lirisë së munguar në bërjen e biznesit në vend. Duke mos patur fatin e atij biznesi që kishte kaluar më parë nga zyra e Kryeministrit, kish bërë konsulencën juridike te zyra e vajzës së tij dhe që ka kapur investimet më të rëndësishme të vendit. Lejet e koncesionit u dhanë për të shpërblyer qeveritarët dhe njerëzit e tyre. Vendi sot është peng i investimeve të huaja apo thjesht me koperturë të huaj, që kanë lidhje vetëm me investime që shkatërrojnë mjedisin, si TEC-i, Petrolifera apo fabrikat e çimentos. Dhe do të ishte, larg qoftë, edhe terreni i centraleve bërthamore që do të furnizonin me energji vendet fqinje.
Nën drejtimin e pushtetit të Berishës, shoqëria shqiptare u bë më pak demokratike dhe më e polarizuar. Me idenë fikse të kontrollit të të gjitha pushteteve, qeveria e tij hyri në luftë me institucionet e pavarura kushtetuese dhe për tre vite, kryefjala e agjendës politike të qeverisë ishte kontrolli i Prokurorisë së Përgjithshme, shkallëve të gjyqësorit, apo institucioneve të tjera. Ashtu siç e tregoi fushata e egër dhe armiqësore, që PD-ja aplikoi para votimeve të sotme, shqiptarët u ndanë në "blu" dhe të "kuq", duke mbjellë hapur frymën e përçarjes dhe të kundërvënies mes shtetasve.
Vota e sotme për opozitën e majtë, është sot një votë edhe për të djathtën. Prejse mori frenat e lëvizjes antikomuniste në dhjetor '90-të,, ish-komunisti Berisha ka privatizuar partinë e parë opozitare të pluralizmit shqiptar, duke e shndërruar atë në një parti totalitariste. Figura të rëndësishme të fillimeve të PD-së sot janë kundërshtarët e tij në zgjedhje dhe disa të paktë, pasi bënë disa divorce, i janë nënshtruar "Unit" të tij në PD, ku mungon liria e fjalës, nuk ekziston vendimmarrja, nuk funksionojnë forumet partiake dhe i vetmi që vetëvendos dhe vetëvulos, është kryetari.
Në zgjedhjet e 3 korrikut 2005, votuesit shqiptarë shkuan të lodhur nga qeverisja e korruptuar e një të majtë që ishte konsumuar për tetë vite në pushtet, edhe pse kishte bërë shumë për të ringritur shtetin që e la gërmadhë Berisha në pranverën '97-ës. Sot, në zgjedhjet e 28 qershorit 2009, shqiptarët shkojnë sërish drejt kutive të votimit, të stërlodhur dhe të dërrmuar nga një qeverisje që, për katër vite, hëngri veten dhe rrezikoi të na kthente në 12 vite pas. Për të hedhur një votë, jo vetëm për të fituar e majta, por të gjithë.