Një flutur me kapuç dhe dorashka
Fluturat i marrin ngjyrat nga dyqani, thotë Sindi. Tani në dimër fluturat ikin te foleja, marrin ca shall dhe një kapuç, shprehet Ajvi. Marrin edhe dorashka, përgjigjet Klea. Në grupin e dytë të kopshtit 52 të kryeqytetit po diskutohet për fluturën. Fëmijët e moshës 5 vjeç po japin mendimet e tyre lidhur me fluturat: çfarë janë ato, si riprodhohen, çbëjnë në dimër etj. Mësuese Mihirija, nga ana tjetër, mban shënim fjalët e tyre dhe i nxit me të tjera pyetje për të folur më shumë. Pastaj gjithçka i kthehet praktikës. Marrin materiale të ndryshme, tel, rrjetë, ngjitëse, bidona dhe fillojnë ta vënë fantazinë në punë duke krijuar që nga larvat e fluturave e deri te fluturat. Fantazia është e tillë që në fillim, ata që skanë dëgjuar shumë për fluturën, vizatojnë diçka që ka më tepër ngjashmëri me fytyrën e njeriut: me sy, hundë, buzë e veshë. Më pas, ndërsa ata diskutojnë dhe mësuesja ndërhyn fare pak, sa për ti orientuar, gjërat bëhen edhe më të qarta.
Në ciklin parashkollor (kopshtet) përdoren dy metoda mësimdhënie: Rexhio Emilia, e cila është edhe ajo çka u përshkrua më sipër, si dhe metoda standarde e përcaktuar nga MASH-i, që është një gërshetim i metodës tradicionale me metodën hap pas hapi, në qendër të së cilës është fëmija.
Mësuese Mihirije Gega, e cila është e para që ka futur metodën Rexhio Emilia në Shqipëri, në kopshtin 52 në kryeqytet tregon se në qendër të kësaj filozofie është që kopshti të japë idenë e vazhdimësisë së jetës.
Mbështetësit kryesorë janë komuniteti i prindërve, të cilët kanë të drejtë të jenë të informuar, të dëgjuar dhe pjesëmarrës në jetën dhe zhvillimin e fëmijës së tyre në kopësht. Atyre iu bëhet e ditur që në fillim që e gjithë historia që po nis, do të bëhet së bashku: mësues-fëmijë-prindër. Prindërit ndihmojnë ekonomikisht kur gjatë një projekti u nevojitet ndonjë element (p.sh.: tel), ndihmojnë me ide të ndryshme gjatë projekteve, por edhe zgjidhin problemet që mund të kenë në kopësht (rregullojnë derën e një rafti të prishur). Roli i mësuesit merr një dimension të ri. Nuk është më dikush që di gjithçka, por është një partner i fëmijëve që lehtëson të nxënët duke planifikuar projekte që reflektojnë interesat e fëmijëve. Fëmijëve u krijohet mundësia të bëjnë lidhjen e informacioneve të marra me informacionet e reja duke u përfshirë në detyra origjinale. Një gjë e tillë, p.sh. ishte rasti i fluturës. Pas diskutimit për këtë insekt, ata nisën ta vizatonin e pastaj ta krijonin fluturën me materiale.
Mihirije Gega thotë se mësuesi i jep rëndësi aftësisë së tyre për të improvizuar, për të shijuar të papriturën. Si një shok mësuesi (edukatorja) gjendet brenda ambjentit të të nxënit, si bashkëudhëtarë në rrugën e gjatë e të vështirë të njohjes. Mjedisi është shumë i rëndësishëm. Një mjedis i sistemuar mirë është sikur të kesh një mësues të tretë në grup. Ambjenti është mikpritës, stimulues dhe tregon gjurmët e atyre fëmijëve që jetojnë aty.
Projektet janë një mënyrë shumë e mirë e të nxënit, gjatë të cilit fëmijëve u jepet mundësia të shprehin dhe zhvillojnë gjithë potencialin që kanë brenda tyre. Si nisin projektet? Shpeshherë marrin shkas nga ndonjë ndodhi që ngjall interesin dhe dëshirën e fëmijëve për tu thelluar në një temë të caktuar. Por jo rrallë është i rrituri (edukatorja) ai që krijon një situatë për tu tërhequr vëmendjen dhe për të nxitur fëmijët të kërkojnë të dinë më shumë, dhe më pas të mësojnë së bashku. E veçanta e kësaj metode është që çdo projekt dokumentohet. Gjatë punës fotografohet çdo moment, fëmijët janë gjithë kohës duke punuar. Fillimisht marrin informacion për objektin, më pas e vizatojnë dhe në fund e ndërtojnë me mjete të ndryshme, të cilat ua siguron edukatorja dhe prindërit.
Rëndësia dhe roli i punës në grup është që fëmijët të ndihen të barabartë dhe idetë e tyre të marrin jetë. Festat që festojnë fëmijët janë: Viti i Ri8 Marsi festa e nënës, 19 Mars festa e baballarëve dhe Festa e Balonave. Projektet e grupit të tretë gjatë një viti janë: deti, kalaja, kalendari, dyqani, gazeta.
Ndërkohë, ndryshe veprohet në kopshtin 22, ku praktikohet metoda e vendosur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Fëmijët ndahen në grupe të ndryshme dhe nuk punojnë me të njëjtat gjëra. Disa vizatojnë, të tjerë ndërtojnë me kube e disa luajnë me letra me kafshë. Drejtoresha e këtij kopshti Majlinda Angjele thotë se duke qenë se fëmijët janë shumë të dhënë pas lojës, edhe tema e ditës del në pah ndërsa ata luajnë. Gjithashtu përralla është pjesë e programit, pasi përmes saj dalin në pah elemente të reja. Përralla nxit vullnetin tek fëmijët, kreativitetin dhe zhvillon të folurin, shprehet Angjele, e cila pohon se aktivitetet që zhvillohen në kopësht janë të shumta dhe se prindërit janë mbështetësit kryesorë. Më parë, mësuesja (edukatorja) drejtonte gjithçka, ishte e përcaktuar në bazë të një programi sipas lëndëve të veçanta, ndërsa fëmija ishte në rolin e nxënësit. Mësimi zhvillohej pyetje-përgjigje. Ndërsa tani, me metodën Hap pas hapi nismëtari është fëmija dhe orientohet nga mësuesi. E gjithë puna është e drejtuar në bazë të qendrave të aktivitetit (bibloteka, lojërat e tavolinës etj), që janë të përcaktuara sipas fushave të veprimit.
Edukatorja Mimoza Imeraj tregon ndikimin që përrallat kanë te fëmijët. Kështu për shembull, përmes përrallave ata argëtohen, por edhe marrin informacion. Për një libër me përralla fillonte diskutimi që me kopertinën: kush e ka bërë? Kush e ka shkruar? Çrrugë bëri libri deri sa arriti në duart e tyre etj. Më pas edukatorja lexon përrallën dhe secili nga fëmijët tregon pjesën që i ka pëlqyer më shumë. E pas kësaj dikush pikturon lepurushin, një tjetër karrotën, secili merret me një pjesë të veçantë që i pëlqen më shumë. Një përrallë zgjat një javë.
Standardi që duhet të arrijnë të dyja metodat
Bashkëveprimi i rritur fëmijë, kurrikuli, partneriteti familje staf edukativ, kualifikimet e stafit dhe zhvillimi i tij profesional, administrimi, mjedisi fizik, shëndeti dhe vlerësimi.
Standardi përcaktohet si një qëllim, objektiv ose kriter i edukimit i shprehur numërikisht si një mesatare statistikore ose filozifikisht si ideal i përsosmërisë. Një kriter sipas të cilit gjykohen dhe vlerësohen elementët përbërës të edukimit. Duke iu referuar përvojave botërore, qëllimi kryesor i vendosjes së standarteve është: 1- të përcaktohen arritje të pritshme dhe të qarta për fëmijët dhe mësuesit në fushat kryesore të njohjes. 2- të ndihmohen mësuesit në drejtimet e ndryshme të zhvillimit profesional të tyre. 3- Të sigurohet që fokusimi në çdo stad, të jetë përmirësimi i institucionit parashkollor në të gjithë elementet e tij përbërëse. 4- Të realizohen veprimtari efektive në drejtim të sigurimit të partneritetit mësues-prindër-komunitet.
Kopshti nr. 22
Çdo moment i përrallës shprehet me vizatime, me ngjitje, me mjete të reciklueshme. Në punimet e tyre ka shumë ngjyra. Drejtoresha e kopshtit në zyrën e saj ka një pikturë të punuar me lëvore qepësh dhe pjesët e përfituara nga prerja e lapsave. Dhoma e gjumit është shumë e bukur, shtatë xhuxhat dhe Borëbardha janë të punuara me ngjitje dhe mbulojnë një faqe muri, por ka edhe lepurushë…
Gati për fundvitin
Ambjenti në kopshtin numër 22 është i zbukuruar me punimet e fëmijëve. Në korridor janë varur dallëndyshe dhe pëllumba të realizuara me prerje. Atmosfera e festave ka mbërritur dhe fëmijët kanë rregulluar pemën e Krishtlindjeve, kanë vendosur vargje të ndryshme në mur, kanë mësuar vjersha për Vitin e Ri, kanë menduar edhe për dhuratën që duan tu sjellë babagjyshi.
