Një fotografe mes romëve të Tiranës
Në verën e nxehtë të vitit 2009, ajo mbërriti në Tiranë me një qëllim të qartë në kokë. Do të shkrepte disa fotografi në një kamp romësh në Shqipëri. Do të kthehej në një dëshmitare, në një fotografe që pa paragjykime do të pasqyronte momente, atmosfera, vendet ku jetonte një komunitet që shpreh në mënyrë tërheqëse personalitetin e vet, dëshirën për të jetuar dhe dinjitetin e vet. Sara Munari, fotografe profesioniste, njëkohësisht edhe docente e historisë së fotografisë, reportazhit, portretit dhe kompozicionit pranë Institutit Italian të Fotografisë në Milano, sjell përmes fotografive të saj personazhe që vijnë prej një kampi romësh në Tiranë. Për një kohë u qëndroi pranë, jetoi me ta, iu gëzua detajeve të vogla të jetës njësoj si ta dhe njohu më mirë “të ndryshmit”. Prej disa ditësh, imazhet e Sarës janë shfaqur në një galeri të Romës, në një ekspozitë të organizuar nga “Amnesty International”, që edhe një herë dëshiron të vendosë theksin te të drejtat e njeriut. Në këtë kuadër, fotografia mund të jetë një instrument i nevojshëm si për të dokumentuar shkeljet dhe abuzimet, ashtu edhe për të na mësuar të afrohemi më tepër me romët, pikërisht aty ku dëshiron të na udhëheqin fotografitë e Sarës. Për imazhet e ekspozitë së titulluar “Di Treni, di Sassi, di Vento”, Sara Munari ka zgjedhur teknikën bardhezi dhe me ngjyra. Përmes këtij cikli, fotografja italiane nuk sjell vetëm një reportazh, dëshmi, dokumentim apo denoncim të ngjarjeve dhe mënyrës së jetesës së romëve, por më shumë akoma. Ashtu siç thotë edhe kuratori i ekspozitës, Diego Mormorio, Sara Munari ka ditur të shohë ngjarje, të ndjejë, të emocionohet prej një komuniteti autentik, që pavarësisht të gjithave mbetet jashtëzakonisht i lirë. “Përmes vështrimit të saj ne arrijmë të perceptojmë diçka mbi ata njerëz, fëmijë e prej asaj bote dhe kjo është edhe dhurata më e çmuar e fotografisë së saj”, shprehet Mormorio. Sara Munari është një fotografe profesioniste tepër e angazhuar në këtë fushë të artit pamor. Ekspozita, e cila është çelur më 4 mars, do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 21 të po këtij muaji.
Si lindi ideja për të fotografuar kampet rome në Shqipëri dhe përse kjo zgjedhje?
Ishte krejt e rastësishme ideja për të fotografuar kampet rome në Shqipëri, e cila është e lidhur me një workshop fotografie të mbajtur nga një kolegu im fotograf.
çfarë gjen interesante një artiste, një fotografe te ky komunitet?
Gjithçka është interesante për mua, por diversiteti, të qenit të ndryshëm, më përfshin dhe më tërheq më shumë. Ka shumë paragjykime mbi popullin rom, pranimi dhe përkrahja e të cilëve më duket e gabuar.
A ka ndonjë mesazh që dëshironi të përcillni përmes këtyre fotografive artistike?
Kam gërshetuar kampin rom të stacionit të Tiranës, duke u përqendruar mbi karakteristikat e tyre në përgjithësi: janë pa memorie, pa të ardhme, pa tradita të shkruara, lëvizin në vazhdimësi... Duke u përqendruar mbi këto detaje, më dukej budallallëk të shfaqja romët përmes fotografive të mia ashtu siç isha mësuar t’i shihja nëpër reportazhet e tjera. Kështu preferova të zgjedh një mënyrë më konceptuale, më poetike për t’i fotografuar.
Ju e keni parë nga afër mënyrën e tyre të të jetuarit, kulturën e tyre. Mund të thoni se çfarë ju ka bërë përshtypje në mënyrë të veçantë?
Personalisht më ka bërë shumë përshtypje fakti se sa të lidhur e shikojnë jetën e tyre me fatin dhe rastësinë.
Sipas këndvështrimit tuaj, a janë të paragjykuar romët në Shqipëri?
Mendoj se atyre pak u bën se çfarë mendojmë ne për ta. Shpesh kanë kundrejt nesh të njëjtat mendime negative.
“Amnisty International”, përmes mënyrave të ndryshme, synon të trumbetojë të drejtat e njeriut. Kjo ekspozitë fotografike është një projekt i ngjashëm. Mendoni se opinioni publik është i ndjeshëm karshi këtij komuniteti?
Mendoj se nuk është mjaftueshëm i ndjeshëm. Ende nuk janë marrë masat e duhura për t’i integruar tërësisht ata, apo për t’i bërë të ndihen të pavarur. Një ekspozitë, edhe pse e organizuar prej një njeriu që aparatin e ka shkrepur pa asnjë paragjykim, është ende e nevojshme, të paktën kështu shpresoj!
Cili është fokusi i fotografisë tuaj, çfarë ju pëlqen të nxirrni më shumë në pah?
Më pëlqen të fotografoj “përjashtimin” në gjithçka, më pëlqen të fotografoj atë që bën diferencën!
Nëse do të ktheheshit sërish në Shqipëri, çfarë do t’ju pëlqente të fotografonit sërish?
Do të kthehesha në Shqipëri për të vazhduar punën, duke fotografuar të tjera kampe rome.
#