E Diel, 1 Nëntor 2026

Përgjimet 2010, kërkesat në gjykatë janë në rritje

Organet e hetimit, ndihmë për teknikën në 50-100 raste më tepër vit pas viti

Më shumë se 70 kërkesa për lejimin e përgjimeve janë dërguar në Gjykatën e Krimeve të Rënda gjatë dy muajve të parë të vitit 2010. Thuajse mbi 80 për qind e kërkesave janë pranuar, pasi strukturat e hetimit të krimeve kanë bindur prokurorin dhe më pas ky i fundit gjykatën për të dhënë leje për realizimin e tyre. Nga statistikat gjatë vitit 2009 kemi pasur 583 kërkesa për të marrë të drejtën e përgjimeve. Gjithsesi, numri i kërkesave të bëra vitin që shkoi ishte më i madh se ato të bëra në vitin 2008, ku statistikat tregojnë për 500 kërkesa, nga të cilat plot 495 janë shqyrtuar. Në vitin 2007 u bënë 459 kërkesa, të gjitha të shqyrtuara. Ndryshimet e bëra në fund të vitit 2009, në ligjin nr.9157, “Për Përgjimin e Telekomunikacioneve” neneve 6/1 dhe 8 pritet të rritin numrin e kërkesave për përgjime. Dhjetëra grupe kriminale janë vënë në pranga falë veprimeve të përgjimit me anë të pajisjeve të instaluara në vende të caktuara, të autorizuara e të kontrolluara. Mjaft komunikime janë përgjuar e regjistruar dhe më pas janë mbajtur procesverbale për transkriptimet e bisedave të përgjuara. Kjo është një nga mënyrat më të suksesshme që strukturat e hetimit të krimit përdorin për të dokumentuar veprimtarinë e grupeve kriminale. Ligji përcakton procedurat që duhet të ndiqen për përgjimin e telekomunikimeve nga institucione shtetërore informative të krijuara me ligj për realizimin e detyrave të tyre, si dhe rregullat që duhet të ndjekin personat e ngarkuar me përgjimin.

Vendimet

Qëndrimi pozitiv i gjykatës, pra dhënia e lejes për përgjime ka çuar në pranga mjaft elementë kriminalë, apo persona të dyshuar si anëtarë të grupeve kriminale që operonin në fushën e trafiqeve. Në pjesën më të madhe të rasteve, përgjimet e bisedave telefonike janë metoda më e suksesshme e përdorur për dokumentim e veprimtarive kriminale. Përgjimet shkojnë në gjykatë si “top sekret” dhe kërkesat dhe vendimet për to mbahen në dosje të veçanta. Ato referohen nga prokurori dhe më pas marrin aprovimin ose jo të gjyqtarit që shqyrton ligjshmërinë e tyre. Faktet kanë treguar se jo gjithnjë përgjimet janë vlerësuar si të ligjshme. Togat e zeza e detyrojnë përfaqësuesin e akuzës të paraqesë kërkesën në përputhje dhe respekt të plotë të ligjit të përgjimeve. Nuk kanë munguar edhe rastet kur gjykata vendos të rrëzojë kërkesën e prokurorisë. Referuar statistikave të një viti më parë, refuzimet e kërkesave janë vetëm pak në krahasim me numrin e përgjithshëm të paraqitur në gjykatë. Vitin e kaluar, pas miratimit të këtyre kërkesave kanë nisur përgjimet për shumë persona të cilët dyshohej se ushtronin aktivitet kriminal, por duhej të kryhej dokumentimi me prova të besueshme që më pas të realizohej arrestimi i tyre. Provat e mbledhura me anë të përgjimeve të bisedave telefonike janë përdorur për ta si të pakontestueshme, në marrjen e masës së arrestit me burg dhe më pas, ato dhe të tjera, i kanë lënë me “gisht në gojë” trafikantët. Përgjimet mund të kryhen edhe kur të pandehurit ndodhen në ambientet e paraburgimit dhe arrestimi i tyre është bërë pikërisht pas dokumentimit të aktivitetit të tyre kriminal. Pas kërkesës së prokurorit ose organit të interesuar, gjykata autorizon përgjimin me vendim të argumentuar në përputhje me ligjin, kur ai është i domosdoshëm për vazhdimin e hetimeve të filluara dhe vetëm atëherë kur ka prova të mjaftueshme për vërtetimin e akuzës. Në rastet e situatave emergjente, prokurori, me kërkesë verbale të drejtuesit të institucionit që kryhen hetime, të përcaktuar sipas nenit 6 të ligjit, urdhëron me shkrim realizimin teknik të procesit të përgjimit. Urdhri regjistrohet menjëherë në evidenca. Me regjistrimin e urdhrit, specialistet e Sektorit të Përgjimeve realizojnë procesin e përgjimit. Brenda 24 orëve nga fillimi i përgjimit, institucioni shtetëror informativ që ka bërë kërkesën, i paraqet organit të akuzës kërkesën e rregullt me shkrim, e cila përmban arsyet e veprimeve emergjente së bashku me komunikimin e përgjuar të zbardhur. Mbi këtë bazë merret vendimi përkatës për vazhdimin ose ndërprerjen e përgjimit. Të gjitha vendimet e përgjimit janë të vlefshme për një periudhe deri në tre muaj. Për çdo zgjatje të këtij afati, institucioni shtetëror informativ paraqet në prokurori një kërkesë së bashku me materialin e deriatëhershëm të zbardhur. çdo zgjatje afati nuk mund të jetë më tepër se tre muaj.

Dokumentacioni

Organet që kanë realizuar përgjimin e autorizuar i dorëzojnë menjëherë dokumentacionin e grumbulluar prokurorit dhe brenda disa ditëve ato depozitohen në sekretari bashkë me aktet që kanë urdhëruar, autorizuar, vleftësuar dhe zgjatur përgjimin në rast se ka ndodhur kjo e fundit. Vetëm në rastin kur nga depozitimi mund të dëmtohen hetimet, gjykata autorizon përfaqësuesin e akuzës që ta shtyjë ndërmarrjen e veprimit të mësipërm deri në përfundimin e hetimeve paraprake. Avokati i personit të përgjuar vihet menjëherë në dijeni për depozitimin në sekretari të materialeve të përgjimit dhe kanë të drejtë të dëgjojnë regjistrimet apo lexojnë zbardhjen e bisedave. Gjykata, pasi dëgjon prokurorin dhe avokatin e të pandehurit, vendos të heqë regjistrimet të cilat klasifikohen si të ndaluara për t’u përdorur, ndërsa urdhëron transkriptimin e plotë të regjistrimeve që konsiderohen të vlefshme. Regjistrimet e zbardhura futen në dosjen e gjykimit, ndërsa avokatit i jepet një fotokopje e tyre.

Vendimi që autorizon përgjimin tregon mënyrën e kryerjes dhe kohëzgjatjen e veprimeve, e cila nuk mund të kalojë afatin e përcaktuar. Ky afat, me kërkesë të prokurorit, mund të zgjatet nga gjykata sa herë është e nevojshme për procesin. Për kryerjen e përgjimit, prokurori vepron vetë ose me anën e një oficeri të policisë gjyqësore. Në regjistrin që mbahet në prokurori shënohen aktet që urdhërojnë, autorizojnë, vleftësojnë ose zgjasin përgjimet, si dhe fillimin e mbarimin e veprimeve të çdo përgjimi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›