E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja Kombëtare mblidhet në Vorë për të analizuar tragjedinë e Gërdecit

Rama mbledh në Vorë Asamblenë Kombëtare të PS, ku do të analizohen rezultatet e aktiviteteve politike të PS në tre muajt që lamë pas. Vora është zgjedhur të jetë vendi ku do mblidhen anëtarët e këtij forumi të lartë të PS, me qëllim të caktuar për të prekur më nga afër problemet e komunitetit të kësaj zone, pas tragjedisë së Gërdecit. Situata politike në vend, kryesisht pas ngjarjes së Gërdecit, procesi i reformave dhe roli i PS në këto reforma, si dhe çështje të tjera organizative pritet të jenë axhenda e diskutimeve në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS, e cila do të zhvillohet të martën e ardhshme në Vorë.

Burime pranë PS thanë dje, se në mbledhjen e Asamblesë do të vendoset gjithashtu se cilat do të jenë lëvizjet politike që do të ndjekë PS përgjatë muajve në vazhdim. Në qendër të vëmendjes, përgjatë përcaktimit të hapave që do të ndjekë PS, pritet të jetë çështja e protestave kundër qeverisë ‘Berisha’, të mbështetura kryesisht te tragjedia e Gërdecit. Në mbledhjen e së martës, Asambleja Kombëtare pritet që veç të tjerash, të miratojë një projekt politik për muajt në vazhdim, duke e konsideruar një vit të rëndësishëm për të përfunduar të gjitha problemet organizative të partisë, për të qenë e gatshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit të ardhshëm. Një analizë e detajuar pritet të zhvillohet për qëndrimet politike që ka mbajtur PS, qysh prej momentit kur kryetari i kësaj partie deklaroi se PS do të bashkëpunojë me mazhorancën për procesin e integrimit në NATO. Pritet të analizohet ecuria e procesit të reformës në drejtësi dhe ajo zgjedhore, si dhe hapat e ndjekur deri tani nga bashkëpunimi i PS me mazhorancën në funksion të kryerjes së këtyre dy reformave të rëndësishme. Çështja e reformës zgjedhore pritet të jetë gjithashtu një pikë e rëndësishme debati e kësaj mbledhjeje.

Organizimi i protestave

Deputetët e PS janë shpërndarë në zonat e tyre elektorale për të organizuar elektoratin socialist për protestat e pritshme kundër qeverisë ‘Berisha’, që do të vazhdojnë të organozohen nga PS. Burime pranë grupit parlamentar thanë dje, se deputetët janë ndeshur me kontestimet e elektoratit për lëvizjet politike të lidershipit të PS përgjatë tragjedisë së Gërdecit. Sipas burimeve, është konstatuar se një pjesë e konsiderueshme e elektoratit socialist janë në kundërshtim me qëndrimin që mbajti kryetari i PS dhe drejtues të tjerë të kësaj partie përgjatë tragjedisë së Gërdecit, duke e konsideruar një shans të humbur për PS mosshfrytëzimin e situatës për të rrëzuar qeverinë ‘Berisha’. Deputetët janë përpjekur të sqarojnë elektoratin në zonat përkatëse, duke u bazuar te domosdoshmëria e reformave në funksion të anëtarësimit në NATO. Ata kanë argumentuar para elektoratit të majtë, se Samiti i Bukureshtit, ku do të anëtarësohej Shqipëria, ishte në një afat kohor tepër të afërt me tragjedinë e Gërdecit dhe kjo përbënte një pengesë kryesore për PS për të nisur një proces intensiv protestash, me qëllim të qartë rrëzimin e qeverisë dhe krjimin e kushteve për zgjedhje të parakohshme. Një situatë e tillë, kanë argumentuar ata, do të sillte destabilitet për vendin dhe për pasojë dëmtimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Deputetët socialistë vazhdojnë takimet në bazë për të organizuar protestën e së premtes, e paralajmëruar nga kryetari i PS dhe e konceptuar si manifestim, ku do të festohet për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, njëherësh do të protestohet kundër Berishës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›