Hapat që ndjekin vendet e ftuara për t’u bërë anëtarë me të drejta të plota në NATO
Vendet që kërkojnë anëtarësimin në NATO duhet të kenë aftësinë për të demonstruar se janë në pozita për të përmbushur principet që dalin nga Traktati i Uashingtonit i vitit 1949 dhe të kontribuojnë për sigurinë në zonën euro-atlantike.
Gjithashtu, ata pritet të plotësojnë disa principe politike, ekonomike dhe ushtarake, që janë paraqitur dhe në studimin e vitit 1995, me titull “Zgjerimi i NATO-s”. Këto përfshijnë aftësinë për të provuar se:
Ata janë në gjendje të ndërtojnë një demokraci funksionale të bazuar në ekonominë e tregut;
Ata i trajtojnë minoritetet në përputhje me udhëzimet e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë;
Ata kanë punuar për të zgjidhur problemet e dala me fqinjët dhe kanë bërë një angazhim të përgjithshëm për zgjidhje paqësore të problemeve;
Ata kanë aftësinë dhe dëshirën për të kontribuar ushtarakisht për Aleancën;
Ata janë të angazhuar për marrëdhënie demokratike civile-ushtarake.
Në momentin që ata ftohen për të nisur bisedimet për anëtarësim, hapat kryesorë janë:
1. Bisedimet për anëtarësim me një ekip të NATO-s
Këto bisedime zhvillohen në zyrat qendrore të NATO-s, në Bruksel dhe bashkojnë ekipet e ekspertëve të NATO-s dhe përfaqësues të të ftuarve individualisht.
Qëllimi i tyre është që të marrin konfirmim formal nga të ftuarit për vullnetin dhe gatishmërinë e tyre për të plotësuar detyrimet dhe angazhimet politike, ligjore dhe ushtarake për anëtarësim në NATO, siç parashikohet në Traktatin e Uashingtonit dhe në Studimin e NATO-s për Zgjerimin. Bisedimet zhvillohen në dy sesione për secilin të ftuar. Në sesionin e parë, diskutohen çështje politike dhe ushtarake, duke ofruar mundësinë për t’u siguruar se parakushtet për anëtarësim janë vendosur.
Sesioni i dytë është më shumë teknik dhe përfshin diskutime për burimet, sigurinë dhe çështjet ligjore dhe gjithashtu për kontributet e secilit anëtar të ri në buxhetin e përbashkët të NATO-s.
Kjo përcaktohet në baza proporcionale, duke u bazuar në madhësinë e ekonomive të tyre në marrëdhënie me ato të vendeve të tjera të Aleancës.
Të ftuarve iu kërkohet të implementojnë masa për të siguruar mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, dhe të përgatisin shërbimet e sigurisë dhe inteligjencës për të bashkëpunuar me zyrën e NATO-s për Sigurinë.
Produkti i këtyre bisedimeve është një axhendë që duhet të përmbushet nga secili i ftuar për kompletimin e reformave të nevojshme, të cilat mund të vazhdojnë, edhe pasi këto vende të jenë bërë anëtarë të NATO-s.
2. Të ftuarit i dërgojnë letra me angazhime NATO-s, së bashku me një axhendë për kompletimin e reformave
Hapi i dytë në procesin e anëtarësimit përfshin faktin se çdo i ftuar duhet të ofrojë konfirmimin e angazhimeve dhe detyrimeve të anëtarësimit në formën e një letre me qëllimshmërinë e vendit nga çdo ministër i Jashtëm i këtyre vendeve drejt Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Bashkë me këtë letër ata përcjellin dhe një axhendë me reformat e tyre individuale.
3. Vendet e NATO-s firmosin Protokollet e Anëtarësimit
NATO më pas përgatit Protokollet e Anëtarësimit në bazë të Traktatit të Uashingtonit për secilin të ftuar. Këto protokolle janë në fakt amendime të traktatit dhe me t’u firmosur dhe ratifikuar nga aleatët, bëhen pjesë integrale e vetë Traktatit dhe lejojnë secilin vend të ftuar të bëhet pjesë e Traktatit.
4. Protokollet e Anëtarësimit ratifikohen nga vendet e NATO-s
Qeveritë e shteteve anëtarë të NATO-s ratifikojnë protokollet, bazuar mbi kërkesat dhe procedurat e tyre kombëtare. Procedurat e ratifikimit variojnë nga vendi në vend. Për shembull, Shtetet e Bashkuara kërkojnë dy të tretat e shumicës për të kaluar legjislacionin e nevojshëm për në senat. Ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar nuk është e nevojshme një votë parlamentare.
5. Sekretari i Përgjithshëm fton anëtarët potencialë të bëhen anëtarë të Traktatit të Atlantikut të Veriut
Pasi të gjitha shtetet anëtare njoftojnë qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, depozituesja e Traktatit të Uashingtonit për pranimin e protokollit të Traktatit të Atlantikut të Veriut, sipas variantit të zgjeruar me anëtarë të rinj. Pas kësaj, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s fton vendet e reja t’i bashkohen Traktatit.
6. Të ftuarit bashkohen me Traktatin e Atlantikut të Veriut në përputhje me procedurat e tyre kombëtare
7. Pas depozitimit të instrumenteve të pranimit në Departamentin amerikan të Shtetit, të ftuarit bëhen anëtarë të NATO-s.