E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers: Vendimi triumf i popullit shqiptar

 

TIRANË- Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon L. Uithers ka përshëndetur dje marrjen e ftesës së anëtarësimit në NATO nga Shqipëria dhe u shpreh ashtu si edhe Presidenti Bush, se Shqipëria do të jetë një anëtare e shkëlqyer e Aleancës. Uithers e ka konsideruar ditën e djeshme si një ditë me domethënie historike për shqiptarët dhe për amerikanët, ndaj ka shprehur përgëzimet e tij në emër të qeverisë së tij dhe popullit amerikan. "Sot, ne, populli amerikan, mes anëtarëve të tjerë të Aleancës, ju thërrasim ju, popullin shqiptar, të hyni në Aleancën më të rëndësishme të politikës së jashtme në historinë tonë. Kjo ishte Aleanca që përbënte shtyllën tonë të sigurisë gjatë gjithë Luftës së Ftohtë, kur ekzistonte kërcënimi i përplasjes bërthamore. Kjo është një Aleancë që, në kushte ekstreme, na përkushton t'ju ndihmojmë edhe me jetët e ushtarëve tanë", tha ambasadori Uithers, ndërsa theksoi se ftesa e Shqipërisë në NATO nuk ishte çështje fati apo vendndodhjeje gjeografike, dhe as një çështje përllogaritjesh gjeopolitike. Kjo ftesë, tha Uithers, është një triumf i popullit shqiptar, i asnjë partie apo një tjetre, por i të gjithë shqiptarëve, të të gjitha partive, që punojnë dhe sakrifikojnë së bashku. "Është një prej angazhimeve më të rëndësishme që ne mund të marrim përsipër për popullin shqiptar. Dhe ky angazhim njeh përkushtimin e të gjithë shqiptarëve ndaj demokracisë, sundimit të ligjit, dhe një të ardhmeje më të mirë për vendin, pas natës së errët të komunizmit", tha ai.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›