E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një ganez me emrin Silvio Berlusconi

Një imigrant ganez, i cili jeton në Itali, pagëzoi djalin e tij me emrin Silvio Berlusconi, sipas kryeministrit italian të skandaleve dhe gafave, të cilin ai megjithatë e sheh si “lider të madh politik”, njoftuan mediat italiane.

“Më pëlqen se si flet Berlusconi, si ecë. E dua si njeri, edhe pse nuk më intereson politika”, thotë Anthony Boahene, një punëtor metali, i cili jeton në Itali prej vitit 2002, derisa Berlusconi po udhëhiqte qeverinë në mandatin e tij të dytë.

Djali i tij, Silvio Berlusconi Boahene, është lindur në Accra më 2005, ndërsa babai e solli në qytetin italian të Modenas para një muaji, për t’iu bashkuar dy vëllezërve tjerë. Ai mund të bëhet shtetas italian brenda tri vitesh.

I pyetur për politikën e qeverisë së Berlusconit ndaj imigrantëve, Antohny Boahane i tha gazetës italiane Il Resto del Carlino se "ai ndjehet mirë dhe ligjet duhet respektuar”. “Kjo është njëjtë si në çdo shtet tjetër”, shtoi ai.

“Ky fëmijë do të bëhet president, i Ganës ose Italisë, nuk është me rëndësi. Kam dëshirë të studioj shkencat politike, për t’u bërë gati”, tha Boahene.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›