E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Ngërçi politik pengon të ardhmen dhe reformat

Deklarata Flet zëdhënësja e ministres së Jashtme europiane, Catherine Ashton

Një zyrtare e lartë europiane thotë për BBC-në se propozimi i Komisionit Europian që Shqipërisë dhe Bosnjës t’i ofrohet regjim pa viza në vendet e “Schengen”-it është gurëthemeli i politikës së BE-së në Ballkanin Perëndimor. Maja Koçijançiq, zëdhënësja e ministres së Jashtme europiane, Catherine Ashton, tha, megjithatë, se ngërçi politik në Shqipëri po dëmton afrimin e mëtejshëm të vendit me BE-në. Zonja Koçijançiq tha se Kosova ishte pjesë e rëndësishme e perspektivës europiane, megjithëse ajo ende nuk është përfshirë në planet e BE-së për regjimin pa viza. Ajo inkurajoi udhëheqjen e Kosovës dhe Serbisë që të kenë qasje “pragmatike të interesit të përbashkët” dhe tha se Konferenca e nivelit të lartë BE-Ballkan Perëndimor në Sarajevë javën e ardhshme do të nxisë nismat e bashkëpunimit.

Komisioni Europian ka hapur dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. çfarë nënkupton kjo për këto vende dhe cili është tani hapi i ardhshëm?

Ju e dini se procesi i liberalizimit të vizave i është ofruar Ballkanit Perëndimor kohë më parë, por natyrisht me disa kushte. Komisioni Europian sot e ka bërë publik njoftimin se edhe Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës duhet t’u ofrohet qasja pa viza. Sipas pikëpamjes sonë, kjo shënon një gurëthemel për politikat e integrimeve të Ballkanit Perëndimor dhe diçka shumë e rëndësishme, por gjithashtu është një hap konkret për njerëzit në rajon, që ata ta ndiejnë se BE-ja është shumë serioze në përkushtimin e saj ndaj Ballkanit Perëndimor dhe më saktësisht për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.

Por të dyja vendet, e posaçërisht Shqipëria, kanë ende detyra për të përmbushur. A s'është kjo një punë shtesë për këtë vend?

Ashtu është, por e thashë se për të gjitha vendet e rajonit kishte një udhërrëfyes të përcaktuar me të gjitha kushtet që duhej të plotësoheshin. Kjo u përcaktua për shkaqe të ndryshme. është e vërtetë se disa gjëra ende duhet të përmbushen, por ne jemi optimistë se kjo do të ndodhë dhe se të dyja vendet do të kenë mundësi ta bëjnë këtë. Jemi optimistë se vendimi do të jetë pozitiv dhe se liberalizimi i vizave do të bëhet më vonë gjatë vitit në nivel të BE-së.

Ndërsa po flasim ka një ngërç politik në Shqipëri, një përplasje mes qeverisë dhe opozitës. Mund të ketë kjo një lloj ndikimi në vendimin që mund të marrë BE për liberalizim të plotë të vizave?

Kjo nuk është një çështje e ndërlidhur drejtpërdrejtë. Por ajo që mund të them është se ngërçi aktual politik po e dëmton imazhin e demokracisë në Shqipëri dhe po pengon reformat e rëndësishme si dhe punën ligjore që vendi duhet të bëjë. Në përgjithësi kjo nuk i ndihmon përpjekjet e vendit për të përparuar drejt BE-së.

çfarë po bën atëherë BE-ja për të tejkaluar situatën? Po lehtëson dialogun apo po ndërmjetëson për të gjetur zgjidhje?

Ju jeni në dijeni se edhe përfaqësuesja e lartë Catherine Ashton dhe komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule, po e mbështesin nismën e dy deputetëve të Parlamentit të Europës, që në emër të grupeve politike po punojnë që të ndihmojnë Shqipërinë që të gjejë një zgjidhje.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›