Një grek për kombëtaren e koshit; ekipi i basketbollit do të drejtohet nga Antonios Doukas

Rikthimet janë gjithmonë të bukura, sidomos kur bëhet fjalë për njerëz që e njohin Shqipërinë, mentalitetin dhe sportin në vend.
President i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, prezantoi sot në ambientet e akademisë “Goga Basket” trajnerin e ri të Kombëtares për djem, grekun Antonios Doukas.
Gjatë fjalës së tij, z.Ponari u shpreh ndër të tjera se tekniku grek është një emër i njohur i sportit të koshit, me eksperiencë ndërkombëtare në trajnime dhe njohës i mirë i basketbollit në Shqipëri, pasi më parë ka drejtuar jo vetëm Kombëtaren, por edhe ekipin e Tiranës.
Gjatë fjalës së tij, presidenti i FSHB ripërsëriti apelin e tij për miratimin sa më të shpejtë të ligjit për sponsorizimet, si e vetmja mënyrë për t’i dhënë hovin jo vetëm basketbollit, por sportit në përgjithësi.
I pyetur për teknikun e ri të ekipit kombëtar për meshkuj Ponari nuk u zgjat shumë, duke u shprehur se gjithçka do e tregojë parketi.
Basketbolli shqiptar do të ketë një verë të nxehtë përpara. Jo vetëm për shkak të temperaturave, por edhe për shkak të kalendarit të ngjeshur që na pret.
Trajneri i ri Antonios Doukas duhet të nisë menjëherë punën, pasi më 19 korrik Shqipëria përballet me Rumaninë, më 26 korrik viziton Sllovakinë; 3 ditë më pas Rumaninë dhe pret më 5 gusht Sllovakinë. Ndeshje këto të vlefshme për para kualifikueset e “Eurobasket 2025”.
Ndërkohë aktivitetet ndërkombëtare të kësaj vere vijojnë edhe me ekipet e tjera kombëtare U20/18/16 për djem dhe U18/16 për vajza.