E Diel, 1 Nëntor 2026

Një grua italiane merr përsipër të shpëtojë Greqinë

ROME - Një grua italiane, Claudia Betiol, ka marrë iniciativën për të shpëtuar pronën publike në Greqi dhe jo vetëm.

Inxhiniere mjedisi dhe nënë e një djali 13 vjeçar, kjo grua e kishte idenë që nga korriku për të krijuar një faqe interneti, përmes së cilës të bëjë thirrje për ruajtjen e të mirave publike në vendet e shkatërruara nga kriza.

Duke parashikuar se së shpejti, në gjurmët e Greqisë do të marshonte edhe vendi i saj Italia, ajo hapi një faqe interneti www.europeancommongoods.org, duke krijuar një lëvizje globale, që ka për qëllim të shpëtojë shërbimet publike në rrezik për t’u shitur.

Pasuesit e kësaj lëvizje janë të shumtë. Që nga qytetarët e zakonshëm, politikanë, madje edhe anëtarët e Parlamentit evropian e kanë firmosur këtë manifest të shpëtimit të pronës publike, i cili është i përkthyer në disa gjuhë.

Mijëra njerëz në mbarë botën janë ofruar të gatshëm për për të krijuar një ent publik që do të shpëtonte "trashëgiminë e Greqisë që rrezikon t’iu shitet me çmime të volitshme ... disa individëve pa asnjë përgjegjësi ndaj shoqërisë ", siç shkruan gazeta Corriere della Sera, e cila e titullon intervistën me gruan italiane: "Greqia? Do ta blejmë ne!"

Betiol thekson në intervistë se mbledhja e nënshkrimeve bëhet me qëllim që zëri i njerëzve të shkojë e të dëgjohet në Bruksel.

"Ne duam të mbledhim një numër të konsiderueshëm firmash" thotë ajo, duke shtuar se qëllimi është për të shkundur politikanët dhe për të zgjuar tek ata dëshirën që “ta ndërtojnë Evropën dhe jo ta shkatërrojnë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›