E Shtunë, 31 Tetor 2026

“World Wide Web” feston 20-vjetorin

ROME - Web-i feston sot 20-vjetorin e krijimit. Themeluesi i “World Wide Web”, Tim Berners Lee shpjegon në një intervistë për gazetën “La Repubblica” se në punën për krijimin e Web-it nuk mund të specifikohet saktësisht momenti kur ai e ka konsideruar projektin të përfunduar.

Sipas Berners, fillimi i projektit mund të quhet programi “Enquire”, i krijuar prej tij në vitin 1980, për përdorim personal.

Berners shpjegon se në vitin 1989 u propozoi shefave të tij në Institutin e Gjenevës, ku punonte si fizikant, projektin e tij për të krijuar një rrjet të përbashkët, me akses për të gjithë, ku mund të hidheshin të gjitha informacionet. Ky projekt u quajt Web dhe u shpërnda në të gjithë botën, prej vitit 1991.

Themeluesit i “World Wide Web” tregon se motoja e tij është: “Lejoni që Web-i të vendoset në shërbim të njerëzimit”.

Tim Berners Lee lindi në Londër 56 vjet më parë dhe jeton prej vitesh në Boston. Ai është fitues i çmimit “Millennium Prize” dhe konsiderohet një ndër 100 personat më të rëndësishëm të shekullit të kaluar. Mbretëresha e Britanisë Elizabeth II i dha Tim Berners Lee titullin Kalorës në vitin 2004.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›