Një grua në Zyrën Administrative në veri

Kështu ka mësuar Top Channel nga burime qeveritare, të afërta me procesin e rekrutimit të stafit që do të punoje në këtë zyre.
Ajo që konfirmojnë në Ministrinë Administrimit të Pushtetit Lokal është se emri i kandidatit të propozuar për Drejtor të Zyrës është dërguar në Qeverinë e Kosovës, e cila gjatë javës së ardhshme pritet të marrë vendim për këtë.
“Ne jemi në fazën intensive të rekrutimit. Kemi përfunduar intervistat për zyrtarin kryesor të zyrës dhe për zëvëndësin e tij… Kemi menaxhuar me sukses dhe kemi kandidatët e mjaftueshëm për të vendosur një person me profesionalizëm të lartë diku gjatë fundit të javës së ardhshme, sepse pozitën e zyrtarit kryesor administrativ (propozimin e ministrisë tonë) duhet ta miratojë Qeveria dhe ne besojmë në mbledhjen e parë të saj kjo do të miratohet”, thotë Besnik Osmani, Sekretar i Përgjithshëm, MAPL.
Sipas Osmanit, ofrimi i shërbimeve për qytetarët në veri të Mitrovicës pritet të fillojë gjatë mesit të muajit korrik.
“Momentalisht jemi duke punuar që t’i sigurojmë gjithë dokumentacionin e nevojshëm zyrtarëve që do të vendosen në këtë zyrë, që ka të bëjë me pronat, kontratat, me dokumentacionin civil, me regjistrin e votuesve, etj., në mënyrë që stafi i ri të ketë mundësinë në mënyrë praktike të fillojë ofrimin e shërbimeve publike atje. Orientimisht është synim i ynë që mesi i muajit korrik do të jetë një moment i përshtatshëm që qytetarët t’i kenë shërbimet e para nga kjo zyrë”, shton zoti Osmani.
Konkursi për 55 vende pune është mbyllur gjatë javës së kaluar, dhe sipas zyrtarëve të kësaj nga më shumë se 1 mijë aplikime, 250 vijnë nga komuniteti serb, që tregon për një interesim të madh të serbëve të asaj pjese.
Hapja e Zyrës Administrative dhe ofrimi i shërbimeve në veri të Mitrovicës është parë si një mundësi për të shtrirë autoritetin në atë pjesë. (tch)