Një grup deputetësh të PS i kërkojnë shpjegime METE-s për minierat
Deputetët e Partisë Socialiste Saimir Tahiri, Eduard Shalsi, Besnik Baraj, Blendi Klosi, Artan Gaçi, Ndue Kola, Arion Muçaj dhe Anduel Xhind i kanë drejtuar një letër Ministrisë së Ekonomisë ku kërkohet informacion lidhur me problemin e minatorëve.
Deputetët e PS-së shprehen në letër se edhe pse greva e minatorëve u mbyll me zotimin për zgjidhjen e probleme, ato ende nuk kanë marrë një përgjigje përfundimtare, madje minatorët gjenden përball një rreziku fatal.
Minatorët vazhdojnë humbin jetën në galeritë e minierave. Vetëm gjatë këtij muaji kanë humbur jetën mbi 5 minatorë. E pavarësisht shkaqeve të deklaruara ose të fshehura, fakt mbetet se fëmijë e familje vazhdojnë mbeten jetim mes katër rrugëve pse kanë humbur prindin, vëllain a të afërmin në errësirën e tuneleve. Pasuria kombëtare në minierën e Bulqizës ashtu si dhe në çdo burim tjetër minerar, vazhdon të shfrytëzohet pa asnjë kriter duke rrezikuar seriozisht shkatërrimin përfundimtar dhe varrosjen pa kthim të pasurisë kombëtare, thuhet në letrën e tetë deputetëve të PS-së.
Ata theksojnë se grupe tërësisht mafioze e të veshura me pushtet, kontrollojnë shfrytëzimin dhe tregtimin e mineralit duke përdorur minatorët si skllevër e pasurinë kombëtare si mall pa zot.
Deputetët e PS-së i kanë drejtuar Ministrisë së Ekonomisë 23 pyetje si edhe kanë kërkuar që tu vihet në dispozicion i gjithë dokumentacionin përkatës që disponon METE dhe agjencitë shtetërore të varësisë të saj.
Po ashtu dy kërkesa specifike janë bërë për komunikimin ndërmjet kompanisë koncesionare Dedeman dhe METE, në mënyrë specifike shkresat me nr. Prot. 1742/3, dt. 20.04.2011 dhe 25.04.2011 dhe urdhrat e ministrit Naço për ndalimin e punës dhe fillimin e punës më minierën e kromit në Bulqizë.
23 pyetjet deputetëve të PS-së drejtuar METE-s:
1. Sa janë minatorët që kanë humbur jetën në galeritë e minierave nga viti 2000 deri sot?
2. Cila është pozita ligjore e kompanisë ACR në raport me shtetin shqiptar?
3. Cili është kontraktori i vërtetë? Vazhdon Darfo me nënkontraktor ACR apo është ACR që zëvendëson Darfo me ndryshim emri?
4. Darfo SRL dhe Darfo SPA janë e njëjta kompani apo dy të ndryshme?
5. Cili është aktiviteti ekonomik i ACR nga viti 2000 kur është regjistruar për herë të parë si person juridik deri në 2007 kur filloi biznesin e mineralit në Bulqizë?
6. Sa eshte prodhimi i mineralit te kromit në Minierën e Bulqizës?
7. Nga prodhimi i pergjitheshem i mineralit te kromit sa eshte shkrire ne uzinat e ferrokromit dhe sa eshte ekportuar direkt si mineral?
8. Sa eshte vellimi i eksportit te mineralit te kromit apo ferrokromit ne ton dhe ne vlere?
9. Bazuar në Marreshjen koncesionare të miratuar në Parlament 10 vite më parë, sa është totali i investimeve të realizuara nga Koncesionari për secilin nga zërat e marrëveshjes?
10. A ka filluar te hapet Zona Veriore e minieres se Kromit Bulqize? Sa eshte avancuar drejt thellesise dhe kur perfundon hapja e saj?
11. METE, dhe ju si Ministër i METE, i njihni vlerë ligjore dhe detyruese marrëveshjes së nënshkruar në 9 Korrik 2009 ndërmjet Ministrit Ruli dhe ACR, marrëveshje që modifikonte marrdhënien koncesionare, por që ende sot e kësaj dite nuk është miratuar në parlament siç e kërkon ligji?
12. Cili është arsyetimi institucional bazuar në Kushtetutën e RSH dhe legjislacionin në fuqi sipas të cilit kjo marrëveshje edhe pse e pamiratuar në Parlament, ka fuqi ligjore?
13. Sa është fitimi i deklaruar i Koncesionarit kryesor në Bulqizë?
14. Sa serioz është rreziku që Bulqiza të shkatërrohet për shkak të mungesës totale të investimeve kapitale?
15. Sa është numri total i subjekteve të liçensuara që shfrytëzojnë pasuritë minerare të Bulqizës?
16. Në dijeninë tuaj, sa është numri i subjekteve që punojnë pa asnjë liçensë?
17. Sipas raporteve që ju dispononi, afërsisht sa ton mineral përbën tegu i mineraleve që eksportohet?
18. Cilat janë kushtet e punës së minatorëve?
19. Sot që flasim a po punohet në ndonjë zonë që haptazi cilëzohet si tejet e rrezikshme për jetën e minatorëve?
20. Sa është numri i çështjeve gjyqësore të përfunduara ndërmjet kompanive private dhe METE sa i përket shfrytëzimit të pasurive minerare dhe cili është përfundimi i tyre?
21. Për çështjet gjyqësore të përfunduara në favor të kompanive private, sa është shuma totale e dëmshpërblimit të caktuar nga gjykata që duhet të paguajë shteti?
22. Sa është numri i çështjeve gjyqësore në vazhdim ndërmjet kompanive private dhe METE sa i përket shfrytëzimit të pasurive minerare dhe cila është ecuria e tyre?
23. Miniera e Kromit Bulqize a eshte shpallur si miniere me regjim gazi? A garantohet jeta e punonjesve ne kete miniere duke punuar me paisje qe nuk plotesojne kushtet e antideflagrances?