E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një histori për familjen

Vihet në skenë drama "Menaxheria e qelqtë" e Tennessee Williams
"Menaxheria e qelqtë" e dramaturgut amerikan Tennessee Williams (1911-1983) ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar më 11 prill. Ngjarjet që ndodhin në një familje amerikane në vitet '40 në shqip rrëfehen nga aktori Arben Derhemi.

Nuk bëhet fjalë për një monodramë por për një vepër ku personazhi rrëfen ngjarjen nëpërmjet kujtimeve të tij. Vepra hapet me kujtimet e Tomit për të ëmën Amandën dhe të motrën Laurën. Bashkëshorti i Amandës është larguar nga shtëpia kohë më parë, dhe ajo ka ngelur në atë kohë.

Tomi punon në një magazinë duke u përpjekur të mbështesë familjen me sa të mundë. Ai është i xhindosur nga banaliteti dhe monotonia e jetës së përditshme dhe pjesën më të madhe të kohës e kalon duke parë filma në kinema të dorës së fundit.

Amandës i është fiksuar ideja për të gjetur një burrë për të bijën, Laurën e cila e kalon gjithë kohën me koleksionin e saj të qelqtë. Tomi me këmbënguljen e të ëmës sjell në shtëpi Xhimin, një ish shok klase të Laurës.

Ëndrra e Amandës shkatërrohet kur Xhimi rrëfen se është i fejuar dhe largohet. Edhe Tomi gjithashtu largohet për të mos u kthyer më kurrë te familja e tij. Megjithatë ai ende e kujton të motrën, Laurën.


E gjithë kjo situatë do të vijë nëpërmjet interpretimit të aktorëve Yllka Mujo (Amanda), Arben Derhemi (Tomi), Neritan Liçaj (Xhimi) dhe Monika Lubonja (Laura), tre të parët aktualisht interpretojnë në dramën "Filumena Marturano".


Regjisori Adonis Filipi kësaj herë ka bërë edhe përzgjedhjen muzikore. Skenografia dhe kostumografia i janë besuar artistit nga Maqedonia Bllagoi Micevscki.


"The Glass Menagerie" fillimisht u shkrua si skenar filmi për studion Hollivudiane MGM. Pjesa u vu për herë të parë në skenë në vitin 1944 në Çikago dhe një vit më vonë fitoi çmimin e rrethit të kritikës në Nju Jork.


Pak vite më vonë, në 1950, regjisori Irving Rapper mbi subjektin e "Menaxheria e qelqtë" realizon një film televiziv. Ndërsa në vitin 1987 është aktori Pol Newman, që në këtë rast realizon si regjisor një version të ri të filmit.


"Menaxheria e qelqtë" është vënë në skenë një dekadë më parë nga aktori dhe regjisori shqiptar Alfred Trebicka. Këtë herë ajo vjen si produksion privat i Kompanisë Teatrore "Art Blue"

"Andre Chenier" premierë në TOB


Teatri i Operës dhe Baletit nis muajin prill me premierën "Andre Chenier" të kompozitorit italian Umberto Giordano. Opera me katër akte, libreti i të cilës është shkruar nga Luigi Illica shfaqet në TOB në datat 4,6,8,10,12 prill.

Vepra tregon kohët e fundit të jetës së poetit Andre Chenier, përpara se ushtarët e revolucionit Francez ta ekzekutojnë. Kjo operë ka angazhuar një numër solistësh të TOB dhe të ftuar. Kështu Andre Chenier interpretohet natën e parë nga tenori Armaldo Kllogjeri, rol të cilin në netët e tjera do ta dublojë me artistin italian Gianluca Zampieri.

Carlo Gérard, shërbëtori që shpif kundër Andreas duke e çuar atë drejt ekzekutimit interpretohet nga baritoni Ymer Kaca. Baritoni prej pothuajse një dekade interpreton në skenat franceze. Në TOB ai ka realizuar një sërë rolesh si Rigoleton, tek opera me të njëtin titull, Skarpian , tek "Toska", etj.

Filmi spanjoll propozon "Poniente"

Cikli i filmave spanjollë në "Marubi" sot në orën 19:00 prezanton dramën romancë "Poniente" të regjisorit Chus Gutiérrez. Pasi vdes i ati, Luçia që ka jetuar në Madrid për shumë vite, kthehet në qytetin e saj të lindjes, në fermën që i ka lënë trashëgim i ati. Ndërkohë që lufton me racizmin e komunitetit ndaj punonjësve ilegalë ajo bie në dashuri me ekonomistin e fermës, Curro.

Çifti detyrohet të përballet me racizmin në fshat ndërkohë që u duhet të marrin disa vendime që mund t'u kushtojnë gjithçka. Filmi është realizuar në vitin 2002, zgjat 96 minuta.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›