E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetim për pastrim parash pas transfertës 40 mijë Euro

TIRANE- Policia e kryeqytetit ka nisur procedimin penal ndaj një personi, për pastrimin e produkteve të veprës penale pas një një informacioni të mbërritur nga autoritetet franceze. Elis Berti, 25 vjeç, banues në Tiranë, është marrë nga policia në ndjekje penale pas zbulimit të një transferte prej 40 mijë eurosh të kryer prej tij në drejtim të Francës.

Ende nuk dihet se cili është motivi i transferimit të parave nga Berti nga Shqipëria në drejtim të Francës, por burimet pohojnë se bëhet fjalë për pastrimin e produkteve të veprës së krimit për të cilin ka nisur hetimin edhe policia ndaj tij.

Shkresa e firmosur nga autoritetet franceze mësohet se ka mbërritur pak ditë më parë në drejtorinë e Tiranës, ndërsa mësohet se transferta e parave është kryer nëpërmjet një llogarie bankare të depozituar në Shqipëri që më pas është transferuar në një qytet francez.

Menjëherë pas mbërritjes së kësaj shkrese, Zyra e hetimit të Pastrimit të Parave ka nisur veprimet e saj duke qenë se më në fund atyre iu kishte dalë një krim në shteg që prej më tepër se një viti e gjysëm kur është krijuar.

Ndërkaq hetues të kësaj zyre kanë pohuar se kjo është një çështje serioze dhe përbën sekret shtetëror, ndërsa ende nuk dihet se si është e mundur që këto para janë transferuar nën hundën e këtyre oficerëve pa mundur të marrin dijeni mbi një transfertë të majme bankare në drejtim të Francës.


Mbrojtja kërkon riekspertim të vendit të ngjarjes

14 dëshmitarë në gjyqin e Pajës

TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, pas refuzimit të shqyrtimit gjyqësor ndaj të pandehurit Ilir Paja në aplikim të gjykimit të shkurtuar, pranoi thirrjen e 14 dëshmitarëve të ngjarjes dhe urdhëroi kryerjen e ekspertimit hetimor në vendin e ngjarjes.

Ekspertim, ky që sipas mbrojtjes, do të vërtetojë se i pandehuri Paja nuk e ka dalluar agjentin e policisë që ishte me rroba civile dhe që e ndiqte mbrapa me motor. Gjatë mesditës së djeshme, me leje të togave të zeza, prokurori i çështjes, Njazi Seferi, lexoi kërkesën për gjykim dhe parashtroi provat që do të vërtetojnë se i pandehuri Paja, ka konsumuar veprën penale të "vrasjes në rrethana cilësuese" të mbetur në tentativë dhe "armëmbajtjes pa leje".

Ndërkohë, edhe avokati mbrojtës i të pandehurit, parashtroi kërkesat paraprake, duke kërkuar sekuestrimin dhe administrimin në dosjen penale të kartelës mjekësore të të pandehurit Paja për të treguar se plumbi i agjentëve të policisë ende ndodhet në trupin e tij dhe kryerjen e një ekspertimi hetimor (eksperimental) në vendin e ngjarjes.

Sipas kërkesës për gjykim, i pandehuri Paja akuzohet se paraditen e 6 shkurtit të vitit 2008 pas rrethimit nga forcat e policisë, ka tentuar të largohet me makinën e tij, ndërsa ka marrë zvarrë njërin nga agjentet e njësisë së operacioneve speciale të Drejtorisë së Policisë.

Ku pas kësaj tërheqje me makinë, agjenti ka pësuar dëmtime të rënda, por falë mjekimit intensiv në Itali, agjenti i është rikthyer normalitetit dhe punës.


E dhunon bashkëshorti policia e merr në mbrojtje


Denoncon ish-bashkëshortin se e dhunoi fizikisht. Efektivat e komisariatit të policisë nr.6, kanë plotësuar dy ditë më parë kërkesë-padinë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për Sh.

Malaj, 47- vjeçe, banuese në Tiranë. Burime nga policia thanë se 47-vjeçarja është dhunuar fizikisht nga ish- bashkëshorti i saj Fatmir Hysa, 52-vjeç, banues në Patos. Mësohet se Hysa ka shkuar në shtëpinë e ish-gruas së tij dhe dhe ka nisur një debat me të. Pas fjalëve të ndërsjella 52,-vjeçari ka nisur të dhunojë ish-bashkëshorten.

Pasi është larguar ish-burri, Malaj ka kërkuar ndihmën e policisë duke e denoncuar atë për ushtrim dhune. Policia plotësoi urdhrin e mbrojtjes gjë e cila i kaloi gjykatës dhe pritet vendimi i saj.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›