E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja telefonatat e mesazhet e konfliktit

SHKRUAN: Habjon Hasani 12-04-2011 15:54

Tensionet politike të dy ditëve më parë në Bathore kanë reflektuar dhe një përplasje të pazakontë në rangjet më të larta të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Dje në mesditë, Drejtori i forcave lëvizëse operacionale, kryekomisar Shemsi Prençi, ka denoncuar në prokurori zv.ministrin e Brendshëm, Avenir Peka, për presion të paligjshëm dhe kërcënim. Sipas Prençit, Peka i ka dhënë urdhër të paligjshëm për të futur në incidentin e së dielës në Bathore forcat speciale, në një kohë që kjo gjë është e ndaluar me ligj. Dje në mbrëmje zv.ministri, njëkohësisht ministër në detyrë, Avenir Peka, ka mohuar kategorikisht akuzat e Prençit duke njoftuar dhe një kundërpadi që ai ka bërë në prokurori për shpifje ndaj drejtorit Prençi. Pas këtij reagimi të ministrit në detyrë, “MAPO” kontaktoi Drejtorin e Forcave Lëvizëse Operacionale, Shemsi Prençi, i cili nga ana e tij e quajti këtë veprim të Pekës veprim prej burracaku. “Unë sapo u njoftova për këtë padi të tij. Dua t’iu bëj të ditur se unë i qëndroj plotësisht deklaratës time të mëparshme dhe denoncimit të bërë në prokurori, ai më ka kërcënuar”, - tha dje Prençi.

Telefonatat dhe mesazhet

Sipas Prençit, nuk do jetë e vështirë për prokurorinë të verifikojë komunikimin me telefon dhe për të bërë zbardhjen e ngjarjes. “Unë në gjithë jetën time kam pasur gjithsej dy komunikime telefonike me Avenir Pekën. Hera e parë ishte disa muaj më parë, ku sërish më ka kërkuar me ngulm të bëja veprime të paligjshme. Hera e dytë ka qenë dje dhe në një hark të shkurtër kohor më ka telefonuar thuajse 5 herë. Unë u thashë edhe prokurorëve të merrnin të gjithë numrat e mi dhe të shihnin nëse ka ndodhur ndonjëherë që unë të flas me z.Peka, përveç këtyre dy rasteve”, është shprehur Prençi. Më tej, drejtori i forcave lëvizëse operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë ka bërë të ditur se, që në momentin e parë ka njoftuar eprorët e tij për atë çka po ndodhte. “Përveç fakteve telefonike janë edhe komunikimet me eprorët. Që në momentin e parë, unë i kam vënë në dijeni ata për presionin që po më bëhej. Kanë qenë disa telefonata. Më pas e kam marrë unë z.Avenir Peka në telefon, por ai nuk ma ka hapur më telefonin. Në këto kushte, unë i kam dërguar një mesazh telefonik me tekstin: ‘Uroj ta mbash fjalën për këto sharje që më ke bërë’. Këtë mesazh ua kam paraqitur dhe prokurorëve kur bëra denoncimin, pasi e kam të ruajtur”, shtoi dje drejtori, Shemsi Prençi. Mesditën e djeshme, Prençi foli për mediat në lidhje me këtë përplasje, pak pasi kishte bërë kallëzimin në prokurori ndaj ministrit në detyrë.

Denoncimi

"Ka kërkuar që unë të shkel ligjin dhe të vej në lëvizje forcat e Ndërhyrjes së shpejtë, për të operiar në atë zonë. Pastaj më ka kërcënuar dhe më ka fyer rëndë në dinjitetin tim personal. Argumenti ka qenë për gjoja për të shtypur disa rrugacë që mbështesnin kandidatin e PS. Unë nuk e di dhe nuk kam shkuar atje në Kamëz dhe nuk do të shkoj për probleme të kësaj natyre. Forcat e ndërhyrjes së shpejtë kanë detyra specifike me ligj. Urdhërin për vënien në veprim të forcave speciale unë e marr vetëm nga Drejtori i Policisë. Ministri dhe zëvendësministri i Brendshëm, aktualisht në detyrën e ministrit, nuk ka tagër dhe nuk ka të drejtë të urdhërojë veprime operacionale të policisë. Ai është udhëheqës politik i policisë", ka deklaruar Prençi. Duke denoncuar edhe publikisht atë që kishte ndodhur, Prençi është shprehur se pasi ka refuzuar të marrë urdhra, për më tepër të paligjshëm, sipas tij, nga ministri në detyrë, është përballur me kërcënime dhe sharje nga më banalet. “Nuk do zbatoj urdhrat e paligjshëm të zëvendësministrit Peka. Kërcënimet e tij ishin të natyrave të ndryshme, jo vetëm për vendin e punës, sepse për atë jam mësuar, por edhe fyerje shumë banale, sa nuk mund të thuhen për mediat”, ka pohuar Prençi. Drejtori i Përgjithshëm i Forcave speciale të Policisë së Shtetit ka sqaruar se telefonatat dhe përplasjet me ministrin në detyrë, Avenir Peka, kanë ndodhur ndërsa në Bathore po konsumohej një gjendje shumë e tensionuar mes militantëve demokratë dhe atyre socialistë. Prençi ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij dhe ka qenë i shoqëruar nga familjarë të tij, në momentet kur ka debatuar ashpër në telefon me Pekën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›