Një historik për thirrjet anti-NATO të njerëzve të Edvinit
Nuk është një deklaratë, por një udhë e tërë e shtruar nga të majtët kundër NATO-s e BE-së. Duke stisur problemin që sjellin vetë me dorën dhe mendjen e tyre të majtët.
A i keni vënë re se kanë filluar nga pak për t’u bërë ortek thirrjet e tyre “mos aplikoni për në BE”? Cili është kuptimi i kësaj shprehjeje tejet të rrezikshme? Madje një djalë që është me origjinë diku nga zona juglindore shkoi deri në KE takoi socialistët dhe u tha nuk duhet bërë aplikimi. Gruaja socialiste Dade del shpesh e më shpesh dhe duke i dhënë vetes një rëndësi si eksperte e fushës me jashtë, jep rekomandimin “mos aplikoni”. Çdo të thotë për shqiptarët, banorët e këtij vendi, kjo farë deklarate? Mos hidhni hapa për në BE? Është luftë politike apo një udhë e tërë kundërshtish, e ngritur pikërisht nga fobitë e trashëguara, nga sistemi i diktaturës, kur ishim mirë sepse ishim më keq se bota dhe të izoluar prej gjysmë shekulli prej saj. Po të dëgjoni rrëfimet e ish-kryeparlamentarit Pjetër Arbnori, kur vendi gjendej pikërisht tek porta e KE-së, Arbnori shprehet se kishin takuar të gjithë parlamentarët dhe prapaskenat e asaj nate, ndërsa të majtët kishin takuar gjithashtu shumë parlamentarë, por me qëllimin e kundërt. Për të realizuar qëllimin e tyre, ata shpërthyen një fushatë nëpër media që flasin gjoja të pavarura por që janë kokë e këmbë pronë e tyre private.
Për të mos harruar harresën/Diku aty nga vitet 96, kur bëri një vizitë në Shqipëri presidenti italian Skalfaro, të majtët nxjerrin një njeri tek presidenca me një bombë në dorë, duke bërë që presidenti i vendit fqinj - aty ku ishin emigrantë mbi 400 mijë shqiptarë - të dilte nga dera e pasme. Përse pikërisht atë ditë? Kur në Tiranë mbërriti kryekomisioneri Barroso që do të bënte publik lajmin e mirë për anëtarësimin tonë, diku, një autobusë u bë sikur u mor pengë nga dy vëllezër me një çantë plot me granata, të cilët nuk dihej se çfarë kërkonin. Të gjitha mediat e kaluan transmetim on-line për këtë terroristë, duke mbajtur lart tensionin e njerëzisë, por duke zbehur vizitën e Barrosos.
Përse i shërbyet për punë të mbrapshta vendit? Kur ndodheshim pikërisht në ekstazë për ardhjen e Presidentit të parë amerikan në tokën shqiptare, këtij vendi do t’i faniteshin jo më njerëz me granata (sepse masat e sigurisë ishin tepër të larta), por nga ferra e socialistëve doli lepuri më i madh i tyre. Mediat e majta sërish hodhën në skenë një tjetër skenar për ta zhvlerësuar këtë suksese të vizitës, e duke u rikthyer në origjinën e hershme të kaçakllëkut, nxorën versionin e poshtër, sikur presidentit Bush i vodhën orën. Por gënjeshtrat i gëlltitën, kur Departamenti i shtetit nxori përgënjeshtrimin për mediat e Edi Ramës.
Nuk është çudi që ditën që shkon Kryeministri në NATO mund të merret i pandehur ish-ministri i mbrojtjes e kushedi ç’hyner tjetër i zi. U mësuam tashmë me skenaristin e majtë që ka projektuar deri në detaj lëvizjet e prokurorisë dhe të së majtës në unison.