E Shtunë, 31 Tetor 2026

A mund të ketë gjykatës të paanshëm?



Ndryshe nga pozicioni i kritikut ose i teoricienit të artit, që paraqitet si ligjvënës urdhërues e profet parashikues i zhvillimit të mëtejshëm, estetika metateorike moderne e ndjen veten si një hyjni sovrane e gjithëditur, gjithëshikuese, që mbretëron mbi të gjitha dhe që nuk përzihet me ngjarjet, nuk identifikohet me to, por qëndron si gjykatës i paanshëm. Ajo disponon të gjitha faktet për atë që ka ndodhur, ashtu siç ka ndodhur, që ka përfunduar tashmë dhe s’e ndryshon dot, që arrin ta shikojë me syrin e tij asnjëanës, që arrin t’i bëjë gjyqin e distancuar prej ngjarjeve që gjykon, që i shikon nga lart e larg, kusht që favorizon zbulimin e së vërtetës. Ajo pajtohet me të kaluarën, duke e marrë atë të mirëqenë dhe çdo ide e doktrinë estetike të kësaj kohe e vlerëson si të vetmjaftueshme, me të mirat e kufizimet, me të vërtetat dhe gabimet e saj. Kjo perëndi e shumëditur dhe gjykatëse e paanshme duhet ta ndjejë veten të pafuqishme për ta ndryshuar historinë, për ta ribërë atë që është përfunduar. Duke perifrazuar Spinozën, mund të themi se çdo disidipline shkencore nuk i lejohet “të qajë e të qeshë, por vetëm të njohë e të kuptojë”. Sepse në atë, ku kjo perëndi është e pafuqishme, qëndron edhe burimi i forcës për objektivitet, për vërtetësi shkencore.

Prof. Alfred UÇI

Në të tre vëllimet e “Universit Estetik” ne kemi trajtuar një problematikë të gjërë teorike e metodologjike të estetikës dhe kemi parashtruar edhe përmbajtjen e asaj disipline të veçantë brenda estetikës së përgjithshme, që kryen funksionin metateorik. Në këtë vëllim kemi paraqitur edhe opinionet tona për drejtimet kryesore të realizimit të këtij funksioni të estetikës bashkëkohore. Metateoria estetike synon të trajtojë problemet teorike e metodologjike, domethënë ligjsoritë më të përgjithshme të veprimtarive krijuese dhe të ndërgjegjes estetike. “Shkenca mbi artin është hyrja, pjesa e parë e estetikës, - ka shkruar esteti francez Maurice Nédoncelle në “Introduction a l’Esthétique”. - Ajo nuk është tjetër veçse reflektim për artin, e detyruar të nxjerrë principet dhe konkluzionet më të përgjithshme për të. Estetët e filozofët e specializuar në fushën e studimeve të artit, përpiqen të sqarojnë natyrën dhe të përshkruajnë origjinën, specifikën dhe qëllimin e artit; ata sqarojnë marrëdhëniet e artit me të bukurën dhe misterin e bukurisë së artit.” Një nga drejtimet themelore të funksionit të estetikës metateorike është i kthyer ndaj vetvetes, domehënë është një lloj kritike e autokritike e themeleve të veta. Paradigmat e saj burojnë nga njohja e përgjithësimi i historisë botërore të doktrinave estetike dhe të praktikave e drejtimeve kryesore të arteve, të përvojave klasike e nonklasike bashkëkohore të tyre.
Një nga themeluesit e sociologjisë së arteve, njohës i shquar i historisë së tyre dhe një ndër ithtarët e rreptë të përmbajtjes shkencore të estetikës, francezi Ipolit Ten (1828 - 1878) në librin e tij “Filozofia e artit”, duke quajtur midis veprave njerëzore artin si dukurinë më të paparashikueshme, të vetvetishme, të çiltër dhe në dukje tekanjoze si era, profetizonte në frymën e pozitivizmit filozofik të shek. XIX zhvillimin e estetikës si teori shkencore, ashtu si edhe shumë disiplina të tjera shkencore që ekzistonin aso kohe. Qysh në fillim të librit të tij, I.Teni deklaronte: ”Metoda moderne që duhej të ndiqej nga estetika, nuk duhej të ishte asgjë më tepër se sa të tregonte saktësisht faktet e krijimet artistike ,veçoritë e shkaqet e tyre, sepse shkenca as dënon, as fal, ajo konstaton dhe shtjellon. Ajo nuk ju thotë: “Përçmoni artin hollandez, sepse është trashanik dhe vlerësoni vetëm artin italian”. Shkenca nuk ju thotë as “Përçmoni artin gotik, sepse është tepër i dobët, dhe pëlqeni vetëm artin grek”; përsa i përket estetikës shkencore “ajo ka dashamirësi për të gjitha format e artit dhe për gjitha shkollat artit, edhe për ato që duken të përkundërta, ajo i pranon si shfaqje të ndryshme të shpirtit njerëzor; ajo gjykon se sa më të shumta dhe në kundërvënie të jenë ato, aq më tepër tregojnë shpirtin njerëzor në aspekte të reja e të shumëllojshme.” Këto mendime të filozofit francez nuk kanë qenë, si të themi, direktiva ose moralizime të zbrazta; ai pat qenë i sinqertë në dëshirën e tij për ta pranuar estetikën si disiplinë të rreptë shkencore, domethënë si kumtuese gjykimesh objektive për artet e zhvillimin e tyre; ai njihte edhe shumë vështirësi për të arritur një kah e cak të tillë, ndonse e njihte rëndësinë e lirisë së shijeve personale e besonte se për shijet, gjithsesi, vlen të diskutohet, madje për shumë shkaqe. Dhe realiteti historik, pas këshillave të mençura të Tenit, nuk eci tërësisht sipas dëshirave sado të mira qofshin; në histori veprojnë edhe shumë faktorë spontanë e irracionalë që, krahas arritjeve pozitive racionale, sjellin edhe të papritura të mëdha, që e turbullojnë jetën e gjithë anëve të shoqërisë njerëzore me prirje rrënuese; do të mjaftonte të përmend vetëm pak faktorë që vepruan gjatë shek. XX, krahas atyre që mbështesnin progresin, edhe të atyre faktorëve që e bënin të pamundur realizimin tërësor të dëshirave të mbara të estetit francez për fatet e artit: dy luftrat botërore, revolucione e kundërevolucione, lufta e Ftohtë, politizimet e ideologjizimet kundërthënëse të ngjyrimeve më të ndryshme e sa faktorë të tjerë irracionalë.

* * *
A mund të jetë metateoria bashkëkohore e aftë për të dhënë gjykime e vlerësime plotësisht kompetente e të sakta për artet? Pas një historie të gjatë mijravjeçare të artit e të estetikës, që është përcjellë edhe me arritje, edhe me humbje, edhe me përvoja pozitive, edhe me përvoja negative, është më e vështirë të japësh një përgjigje kategorike, të prerë, sepse përvoja e së kaluarës e përthyer drejt së ardhmes nuk mund të mos të të bindë se jeta nuk ka për të qenë më pak kontradiktore nga ç‘ka qenë, dhe kjo dialektikë s’ka se si të mos përcjellë edhe produkte të saj – lëvizjen e mendimit teorik estetik dhe krijimin artistik. Për t’i besuar metateorisë ka rëndësi që ajo t’i përmbahet një këshille të mençur të Hegelit, të orientohet nga të dhënat e hulumtimit të përhershëm, nga njëra anë të realitetit, të jetës njerëzore dhe, nga ana tjetër të lidhjeve të pandara të brendshme të mendimit estetik e të praktikës artistike. “Metoda e drejtë, - ka shkruar Hegeli, - duhet të rrjedhë nga vetë hulumtimi dhe jo arbitrarisht, subjektivisht. Metoda s’mund të jetë e shkëputur nga studimi, si edhe kahu i lëvizjes nga vetë lëvizja.” A mund të ketë një gjykatës ideal për problemet e estetikës e të artit? Cili eshtë më kompetent dhe më i besueshëm - esteti apo artisti? Gjykatës ideal nuk mund të ketë, madje as që do të ishte i nevojshëm, sepse të drejtën për të gjykuar për artin e të bukurën e kanë edhe studiuesi, edhe krijuesi (artisti), edhe historiani (i artit ose i estetikës), kritiku e publiku. Kulti i artistit e nënkupton kompetencën më të madhe të estetikës personale të krijimit artistik, por praktika artistike kërkon të tjera aftësi se sa gjykimi teorik, prandaj artisti mund të mos jetë i pagabueshëm po aq sa edhe kritiku ose esteti, kompetenca e të cilëve nuk bën të ngushtohet vetëm në përvojën krijuese të një individualiteti artistik, por u duhet të njohin sa më shumë vepra arti, si me thënë, gjithë estetikat e tyre, që gjykimet të jenë frut krahasimesh të shumllojta dhe të fitojnë vlerën e gjykimeve teorike të përgjithshme kritike e estetike. Pastaj, edhe gjykimet e lexuesve, spektatorëve, amatorëve të artit kanë estetikën e tyre. Dhe asnjëra nga këto estetika s’ka kompetenca eprore, kurse estetikës metateorike i bie të njohë forcën dhe kufizimet e secilës prej këtyre estetikave, pavarësisht se as gjykimet e saj estetike teorike nuk mund të jenë as kulme, as ideale. Zaten, as estetikës metateorike s’i bie të jetë as në rolin e një monarku absolut, as të sajojë kanune të përjetshëm e të patundura; merita më e madhe e saj do të ishte t’i njihte vetes një status të përkohshëm, jo përfundimtar, të drejtën për të qenë estetikë e lëvizshme, siç i ka hije çdo shkence.

* * *
Ky status ia bën të mundur estetikës metateorike bashkëkohore të mos qëndrojë në vend, por të zhvillohet sidomos në disa drejtime kryesore:
Ajo ndjek zhvillimin e filozofisë moderne, për të qëndruar mbi themele të shëndosha teoriko-metodologjike, që i lejojnë të kryejë brenda sistemit të disiplinave të sotme estetike, rolin e saj specifik si teori e përgjithshme e përvetësimit estetik dhe e artit.
Estetika metateorike, që të shmangë njëanësitë dhe tejskajet e konkluzioneve të saj universale, duhet të përthithë përvojën totale estetike të arteve në zhvillim, domethënë duhet të mbështetet në përvojat e gjithë arteve, pavarësisht nga vendi e roli i secilit prej tyre në një fazë të caktuar të zhvillimit shoqëror. Mbështetja e saj në përvojën e një ose dy-tre arteve i bën të njëanshme konkluzionet e saj dhe e tjetërson karakterin universal të përfundimeve të saj teoriko-metodoligjike.
Në kushtet e përshpejtimit të jashtzakonshëm të jetës e të përforcimit të karakaterit kompleks të kulturës artistike, estetika metateorike, duke respektuar specifikën e objektit të saj estetik, artistik, duhet të ndjekë e të përfitojë nga arritjet e gjithë shkencave moderne humanitare, natyrore e teknike, sidomos disiplinat e përgjithshme teorike (teoria e informacionit, semiotika, kibernetika etj.), që ndihmojnë në interpretimin e saktë të dukurive estetike e artistike.
Estetika metateorike duhet të hulumtojë e të vlerësojë gjithë përvojat e drejtimet artistike jo vetëm të kohëve moderne, por edhe të epokave të mëparshme, domethënë gjithë historinë e kulturës estetike e artistike, duke iu përmbajtur kriterit të vetmjaftueshmërisë së tyre estetike.
Estetika metateorike duhet t’i sintetizojë parimet e saj universale për të qenë e për të funksionuar si estetikë integrale, pluraliste, e çliruar nga parapëlqimet e tendencioziteti ideologjik subjektivist, duke çmuar klasikën e çdo drejtimi artistik estetikisht të vetmjaftushëm, duke i përfshirë klasiken e nonklasiken në kulturën postklasike pluraliste të hapur të shekullit XXI.
Estetika teorike e trajton artin, në radhë të parë, si dukuri metateorike. Ajo studion artin në përgjithësi, ato tipare të përbashkëta që kanë gjithë llojet, gjinitë e zhanret artistike, të vjetër e të rinj, tradicionalë e novatorë, klasikë e nonklasikë. Kjo do të thotë se arti ka një strukturë të përbërë, shumë të ndërlkuar. Këtu qëndron dallimi parimor i estetikës teorike nga disiplinat e veçanta teorike, që studjojnë vetëm veçeveç llojet e ndryshme të artit. Kjo do të thotë se estetika teorike synon të fiksojë, nga njëra anë, disa tipare thelbësore të përgjithshme, që nuk i mungojnë asnjë lloj arti e asnjë vepre të mirëfilltë artistike. “Estetika synon të jetë përvojë artistike, - thekson më tej M. Nédoncelle, - pjekuri e veprave të artistëve dhe e opinioneve të tyre dhe arrin t’i kuptojë ato. Reflektimet e estetikës nxjerrin në pah në mënyrë totale shijet emocionale të tyre, që ndryshojnë dhe që fitojnë qëndrueshmëri. Sigurisht, këto reflektime përbëjnë edhe veprimin aktiv të saj, i cili shpesh vjen pas beteje, prandaj themi -Të kuptosh nuk do të thotë të krijosh, të bësh art. Kjo thënie është e vërtetë, por deri në një farë pike”, sepse krijimtaria është e ndërmjetësuar edhe nga ndikimi i pikpamjeve teorike estetike.
Nga ana tjetër, estetika teorike nuk i injoron veçansitë e secilit prej arteve. Piktura përdor ngjyra e figurat i ndërton në sipërfaqen dydimensionale, që perceptohet me anë të syrit, kurse muzika përdor tinguj, që dëgjohen me vesh; skulptura u jep figurave shtrirje tredimensionale dhe përdor materiale të forta-gurin, mermerin, bronxin etj., kurse aktori përdor fjalën, gjestet, mimikën, etj. Gjithë dukuritë artistike aktualizohen në trajta shqisore të dallueshme, njëra performancë nga tjetra. Edhe këto mjete, lëndë, teknika e procedime të ndryshme, me të cilat realizohen krijimet artistike, kanë rëndësinë e tyre edhe nga pikpamja e interesimit të estetikës për artin, por sidomos metateoria interesohet për anët e brendshme, joshqisore, thelbësore e të përgjithshme të arteve dhe, midis tyre, më i rëndësishëm, më themelor është studimi i thelbit estetik dhe i bukurisë së artit në përgjithësi.
Pas analizave të hollësishme të të gjitha epokave kryesore të Universit estetik europian, ne jemi përpjekur tashmë që të shprehim në këtë libër të ri sintetizimin e dijeve nga përvojat historike të tre përbërësve të trinomit të teorive estetike, teorive të arteve e të mendimit kritiko-artistik dhe rivlerësimin e tyre; estetika metateorike e historike, si shkencë, s’mund të jetë thjesht një antologji, një kronikë empirike, faktografike e asaj që ka ndodhur në këtë sferë të mendimit njerëzor, por është edhe një gjykim i thellë shkencor për ato që janë duke ndodhur në kohën tonë. Sintezat tona kanë parasysh jo vetëm historinë e Universit estetik, por edhe mbështetjen e idealit estetik të kohës sonë. Idetë metateorike kanë ndikuar që njohja e kësaj historie të përcillet e përshkohet edhe nga përgjegjësia shkencore e pajtimit me përmbajtjen e saj. Duke qenë kritike e autokritike, vlerësuese e gjykuese, estetika metateorike ndihmon për të shmangur subjektivizmin, paragjykimet, pasionet ideologjike në shqyrtimin e problemeve të bashkëkohësisë, siç ka qenë vlerësimi i ideve të doktrinave estetike të së kaluarës me kriterin ose ose, bardh e zi, të vërteta gjithë opinionet estetike vetëm të filozofëve materialistë dhe të gabuara, mashtruese, të pavërteta opinionet vetëm të idealistëve. Metateoria estetike bashkëkohore përdor kritere të tjera shkencore.

* * *
Ndryshe nga pozicioni i kritikut ose i teoricienit të artit, që paraqitet si ligjvënës urdhërues e profet parashikues i zhvillimit të mëtejshëm, estetika metateorike moderne e ndjen veten si një hyjni sovrane e gjithëditur, gjithëshikuese, që mbretëron mbi të gjitha dhe që nuk përzihet me ngjarjet, nuk identifikohet me to, por qëndron si gjykatës i paanshëm. Ajo disponon të gjitha faktet për atë që ka ndodhur, ashtu siç ka ndodhur, që ka përfunduar tashmë dhe s’e ndryshon dot, që arrin ta shikojë me syrin e tij asnjëanës, që arrin t’i bëjë gjyqin e distancuar prej ngjarjeve që gjykon, që i shikon nga lart e larg, kusht që favorizon zbulimin e së vërtetës. Ajo pajtohet me të kaluarën, duke e marrë atë të mirëqenë dhe çdo ide e doktrinë estetike të kësaj kohe e vlerëson si të vetmjaftueshme, me të mirat e kufizimet, me të vërtetat dhe gabimet e saj. Kjo perëndi e shumëditur dhe gjykatëse e paanshme duhet ta ndjejë veten të pafuqishme për ta ndryshuar historinë, për ta ribërë atë që është përfunduar. Duke perifrazuar Spinozën, mund të themi se çdo disidipline shkencore nuk i lejohet “të qajë e të qeshë, por vetëm të njohë e të kuptojë”. Sepse në atë, ku kjo perëndi është e pafuqishme, qëndron edhe burimi i forcës për objektivitet, për vërtetësi shkencore.
----------------------------------

Ky fragment, që përbën një nga temat më aktuale të diskutueshme në kohën e sotme, është shkëputur nga libri i ri i prof. Alfred Uçit me titullin “Klasika apo nonklasika?”, vëllimi I, botim i Akademisë së Shkencave.

15 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›