Një inaugurim në shoqëri të portreteve
Vizatimet, artisti i prezantoi në Galerinë Open Art, e cila natë më parë u inaugurua nga kritiku i artit Hivzi Muharremi, sipas të cilit kryeqyteti u pasurua edhe me një Galeri. Një ambient ky tërheqës, modest, me një imazh të transformuar dhe me hapësirë të mjaftueshme për prezantimin e vlerave.
Artisti Naim Spahiu, i cili është përgjegjës për këtë Galeri, vendosi që kryeqytetin ta pasurojë edhe me një hapësirë të re ngacmuese artistike, e cila lirisht mund të thuhet se i bënë konkurrencë shumë galerive në Kosovë, madje edhe në rajon.
Por, nuk do ndalem vetëm tek ambienti, por tek vizatimet me dimensione mesatare, të ngjitura në mur, në thellësinë e të cilave dominojnë shqetësimet, arsyet e humbura, që nganjëherë sikur na shikojnë aq vrazhdë saqë ne, si shikues dhe ballafaques të drejtpërdrejt me këtë teatër të Grotowksit, sikur dialogojmë me një gjuhë të njohur për veshët e tyre.
Portretet pranojnë informatën në mënyrë direkte dhe fare nuk e ndryshojnë unin e tyre. Të zhytur në shqetësim, të errësuar nga e zeza, që na identifikon edhe hijet në fytyrat e tyre, të cilat nxjerrin në pah kthjelltësinë e formës dhe detajit, autori përpiqet të na dërgojë në momentet e ndryshme - që fare pak ngjajnë njëri me tjetrin. Secili portret ka histori të veçantë, mirëpo jo edhe pikënisje, sikurse që nuk kanë as fund, e kjo në një të kaluar e cila na ka humbur.
“Nga erdhëm, kush jemi dhe ka po shkojmë!”, janë pyetjet që valëviten në mendjet e tyre, pa ndonjë përgjigje të saktë, por vetëm me shpërfaqje, pranim dhe ballafaqim me shikuesit.
Vlen të përmendet aktori i madh i ndjerë, Bekim Fehmiu, i cili ka zënë një vend në kornizën e Imerajt. Ai nuk na shikon me vija ekspresive, ai e identifikon veten, por i mungon shpirti, ngase më nuk ndodhet në mesin tonë. Këtë, artisti e paraqet përmes mungesës së syve - të cilët janë detajizuar me të zezën e fortë. Fehmiu ishte, bëri bujë dhe iku si një hero i vërtetë. Dhe, ai tashmë rrjedh në Lumëbardhin e Prizrenit, aty ku u përcoll për herë të fundit.
Po ashtu, cikli i titulluar “Wild Hair”, tregon një qetësi, të shoqëruar nga një egërsirë, e të paraqitur me flokët e valëvitura me forma të qeta. Ky portret i ngjan një indiani, i cili po mediton dhe komunikon me unin e tij. E jashtmja, edhe pse çmendet, e brendshmja e tij ka kontrollin absolut. Edhe tek “Goca”, artisti ngre lartë qetësinë, sepse është arma më e fortë për të dominuar çdo shqetësim. Një femër më flokë të lidhura e me kokë të kthyer anash nuk dëshiron të shikojë atë që po ndodhë: padrejtësitë, vrasjet, përfitimet e shpejta të padrejta, tragjeditë, shkatërrimin e natyrës, ajo i ka përpirë të gjitha dhe tashmë është distancuar e izoluar në një qetësi të madhe. Kjo identifikohet përmes ngjyrës së bardhë që dominon në fytyrën e saj, megjithëse e zeza ruan në vete atë shkatërrimin. Por në esencë, ky portret na jap një barazim të qetë vlerash.
Të gjitha portretet janë ngacmuese, të paraqitura me vija të lakuara, ekspresive, të ndërprera, që identifikojnë nuancat shpirtërore të këtij krijuesi, e që si përmbledhje vlerash triumfojnë me ciklin “Hipnoza”. Një cikël ky që të futë në një rreth dhe shpërndanë energji nga brendësia. Përmes bebëzës së theksuar të syrit spektatori sheh çelësin e së vërtetës, dhe shndërrohet në një nxënës për këtë vëzhgues të mprehtë.