Zgjedhjet shtyjnë muajin e kinemasë ballkanike
Filmi bullgar “Briri”, fitues i çmimit special të jurisë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Karlovy Varym, Çeki, në vitin 1972 dhe filmi përfaqësues i Bullgarisë në garën për “Oscar” të po atij viti, sipas programit të AQSHF-së duhej të shfaqej dje në ekranin e kinemasë së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit në kuadër të muajit kushtuar filmit ballkanik por situata zgjedhore ka “bllokuar” edhe aktvitetet kulturore ne vend.
Bariu Karaivan bëhet rob i dëshirës së tij të dhunshme për hakmarrje, kur një bande kriminelësh përdhunojnë dhe vrasin e gruan e tij në sytë e vajzës së mitur Maria. Ai e rrit Marian si djalë në një kasolle të izoluar dhe e stërvit atë për të luftuar e për të vrarë me gjakftohtësi. Nëntë vjet kalojnë dhe ata vrasin tre nga katër kriminelët. Në çdo trup ata lënë një bri cjapi si simbol të hakmarrjes së tyre. Ndërsa gjatë misionit për të vrarë kriminelin e fundit, Maria bëhet rastësisht dëshmitare e një skene dashurie dhe mbi shpirtin e saj fillon të bjerë ndryshimi dhe të zgjohet butësia. Maria bie në dashuri me bariun e ri dhe urrejtja fillon të zbehet nga zemra e saj. Kur i ati zbulon ndryshimin që po ndodh me vajzën, përpiqet ta afrojë përsëri Marian te synimi i tij për hakmarrje, por rezultatet janë katastrofike. Me regji të Metodi Ananov dhe skenar të Nikolai Haitov, filmi dramë “Briri” rivjen në ditët në vazhdim në ekranin e kinemasë pas shumë vitesh kyçur në arkivin e filmit.